Ergys Kaçe – Dëmtimi i mesfushorit ka alarmuar përfaqësuesen duke parë se 19-vjeçari ishte lojtari më i mirë në fushë ndaj Sllovenisë
Ervin Bulku – Mesfushori 32 vjeçar, bashkë me sulmuesin Edgar Çani, pritet të jenë dy të sakrifikuarit e radhës për ndeshjen kundër Islandës
Grupi E – Mediat ndërkombëtare e cilësojnë si “grupin e vdekjes” të eliminatoreve, pasi janë 5 skuadra në lojë për kualifikimin
Një organizator me 4-5-1 apo dy sulmues me 4-4-2? De Biazi, i pavendosur deri në fund
Ermal Kuka
Për Xhani De Biazin, këto janë ditët e vendimeve të mëdha. Humbja përballë Sllovenisë nxori përsëri në skenë kritikat ndaj mënyrës së lojës së teknikut italian, sidomos për sa i përket rreshtimit në fushë me lojtarë që duken qartë se nuk janë në formën e tyre më të mirë. Ndaj De Biazi tashmë duhet të vendosë nëse do të lërë fatin e Shqipërisë përsëri në dorën e atyre që për këto eliminatore kanë qenë ndër lojtarët më të besuar të tij, apo të hedhë në fushë një formacion ku nuk shihen realisht emrat.
Çështja e mbrojtësit të majtë pritet të zgjidhet me sakrificën e Lilës në këtë pozicion dhe aktivizimit të Dallkut nga minuta e parë në të djathtë. Edhe pse fillimisht mendohej se vendin e Agollit mund ta mbulonte Curri, që në të kaluarën ka luajtur në një pozicion të tillë, apo edhe Arapi që është një mbrojtës i majtë i mirëfilltë, De Biazi nuk dëshiron që të bëjë shumë eksperimente në një moment kaq vendimtar, ndaj i ka besuar zgjidhjes që për momentin duket më e sigurt.
Por pjesa tjetër e formacionit është një rebus i mirëfilltë edhe për vetë De Biazin. Trajneri italian është i dyzuar mes rreshtimeve të ndryshme, atë 4-5-1 dhe atë 4-4-2, si dhe emrave që do të zbresin në fushë. Në të dyja rastet, ndryshimet dhe sakrificat e nevojshme do të jenë të dhimbshme, ndoshta edhe jo shumë popullore. Sido që të riorganizohet mesfusha, zëvendëskapiteni Bulku duket se do t’i shtohet listës së “veteranëve” që tani ngrohin stolin e rezervave në përfaqësuese. Me Bashën dhe Kaçen që duken për momentin të paprekshëm në formacion, De Biazi do të sakrifikojë pikërisht futbollistin 32-vjeçar.
Nga ky moment lind edhe dilema e aktivizimit të një mesfushori me tipare më ofensive në vendin e tij, apo të një sulmuesi të mirëfilltë. Është i pakundërshtueshëm fakti se që nga momenti kur Salihi hyri në fushë përkrah Çanit, në rreshtimin 4-4-2, Shqipëria dhuroi një lojë më ofensive ndaj Sllovenisë. Por trajneri italian fillimisht nuk dëshiron të kthehet në shtëpi me dy humbje, ndërsa si objektiv “dytësor” ka atë të sigurimit të një fitoreje. Ndaj për momentin ai po mendon të aktivizojë Salihin në vend të Çanit, duke preferuar më shumë të hedhë në fushë një mesfushor me orientim më ofensiv, në mënyrë që të mos zhbilancojë shumë para skuadrën edhe pse në stërvitjen e djeshme ka provuar skemën 4-4-2. Gjasula dhe Vila janë për momentin në balotazh për një vend në formacion, me të dytin që gëzon besimin e trajnerit italian dhe po kalon një formë mjaft të mirë edhe në kampionatin grek. Gjithsesi, vazhdon të qëndrojë në fuqi edhe hipoteza e aktivizimit të Abrashit si shkatërrues përkrah Bashës, duke parë lëvizshmërinë e Kaçes që ishte ndër futbollistët më aktivë në fushën e lojës ndaj Sllovenisë.
Ndryshe nga ajo që ka ndodhur më parë, ku formacioni i De Biazit ishte më i lexueshëm që disa ditë para ndeshjes, këtë radhë trajneri italian ka vendosur të jetë më i rezervuar. “Dyshimet në formacion i zgjidhin gjithmonë detaje shumë të vogla”, është fraza që De Biazi përdor shpesh para gazetarëve. Këtë radhë, italiani po tregohet shumë më i kujdesshëm, pasi një detaj shumë i vogël mund të bëjë ndryshimin mes Botërorit 2014 dhe “edicionit dinjitoz”, me të cilin tifozët shqiptarë dhe punëdhënësit e tij nuk kënaqen më.
Gazeta Shqip
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply