Të gjitha këto poezi janë të marra në libra të ndryshëm. Për të gjithë ata që dëshirojnë ti marrin dhe ti publikojnë në faqe tjera, le të kenë repsektin për kohën time, shkruani nga cila faqe vinë (p.sh. www.rapsodet.com ).
Nëse nuk u pret nusja,
u pret nëna.
Nëse nuk u pret nëna,
u pret TOKA.
——————————————————————————–
Xhevahir Spahiu
TË JESH ME TY
Të prekësh heshtjen tënde, siç prek një send
Të shohësh thellë në ata sy,
Ku dashuria hepohet si një anije
E të mos duashtë jesh përherë me ty?
Të ecësh me krahun mbi supet e tua
E të mos ndiesh oshëtimën e kaltërt,
Limonet mbi krye?
Vaporët, si zjarre të natës?
Të jesh me ty,
Tok me ty të qeshësh,
E mos kuptosh se si përpiqet deti
Të dal jashtë guaskës së vetvetës?
Të jesh me ty?
Të jesh me ty!
——————————————————————————–
Xhevahir Spahiu
TROKITJE PRANVERORE
Rendin retë.Era shkund petalet,
Nën petale dehen trotuaret.
Dy-tri krisma, shiu rrjedh i rreptë,
Borë e bardhë breshri bie nga retë.
Kokrrat mbi çatira vallet nisin,
Si një mijë pëllumba po çukisin.
Ja, po dal dhe unë tej tek rruga,
Të kap një nga tufat me pëllumba.
Po çfarë patën, krahët pse hepuan,
Dhe mbi hark t’ylberit fluturuan?
Le të shkojnë hapësirave të kaltra,
Në stacion mua më prêt e dashura.
——————————————————————————–
Jorgo Bllaci
NETËS
Kaq e shtrenjtë kurrë s’më je dukur,
Ti vërtet nuk paske shëmbëllim!
Ah, moj Neta, sytë e tu të bukur
Çmendurisht i deshte miku im!
Nëse këtë çast i ngrysur mbeta,
Duke të vështruar ty kështu,
Ti mos m’u çudit aspak, moj Neta,
Më kujtuan mikun sytë e tu.
Sa dëshirë do të kisha sonte
T’ju vështroja bashkë që të dy:
Vetëm ta dëgjoje të këndonte
Vargjet që me zjarr t’i thuri ty!
——————————————————————————–
Odise Kote
BESOJ TE DASHURIA
Kur të kam pranë
e flokët të përkëdhel,
kur të ërshpëris copëza shpirti
të pathëna ndonjëherë,
jam si fëmija i vogël që mirë s’e njeh
gramatikën e aritmetikën e thjeshtë.
Dhe nuk e di se si ndodh tani:
në këto çaste s’më kujtohet sa bëjnë dy dhe
dy.
Kur ka të tjerë që llogarinë
gjakftohtësisht e kallin në dashuri.
——————————————————————————–
NAIM BERISHA
NGADO SYTË E VAJZËS
Një fjalë e Lasgushit
Ç’më ka dridhur
Me valët e liqenit që dridhen si mirazh
Me profilin e hequar të vajzës që dua…
Për dhjetra syqeshura
Që më përshëndesin
Nuk kam ndërmend të stis flirte
Ngado sytë e vajzës
që më thotë poeti
Më çmendin si pellgjet
mistermagjishme.
——————————————————————————–
NAIM BERISHA
LETËR E PANISUR
…Kur ishim vetëm e s’na shihte njeri
putheshim e qeshnim sy më sy
Ah, ato flokët e tu…asokohe
pupupu, në kraharorin tim
ajo kokë e bukur bjonde
me ata sy, si dy liqene të thellë
të kaltër, pranë e pranë
me atobuzë karafili
me atë gushë fildishi, të bardhë
Po kur loznim syçelasi pa lëviz qerpikët
copa-copa heresh pothuajse gjatë
ti më mundje mua se më dridheshin qerpikët
dhe qeshnim fort dhe putheshim prapë
Dhe hokat merrnin flakë… imazhe fëmijësh
luanim kalifqë dhe me mbyllje sysh…
Ç’të të kujtoj më parë, e dashur e mjerë
kur shtriheshim mbi bar e tjerë e tjerë
më pastaj, s’di… si krejt pa kuptuar
një heshtje ra dhe dy lot të nxehtë…
——————————————————————————–
NAIM BERISHA
RRËSHQITJE
Nuk prita sot…
Në këtë ditë pranverore
sekretin e lodhjes të ma zbulojë udha
u bëra fllad e fluturova mbi një gjethe
të kapja misterin e dashurisë.
Dhe qënkesh ai si shirit i një filmi
që jep e merr çdo gjë të bukur me mua
Kur bëra ta kap… më rrëshqiti nga duart.
——————————————————————————–
AGIM SPAHIU
DHIMBJET E ZEMRËS SË LARGËT
E dashura ime i harroi fjalët
si të mos ishin kurrë…
U dashurua me heshjten.
Një mollë e kuqe-gjak si faqja jote
midis shpatullave më ra,-
asnjë plumb s’ka me më dhimbtë më shumë
në vdeksha pa të parë…
Sa herë mollët të piqen si kësaj dite
hidhi kokrrat udhës nga shkova,
dhe unëdo të ndiej dhimbje ku shitove.
e miro.
Në u martofsh mollë mos pastë kund në botë!…
Ti me lot do t’i qash sa herë t’i shikosh,
unë dhimbje do ndiej sa herë t’i prek, pse ta fsheh.
Dhe në diell të dytë s’të harroj, e miro!
——————————————————————————–
AGIM SPAHIU
FËMIJËT E SHKOLLËS SË FSHATIT
Në oborrin e shkollës heqin viza
me gurë e shkumës të bardhë.
Dhe pastaj… një rrasë
me një këmbë e shtyjnë me radhë.
Asgjë s’kërkojnë për lodrën e tyre
fëmijët e shkollës sime.
Kështu para fillimit të mësimit,
kështu në pushimin e gjatë…
Gëzim fëmijës iu bëkan
edhe pak viza të drejta e një rrasë…
——————————————————————————–
AGIM SPAHIU
KËNGË DËSHPRIMI
Jam bërë si këto rroba të palara në çantën e zezë
të udhës,
si këto rroba të pista që mbajnë erë ndyrësi,
ku s’ka mbetur asnjë këmishë e pastër,
as edhe një shami.
Në çantën e zezë t’udhës java dhe viti,
jeta ime e ghertanishme,-
unë- i gjithi,
dhe kjo këngë dëshprimi.
Po fytyrën ku ta çoj? Kush më thotë?!
Nuk dua kurrsesi ta fus në çantën e zezë të udhës!
Ngrihem
dhe hedh ujë me dorën e djathtë,
me dorën e majtë,
me të dyja duart bashkë,
ujë, ujë – dy Drina dhe një Valbonë-
në fytyrën time të gjorë
me shikim të zemëruar
që nga çantë e zezë e udhës me zor dua ta shpëtoj…
Dhe s’e di a do ta shpëtoj.
——————————————————————————–
MIMOZA EREBARA
PAS TEJE ERDHA
PAS TEJE ERDHA
DHE TË GJITHA I HARROVA.
FYTYRËN DHE TRUPIN TËND
I BËJ ROB TË GISHTAVE E SYVE TË MI.
TI MË JEP SHPIRTIN
DHE BUZËQESH.
· ZOTI IM!
JO, KURRË NUK DO MUNDJA
T’I MASHTROJ E BRAKTIS
KËTA SY KAQ TË MALLSHËM,
KAQ TË BUTË …
PAS TEJE ERDHA
DHE PËR TY TË GJITHA I HARROVA.
——————————————————————————–
MIMOZA EREBARA
VETËM TI
Gjithnjë e më tepër
brenda meje të ndiej
të ndiej
se si në orët e vona të natës
më pushton pak nga pak.
Dhe pastaj sundues
më bën të papeshë
dhe gjymtyrët m’i dyzon.
I ajërt,
porsi ai, pushton hapësirën
e mureve ku fle unë
Dhe unë ndiej
me çdo qelizë,
në ëndërr dhe në zhgjëndërr
se të kam.
——————————————————————————–
MIMOZA EREBARA
ËSHTË KOHA TË NDAHEMI
Pak ik tani, ti shpirt delikat,
Unë të dua,
po askush nuk të kupton dhe askujt
nuk i duhet delikatesa jote.
Në Botën tonë kaq shumë të mbytur me gjak
Më mirë ik,
më ler të qetë
në prakticitetin e gjërave.
Ti më ngatërron
kur para meje shfaqen
Hipokrizia,
Tradhëtia,
Egërsia,
Ti më ngatërron
edhe kur ajrin e mbushur me aroma thith.
Ti më ngatërron çdo herë.
Po unë nuk dua të ngatërrohem më.
Dua të bëhem edhe unëpraktike
e t’i pranoj si të kësaj jete
Hipokrizinë,
Tradhëtinë,
Egërsinë,
Është koha të ndahemi
Po si ?…
——————————————————————————–
MIMOZA EREBARA
KLITHMË DASHURIE
Thika i futën pamëshirshëm
një ditë përvëluese në qershor
Anës plagës së çelur
Gjaku, Ngrotësia, Loti,
Dielli digjte dhe qielli i rimtë ish
Asnjë gjeth s’lëviste në qershor
Shpirt’ i rënduar, i therrur,
i shkelur,
i hedhur,
zbriste në gropën e zezë
ngadalë…
Kur ndjeu se iku plotësht,
Dashuria
Zemrën e plasi
dhe e la të thyej copë-copë
mbi trupin e drobitur të pajetë
Dielli digjte frymën e shkretë
dhe asnjë gjeth s’lëviste.
Ish qershor…
——————————————————————————–
AZEM QAZIMI
TINËZ
Një sy më sheh tinëz
dhe unë e shoh,
siç shihet, i rrahur dallgësh,
një far në det:
me dorën e mërzive,
si strehë kapeleje
prej kashte.
Ky sy që më sheh tinëz,
që më nanuris,
do të më mbërthejë
për ninëzën e vet.
Tiranë, 1996
——————————————————————————–
AZEM QAZIMI
KËNGË QË S’KËNDOHET
1.
Një vashëz u zhyt në ujin e lumit
tek sa Hëna, me bërryle pështetur për male,
kundronte që lart, me vështrimin e
përvajshëm.$
shtratin e trëndafiltë të lumit.
Lëkurë më të lëmuar s’ka as jasëmeni,
e as deti kur fle s’është më i bukur,
llërëzbuluara,
bukuri e egër dhe tragjike.
2.
Nga kodrat përbri
ia behu aroma e athët e ftonjve,
dhe një barkë e fundit hoqi brazdën nëpër
lumë.
Sa ëndërr e bukur ajo shtëpia në bregdet…
——————————————————————————–
BILAL XHAFERI
RINIA IME
Nuk më vrapoi rinia
duke gjurmuar pulpët si shishe shampanje.
nuk m’u verbua rinia
pas ngjarjeve të fustaneve.
nuk m’u mbyll rinia
në parantezat e qepallave
të ndonjë vajze sentimentale.
rinia ime zgjodhi një tjetër drejtim,
zgjodhi të tjera ngjyra,
duke gjurmuar një dashuri të madhe,
duke kërkuar një lumturi të madhe,
si në një aksion të pandërprerë,
nga kantieri në kantier,
nga ferma në fermë,
nga miniera në minierë;
rrugëve të atdheut.
Ajo mbarti të gjtiha ngjyrat e baltrave
dhe tani e shoh tek digjet
kurorë sipër dheut,
si një ylber i pjellë nga mitra
e shtrëngatave.
——————————————————————————–
BILAL XHAFERI
SA SHPEJT KALOI RINIA JOTE
FUSTANI YT I NUSËRISË
SI BRYMË E BARDHË TË MBULOI,
SA SHPEJT KALOI RINIA JOTE
SA SHPEJT PRANVERËN VJESHTA NDËRROI.
NGA DEGËT FLETËT U RRËZUAN,
TAKSIA HUMBI LARG NË RRUGË.
Ç’U NGRYSËN VITET KAQ SHPEJTUAR
Siç ENDEN MJERGULLAT NË MUZG.
FLORI I VARGJEVE TË MI
U SHKRI PËR TY ME DHIMBSURI.
TANI SI HEKUR SHPIRTI IM
ME LOT U NDRYSHK EDHE U NXI.
NGA DEGËT FLETËT U RRËZUAN,
I RRAHËN KRAHËT ZOGJTË NË JUG,
SI HARQE VIOLINE DRIDHEN
MOTIVE VJESHTE NËPËR DRURË.
——————————————————————————–
XHEVAT SYLA
VATANI
Në rrethin tonë
vatani ynë: vdekjet lindjet
Historinë librat s’e bëjnë
Çasti shoqëror ndryshe e sheston
duhet të mbijetohet dita konkludon
se jetën jetuar duhet
në këtë hapsirë
në këtë kohë
historia më vonë shkruhet
librat le ta bëjnë
kurse sot fatin tonë
ne vetë e përcaktojmë
(1987)
——————————————————————————–
MARJETA HUTA
ATDHEU
Jo drita e sinqertë e syve të mi,
ligjërimi i heshtur i zemrës sime,
lulëzimi i dëshirave,
shpërthimi i të gjitha dashurive.
Ti m’i projekton çdo çast
qytetet mrekullore të ëndërrave,
ti m’i fal fëmijët e lumtur që do t’i popullojmë
o tokë e begët e monumenteve,
grurit e trëndafilave,
e diellit që shkëlqen në të gjitha stinët.
Lumenjtëqë rrjedhin
Janë dashuri e pastër për atdheun.
Këto majëmale, fusha e bregore,
këta njërez shtatëlartë që buzëqeshin çiltër,
me rrudha si rrugët e historisë
mbi ballin e tyre,
është atdheu.
I vë veshin tokës,
I vë syrin diellit
dhe matlulëzimin e pranverave të tua,
mat gëzimet e njeriut të kohës sime,$
Atdhe !
——————————————————————————–
Sabile Keçmezi Basha
TROJET TONA
Me siguri ke ëndërruar, ti o i huaj
se lule ke për të këputur
në këto trojet tona.
Por sa shpejt ke harruar
se vetëm me një lule
nuk është Kosova.
Me vite ke menduar
se këtë tokë të kuqe
do ta bëshë shkrumbë e hi
po ku i braktise kullat prej guri.
Mendove se do ta shlyesh historinë
se botën do ta krijosh sipas qejfit
pa e ditur se trungu i fisit tim
është shumë më i vjetër
se historia jote.
——————————————————————————–
Nurie Zekaj
ATDHEU
Rilindesh në gjakun e bijëve tu
çdo pjesë jotja
zemër e popullit
në damarët e tu
gjaku ynë
në rrudhat e ballit
ruajmë krenarinë për ty
në jehonën e zërit shpalosim
kurorën tënde
linde për të mos e ngrysur kurrë
rritesh bashkë me krenarinë tënde
për të mos e njohur përkuljen.
——————————————————————————–
Muhamet Kërveshi
ZOGU KRAH KOSOVE
Ky zog
me krahë të hapur
i ngjan Kosovës
Me zërin tonë
këndon këngë kreshnike
i flet Kosovës
Bashkë me me
kremton gjatë
në festat tona
——————————————————————————–
Muhamet Kërveshi
Ç’ËSHTË KOSOVA
Ajo që mendojmë
ajo që shohim
ajo që flasim
është Kosovë.
Ajo që heshtim
ajo që s’harrojmë
ajo që ecim
është Kosovë.
Ajo që prekim
ajo që marrim
ajo që japim
është Kosovë.
Ajo që na takon
ajo që kërkojmë
ajo që paguajmë
është Kosovë.
Ajo që kemi
ajo që s’kemi
ajo që rritemi
është Kosovë.
——————————————————————————–
Entela Safeti
FJALËT E ATDHEUT
Me trup të gjymtuar nga vetiu
në jug
rrjedh gjak…
Kosova, dhimbja ime e përgjakur
Çamëria në jug, më mbeti bijë e grabitur
nga hasmi
e përdhunojnë e provalin cakejtë
Shkumbini uluret në fundshekull
sepse botës nuk i shter barku
që pjell djallëzi
ndërsa bijtë e mij, më braktisën
dherave të huaj
« Pseudopolitikanët » lidhin kohën
të kullosë kokat e tyre bosh…
——————————————————————————–
Rozeta Kreste
E PRAPË DO TË DUA
Kur vite të kesh hedhur pas
Krejt të më kesh harruar
Kur të zgjohesh në mëngjes
Nëpër të tjera duar
Në heshtje dhembjen do gëlltas
E prap do të të dua.
Dhe kur të mbetesh filikat
Braktisur pabesishtë
Vetëm një klithmë të vi pas
Plagën e hapur do ta fsheh
Thellë gjoksit të helmuar
Dhe buzën do të vë në gaz
E pra do të të dua.
——————————————————————————–
Valdete Antoni
PERTEJ RRËFIMIT
Kosovë
Ti po vritesh
dhe unë shkruaj poezi
libri im i parë po digjet
unë i laj sytë dashurisë
Kështu jam
babai po më vdiste
unë vrapoja te strukesha
në një pemë gjoksburri
degët më lëmonin kokën si Ai
Tani shoh fëmijë të vrarë
gjiri më rrjedh qumësht
për të palindurit.
——————————————————————————–
Nuo Sinishtaj
ME MUA PA MUA
Mua nga unë më ndajnë
sa e sa ura të tetovuara në shpirt
e mua pa mua nuk mundet askushi
të më lajë me terr as me dritë
Do të dalim nga katakombet
Kurtizane
lehaqene – Historia
Do të dalim nga katakombet
të freskët dhe gjithë energji
Në gjirin tonë do të flakojë
flamuri Kuq e Zi.
——————————————————————————–
Fatmir Ceci
Zvicër
Zvicër !
Mbi barin e blertë shtrirë rri
Këmbët, trenat t’i shkelin
Dhe ti qesh
Unë,
si një pikëz shiu rrëshqas
mbi lulet e bukura
dhe mbi vitrinat e pastra
Me këpucët refugjate
të bëj zhurmë në rrugica
Ndër xhepa pantallonesh
Një ëndërr shtrëngoj me duar
Zvicër !
Era e luleve më solli tek ti
Me avionin e diellit erdha.
Maj, 1993
——————————————————————————–
Hysen Gërvalla
Mbrëmja dhe unë
Nata sonte ecë me ty
Të përkëdhel përmallshëm
Vjell tisin e lehtë argjendar
Mbi buzët e tua
Gjithçka e bukur pushon
Mbrëmja dhe unë thurim ëndrra … !
Unë jam
Shtektar i fundit i natës
Mbrëmja e orfeut
Çmendet ne vetminë time
Jam edhe më shumë
Sonte i fundit në një stinë
I kënduar rrallë përmallshëm
E shpirtrishtë
Mbrëmja dhe unë sodisim njeri-tjetrin
Në të qara buzësh të etshme
Mbrëmja dhe unë asgjë s’jemi
Pa sytë e tu …
Në gjethet e këputura
Shpirti vuan shqip
Nuk flen numron yjet
Në mesin e tyre diku je edhe ti
ERI…
Shëndrit horizontin
Dashurisë i jep kuptim…
——————————————————————————–
Gani Azemi
Tranzit nëpër qiellin e atdheut
Nga dritarëza e avionit
E vështroj relievin
Që e njoh edhe në gjumë
Bardhësia e thepisar e Lubotenit
E shpon si me thikë
Kaltërsinë e ëndrrës sime
Re të zeza e kanë mbuluar
Sharrin Plak
Trupin ma përshkruhet me fjalë
Të asnjë gjuhe
Fluturoj qiellit të rinisë sime
E avioni çan horizonte të largëta
Veç tranzit mund të kaloj
Dhe t’i afrohem nga qielli Kosovës
Tokës që të tërë e kam në zemër
Në Qiellin e Kosovës, mars 1981
——————————————————————————–
Dritëro Agolli
Për gratë tona
Sa pak këndojmë për gratë tona !
Për gratë
E bukura e të mira,
Që na përkëdhelin me duar të njoma
Kur kthehemi nga rrugë të vështira.
Gabohemi shumë,
Kur flasim e grijmë
Rreth gotës me birrë,
Rreth gotës me verë,
Se gratë tona e humbën freskinë
Se ishin të këndshme njëherë !…
Jo, jo, s’humbet hijeshia e tyre,
Mjafton të qëndrojnë pak në pasqyrë
Dhe të duken prapë të njoma.
E si të mos këndojmë,
Poetë,
Për ato që kanë ditur në jetë
Të lindin kreshnikë e peri,
Jo në maternitet e në shtëpi
Po edhe në korie e në arë,
Duke prerë dru
E duke hedhur farë ? !
——————————————————————————–
Dritëro Agolli
Duke kërkuar dashurinë
Zemra sot me rima e ritme m’u mbush :
Një kovë eskavatori me trishtim e zbraza,
U bëra gazmor a nga gazi në faqe kam
prush,
Rinia godet me grusht në thinjë e brazda.
Ashtu si Kolombi, kur pa në oqeanët e
stuhishëm
Të bardhat çajka e thirri : tokë, tokë !
Unë pashë të bardhat çajka të dashurisë
E thirra : është afër, shokë !
Vërtet ish afër, po unë Kolombi, s’e dija,
Veçse kërkonte varka ime me velë të hapur
Dhe shkuma e valës më binte në thinja :
Unë direkun e saj kisha kapur…
Mirë thotë një kolegu im i vjetër :
Në dashuri duhet të jesh Kolomb
patjetër !…
——————————————————————————–
Halil Qëndro
Anijet e mërgimit
S’mjaftojnë as anijet e botës
të bartin mërgimin tënd,
gulçojnë të fundosen nën mbipeshën e dhimbjes,
detet e tu
shkretëtira shresash,
ujënaja të kripura lotësh.
Po ti vetë fatin tënd të verbër e zgjodhe,
mezi ruaje zjarrin e paktë te vatra,
e kyçur në marrëzi të vetmisë
i kanoseshe botës me një gur hobeje,
tundje një çokane ogiçi dhe ngjirreshe
e tani e tëra në një det të trazuar,
të presin bankina të lakuriqta
dhe brigje me fenerë të shuar,
shpresëpashuara ime e cfilituar,
Shqipëri !
1991
——————————————————————————–
Halil Qëndro
Pranvera e këtij viti
Si na zuri kaq befasishtë këtë vit pranvera !
Lulet dhe zogjtë kaq pranë
dhe s’i vëmë re as ngjyrat, as këngët,
jemi harruar pas bisedave të nxehta për pluralizmin,
të mbledhur rreth sofrës së varfër vëllezërit
si s’vendosën mes tavolinës një buqetë me lule
për të kujtuar Pranverën dhe fytyrën e Nënë.
Si na zuri kaq befasisht këtë vit pranvera !
I kanë humbur mes tyre kufijtë
lulet dhe plagët,
udhëkryqi dhe shtegu i dritës,
a diçka që s’di si ta them se është tej kufirit të fjalëve,
a diçka që s’di si ta shpreh
se është tej kufirit të dashurisë e urrejtjes.
Si na zuri kaq befasisht këtë vit pranvera !
1991
——————————————————————————–
Gëzim Buna
Dashuri dhe mall
Majë malit jam tani, e dashur,
ku dëbora ka shtrirë krahët e saj,
me topa po lozja me shokët,
kur befas të ndjeva aq pranë.
Dhe ti, e dashur, më ndeze mall,
majë malit me shokët e mi,
dashuria ngjitka edhe malet
dhe dëborën e shkrin…
——————————————————————————–
Gëzim Buna
Një urëz e vogël, një urë…
U puthëm një herë në arë,
u puthëm dhe vetëm kaq.
Për s’dyti s’arrita të rrokja,
Ti ike me vrap…
Një puthje e thatë dhe kaq.
Atëherë fëmij.
Të rritur shihemi paq,
s’flasim për atë dashuri.
Se s’bëmë ndonjë mëkat.
Në u puthëm ne dikur,
Një puthje e ëmbël – fllad,
Një urëz e vogël, një urë…
——————————————————————————–
Dritëro Agolli
Mjegulli i dashurisë
Kur ikja larg, drejt teje vija ;
Kur vija afër, ikja larg.
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia bëhej çark.
As e kuptoja si të desha,
Një mjegull pus, një çmenduri,
Si një poet që shkruan vjersha
Dhe ndez një shkrepse, i bën hi.
Dhe ndofta kjo ish dashuria :
E çakërdisur kuturu…
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia gjithashtu.
——————————————————————————–
Dritëro Agolli
Nusja nga Kosova
Kam dashur t’i gjeja dhe nipit tim të vogë një nuse
Andej nga Kosova në fshatrat e thella,
Po kjo ka qenë një ëndërr pas zjarrit me flakë të kuqe
Si valë e flamurit tek shpella.
Ka qenë vërtet një ëndërr në viset e mia me gurra,
Ku rrjedhin ujrat, por unë etjen e verës zor se e shuaj.
Kam dashur nusen e nipit të mos e marr me vetura,
Po veçsi qëmoti me kuaj.
Një muaj të tërë le të zgjaste udhëtimi me kalë,
Me pluhur mbi velo të vinte nusja e nipit tek unë,
Me dorën time t’ia shkundja duvakun palë mbi palë
Atje tek oxhaku, ku kfja në xhezve bën shkumbë.
Dhe s’kishte gjë, le të binte pluhur i udhës së largët
Në vatrëm time të vjetër sa përralla,
Po kjo nuk ndodhi mes botës së ligë e të varfër,
Ku rron ky fisi ynë i ndarë në dysh plot andralla.
Ku s’merr dot një nuse për nip a për djalë,
Se fisin e ndan kufiri me dy pashaporta ;
Këto pashaporta s’të lenë të marrësh nuse me kalë,
As me vetura, as me trena dhe as me aviona ndofta…
Kam ëndërruar t’i gjeja një nuse tim nipi të dashur
Në fshatrat e thella andej nga Kosova,
Se s’desha të shkoja në tjetrën botë me buzë të plasur,
Ta shuaja etjen e mallit për aq sa të rroja.
——————————————————————————–
Sadik Krasniqi
Unazë dheu
Erdhe me plis të djegur në majë
me faculetë të bardhë nëne
të lidhur katër cepësh me nyje malli
Për në shtëpi mora atë lot dhe
Ky dhe i Kosovës
mban erë molle
erë shpirti me duhmë zjarri
e vakësie t ´ëmblit të nënës
erë varri erë lirie
Mbrëmjeve në dritë të hënës
fëmijëve do t´ua sjell
Galdimit e Albinit
tri herë rreth koke
që tër natën të ëndërrojnë
se shëtisin në grunaja të bukës së re
me xixëllonja në ballë
Do t´ua sjell rreth koke
Albinit e Galdimit
t´ua nyjëzoj shpirtin me Kosovën
me unazën e dheut të përndezur
do ta shijojnë për çdo mëngjes
dhe do të mësohen me erën e tij
rrugës qumështore përmes qiellit
do t´ i pluhuros yjet me prushin e këtij dheu
Galdimi dhe Albini
Kosovën do ta gjejnë të bleruar
edhe pas njëmijë vjetesh
kur ta puthin për herë të parë
kanë për të ditur
se kan puthur Diellin e vet.
——————————————————————————–
Sadik Krasniqi
Sytë e asaj vashe (N-së)
Vetulla hark i zi
Nga vetulla në sy
largësia yllësi
Qerpikët
plepa blu në qiellin gri
hijëzojnë njomësinë në urtësi
ç ´bukuri
n´ sy
ndry
n´frengji
Oh mos të raftë kurrë lot i zi
në ata sy
Kurrë mos t´u djegtë
ajo bukuri
——————————————————————————–
Sadik Krasniqi
Shi dhe trok kali
Në këtë natë me shi dhe trok kali
Shaloj hingëllimën e trembur
Mbërrij tek babai dhe varri i çelë
Zë çastin e ndarjes
E puthë të gjallë
Me urnën e pikëllimit
Ia marr lotin e mallit
Në thimbje më bie drita e kometës
E në qiell shndërrit nuri i tij
——————————————————————————–
ALBULENË SHALA
Albulenë Shala u lind më 11.05. 1987 në fshatin Osdrim, komuna e Pejës. Rrjedhë nga një familje intelektuale. Shkollën fillore tetëklasëshe e mbaroi në vendlindje. Tani është nxënëse në klasën e njëmbëdhjetë në gjimnazin Bedri Pejani në Pejë. E shkëlqyeshme në mësime dhe e angazhuar në krijime letrare. Ka filluar të shkruaj që nga klasa e shtatë e fillorës.
Kjo është përmbledhja e parë e saj me poezi. Ka në dorëshkrim edhe një përpjekje letrare në prozë me tematikë rinore.
LIGJËRIM ZEMËRIMI ME PAFAJËSINË E MOSHËS
Poetesha e re me moshë dhe vargje – Albulenë Shala, me librin e saj të parë “Nuk kam faj”na vie si rrezja e parë e diellit në mengjesin e ditës plot dritë. Një shpirt i njomë qe shpreh brendinë e vet me shqetësime moshe duke kërkuar gjithnjë pafajësinë për frymëzimin e shprehur, edhe kur ëndërron edhe kur qorton, edhe kur zemërohet edhe kur soditë blerimin e stinës.
Ajo di të fshijë lotin me butësinë e vorgut që të bëhet mbretëreshë ngrohtësie, duke ofruar durimin e pritjes, që prapë dhe gjithmonë të jetë sa më pranë ndjenjës të cilën butësisht e dhuron.
Në këtë vëllim të saj poetik, vërehet një thellësi meditimi ku gjithnjë gjurmon në kërkim shtegun e afrisë, portretin e bardhësisë dhe unazën e fatit në jetë. Melankolinë e shpirtit di ta shpeh aq prekshëm deri në drithërimë ndjenjash, sa që portretin e njeriut e sheh nga do në syrin e vet.
Heshtjen e ka për mikeshë moshe, çka nuk është aq e natyrshme, magjithatë di ta vë në ligjërim vargun duke i dhënë edhe kuptim të plotë poetik e filozok. Kur i mungon portreti e parafytyron hijen e tij duke kërkuar…”gjurmët shtërpë të hijes…” së adhuruar.
Në një masë të caktuar është e mbyllur por jo dhe e mbërthyer në rrethin e vetmisë, meqë gjithnjë shpresën e di për çelës jete, ani që pritja i rri shtrirë në shtratin e durimit. Nuk ka faj për trazimin e parë, trazim ky edhe poetik i vetpërcaktuar si frymëzim krijimi.
Sidoqoftë, poetesha e re Albulenë Shala, ka përspektivë krijimi dhe në letrat shqipe, me këtë zell dhe përkushtim mund të arrijë nivelin e krijueses së dëshmuar.
FJALA
Fjala
Në afërsi gjithmonë
Këngë bilbili
Ëmbëlsi e jetës
Fjala
Në largësi përjetshëm
Heshtje e gerëzuar
Në helmim jetën
ME GISHTIN E UNAZËS
Ëndërroj të jem
Afër teje
Me gishtin e unazës
Të të prek dorën
Në ledhatim
Ëndërroj të shprishur
Në përkëdhelje
Flokun tënd
Fytyrën si pluhur
Në largësi tretur
Që vetëm era
Mund at sjellë
Syve të mi
Ëndërroj
Të kthehesh një ditë
Në heshtjen time
Vetëm një çast
Cilësdo stinë
NË TY DO TË JEM
Në melankolinë e syrit
Portret afërsie
Do të jem
Djersë në ballin e rrudhosur
Qepallat t`i lagë
Plogështi e pleqërisë
Njollë në damarin e shterur
HIJEN TËNDE KËRKOJ
Hija ime kërkon gjurmët
Shtërpë të hijes sate
E humbur në mes labirinthi
Sikur dritën ma kanë vjedhur
Hijen tënde kërkoj
Heshtja mbi valëdeti
Shkumë zemërimi
Më shfaqet dritë
Portreti yt
Prapë hijen tënde
Kërkoj
Loti im do at vras
Atë që rrugën tënde lagë
Akull shtegun
Në heshtje mbyllur
Hijen tënde kërkoj
MË KUJTO
Kur era farfullinë
Kujtimet lëkund
Në zallin e detit
Më kujto
Peshk i artë
Do të shfaqem
Dëshirat t´i plotësoj
DUA
Dua të jem
Zog
Për ty të kendoj
Dua të jem
Lule
Me aromë të ledhatoj
Dua të jem
Lot
Në syrin që kërkoj
Dua të jem
Engjullushë
Me krahë të përqafoj
LULËKUQE E TREMBUR
Kopsht pa lule
Shfrenim nate
Lulëkuqe e trembur
Vështrim
Me hile
Tinzare ngjan
Në tënden bukuri
Petale e mbyllur
Vesë pikon
KËRKIM I KOT
Kërko rrugicave
Gjallërinë e kot
Nuk jam as aty
Ku frika zhduket
Me ndriçim
Murosa lapidar
PRITJE NGROHTËSIE
Kur nata bën acar
Pranë oxhakut
Trup i ngrinë
Pritje e afërt
Qerpikë me shtrezë
Me ty jam unë
Mbretëreshë e ngrohtësisë
PRITJE NGROHTËSIE
Kur nata bën acar
Pranë oxhakut
Trup i ngrirë
Pritje e afërt
Qerpikë me shtrezë
Me ty jam unë
Mbretëreshë e ngrohtësisë
ME TY
Me ty
Shoqëruar në heshtje
Sytë ngulitur
Në jet e atyre netëve
Bota dukej e qetë
Si të ishte n´amshim
Me kujtimet e shpresës
Prapë jam me ty
Ëndërrat e mia
Një pikë shiu i lago
Mollëzave në rrjedhë
Pikon loti
Dhe prapë lam me ty
GREMINË DASHURIE
Shkëmb murosur
Në rrënim tradhtie
Zemra ujitë
Lumenj kujtimesh
Ironi e hidhur
Greminë e dashurisë
ÇAST I MALLKUAR
Shfrim ndjenjash nxitë huti
Epsh dobësie apo shëmti
Ashtu befas si më erdhe
As vetë s´e di
Xhelat i ndjenjës fisnike
Mos paç kurrë bekimin
As uratën e krijesës magjike
NUK KAM FAJ
Mos më mallko
Trazimin e parë
Trupin shtalb
Kënaqësi e harlisur
Nuk km faj
Tradhti e dhunës
Të një fjale s´ishim
S´ta fal dot
Pafajësinë e moshës
DHURATË JETE
Lotin ta fshij
Dhuratë
Jetën ta falò
Ngrohtësi vatre
Cakrrojmë gotat
Në pritje
Trashëgimi gëzimin
ILUZION
Sikur të jet ti
Fluskë bore
Kështjellë lumturie
Do thurja
Në mesin e yjeve
Rreze dielli
N´kurorë lulesh
Hënën
Zinxhir dashurie
Shiu të jet
Lundër kujtimesh
Retë e bardha
T´i km hije
KTHESË JETE
Rrufe dashurie
Godet zbraztinë
Vetëtimthi ndjenjën
Ngashëren
Kthesë jete
Ringgjall lumturinë
Buqetë kujtimesh
Një refren
KURORA
Shtrëngim duarve
Kuptim bese
Bistek dashurie
Shikim bebëze
Fole jete
Uratë goje
Dhuratë e pritur
Kurorën
Bistek dashurie
FRESKI E HESHTUR
N´ freskinë e luleve
Aromën tënde
Të heshtjes ndjej
Që më largojnë
Vetminë
Dallgët e kujtimeve
Ëndrrave pa gjumë
Pikon loti
Në kërkim dorën
T´i fshij
Gjurmët e pritjes
LOTËT PO T` I FAL
Kujtimet po t´i fal
Det i thellë i pa anë
Prano lotin tim
Dua të bëhem hall
Në thellësine tënde
Vuajtjet m´i shoqëro
Me valët tua
Kujtimet m´i përqafon
MË MUNGON
Pëshpëritja jote
Buzëve të njoma
Më mungon
Gjersa shfletoj librin
E pluhurosur
Nga harresa ta shpëtoj
Me ngrohtësinë e duarve
Mbi kapakët e tij
Do të mbjell lule
Më mungon gëzimi
Që dikur e shihja
Në pafajësinë e syve tu
Kujtimet zgjohen grumbull
Buzëqeshjet me zërin
Ëmbëlsinë e tij në dridhje
Melodia e këngës përmallshëm
Në harresë torturon shpirtin
Që venitet në pritje
FLUTUR E LUMTUR
Flutur e lumtur jam
Flatrat m ngjyra hap
Nektar dashurie shijoj
Vesë lulësh gëlltis
Flutur e lumtur jam
THUAJ
Edhe pse kam mall
Të vetmen fjalë kërkoj
Nuk dua hakmarrje
As ngushëllim nuk dua
Vetëm një fjalë kërkoj
Thuaj
Se je penduar
VESË DASHURIE
Vesë dashurie
Trëndafil rrënjëprerë
Ujitë
Fryt i shprishur
Freski ndjenje
Gërshet polemi
E miqësisë së braktisur
GRILË VETMIE
Shkretëtirë enigmë
Peizazh i sëmurë
Maskë e pa çjerr
Grilë vetmie
Ëndërr e plakur
Qiri i shkirë
ËNDËRR PARAJSE SA HIJESHI MË KISHTE
Velloja me pelhurë lashtësie
Në rrëqethje trupin
Bistek dredhur
Shamikuqe
Jelek gajtani
Sa më kish hije
Në vështrim rrugicave
Hapat e gjogut numëroja
Ecje e ngadalshme
Kisha frikë
Nga fytyra e panjohur
ËNDËRR PARAJSE
Isha hyjneshë
Mbi engjuj mirësie
Veshur me lule
Bylyzyk ari
Dhuratë mbaja
Çelës dashurie
Dritë prarimi
Gërshetat lëmon
Engjëll parajse
Nga gjumi më zgjon
PRITJE
Loti më është tharë
Pritje
Katran mbështjell
Humnerë errësire
Ferr vetmie
Pritje
Në varr
Syçelë
NGULFATJE
Mgulfatje
Më lejo të ik
T´i kthehem kënaqësisë
Së pashijuar
Tymin në ajër do ta mbledh
Mushkëritë do t´i gërryej
Krejt çka më dhurove
Do t´i jap
Vetëm më lejo
Të shkoj
Ngulfatje
Pak stinë kam shijuar
Në blerim jetën
Stuhi trishtimi
Ngulfatje e harresës
DROGA
Ti më bën të ndjehem
Se lumturia
Është vetëm ima
Me damar rreth zemrës
Më bën që tërë botën
Shtrëngoj
Në duart e mia
Si shkumë deti
Më mashtron
Aroma jote
Tua se je lule
E vyshkur
Mbi një top bore
E braktisur
VUAJTJE VJESHTE
Lundron anija në heshtje
Anës detit shihet gyteti
Ishe ditë vjeshte
Vështrimi
Mbi detin pushon
Margaritarë lotët
Në rrjedhë
N’brendi zemre
Etjen fundosur
Intriga kujtime
Shuaj valë
JETIMI
Zot
Pse me pagëzove
Me emrin jetim
Ma plagose kaq fort
Shpirtin tim
A ka në jet
Emër më të keq
Nga lotet e mi
Të formohet një det
Gjithë fëmijët lozin
Shijojnë lirinë
Unë zog i plagosur
Urrejë fëmijërinë
Pa baba pa nënë
Si t’t’ dal jetës matanë
Shumë vuajtje e trishtime
Sa e zezè kjo jeta ime
Më mirë mos t’kisha lind
Se sa të rritem
Pa përkëdheljen
Easnjërit prind
NËNA
Me butësinë e shpirtit
Zemrën ma freskon
Me ledhatime mikluese
Plagët m|i sheron
Me puthje mëngjesore
Nga ëndërra më zgjon
Me dashurinë e jetës
Deshirat m|i kujton
BABAI IM
Pa hamendje asnjë çast
Më uro udhë të mbarë
Butësisht me porositë
Tia kthej dashurinë
Me pesa në ditar
Do që të jem e sjellshme
Qrtim me dasiuri
Të përqafoj librin
Që të ndjej krenari
Në ballin e moshës
Një puthje më dhuron
Me dorën e lehtë
Flokun më ledhaton
Në shtegtimin e jetës
Babai im
Rrugën e fatit më trason
ME FRIKËSON HESHTJA
Dua të jem ai që tanimë
Nuk jam
Figurën time trishtuese
As në pasqyrë më nuk e njoh
Mallkimin tim
Ku mbeten lotët
Nga syri im i heshtur
Kam frikë
As vetja ime sme do
Aq i hershëm ky verbim
Më frikëson heshtja
Brëndia e saj
Më ndihmon të vdes
Jo nuk dua
Dua të jet
Dëshmi e gjallë
Jo pluhur i harresës
PSE
Atdheu im i ngrohtë
Çtu deh tymi e flaka
Pse iu ngjitën malëve
Fëmijë, pleq e plaka
Pse na ndalën rritën
Pse na fikën dritën
A tua
Pse ta patën frikën
Fëmijët me vrap
Ikur matanë
Thërrisnin klithshëm
Bebè e nënë
Në kosovë ndihet vajtimi
Popullin e kapò lëmërimi
Edhe të mos e përjetosh
Trupin ta mbulon trishtimi
Shumë djemë e vajza
Na i vranë në kufi
Me ditë
Me muaj
Mbi ta hanë korbat e zi
Kolona kolona
Sa sheh me sy
A tua o zot
Ku shkojnë
Këta fatzinjë
Por do të kthehemi
Aty aty
Në shkrumb e hi
NË PRITJE
Nënë shkreta qanë
Nënë shkreta pret
Djemtë e saj
Që ia kanë tre
Kërkoj përgjigje
Dua të di
Pse për mua
Nuk ka lumturi
Pres që loti
Thahet
Nuk thahet dot
Të hapura plagët
Edhe sot
Deri kur kështu
O,Zot
VENDI IM
Ti je
Bukuri e rrallë
Qendisur ylber
Malet plot
Mbulesë argjendi
Freski shpirti
Me blerim
Margaritar syri
Ti je
Vendi im
FJALË PLAKU
Vatra mbushur plot
Sofrës përreth
Ushqim burrërie
Fjalë e madhe plaku
Amanet
Patron shtegtar
Rrugëve në kërkim
I uritur
Mllefin shfryej
Amanet
Shushurimë mali
Ulërimë ujqish
Ndal
Patron i trojeve
Jam unë
Kulla me shekuj
OXHAKU PA TYM
Oxhakun
E shoh
Po tymi, ku është
Mbështjellë futë
Në të zezè re
Vaj qyqeje
Mot për mot
Asht i prerë
Gjymtyrë këputur
Vatër dikur
Djepat plot
PRITJA
Heshtja
Gur fundosur
Plagë e hapur
Në ballin e rrudhosur
Portret
Që vetëm unë e njo
Shpresa për ardhurimin
Të birin e zemrës
U bi lot
Nuk me lajmërohet
As sot
Ma shtrini një copi letër
Shkruani
E fortë është nëna
Nuk ka dhëmbje
Veç mallit
Për ledhatimin tënd
E humbur
Rri mbi shkëmb
Botën marr me sy
Kërkoj
Qetësinë e shpirtit
Me kujtimet për ty
Jeta
Më thërret
Të ndryshoj
Në formë
Fytyrën
Unë në parafytyrim
Djalin
Përqafoj mëshirën
PRANVERA
Vështroj
Në dritare
Shtrirje anëmbanë
Shijoj erën e luleve
Që sapo kanë dal
Zogjtë këndojnë
Kudo dagjohen fëmijët
Sa gëzim
Ngado lumturi
Dielli lëshon rreze
Era kundërmon
Një fllad i lehtë
Flokun si gjethin
Me ledhaton
Marrë nga www.librishqip.com
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply