
GJAKMARRJA PLAGE E RENDE E SHOQERISE SHQIPTARE QE LE PAS SHUME FEMIJE JETIME
KONGRESI I KATËRT I MISIONARËVE TË PAJTIMIT
Tiranë më 04 shtator, 2013
Fjala e zotit Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.
I nderuar zoti Kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar!
Të nderuar ambasadorë të Paqes, misionarë të pajtimit, prijës dhe përfaqësues të familjeve fisnike Shqiptare, dhe ju të persekutuar politikë, që ishit të parët që krijuat misionin e Pajtimit Mbarëkombëtar duke u ngritur mbi dhimbjen e sakrificat e familjeve e të afërmëve tuaj për të harruar, falur e shikuar përpara drejt lumturisë, drejt paqes e vëllazërimit që meritojnë fëmijët e pasardhësit tuaj, drejt lumturisë e përparimit të të gjithë shqiptarëve, pa hakmarrje, pa urrejtje e pa ndasi.
Ju përshëndes në emër të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, si dhe në emër të mbarë jetimëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, të gjithë ata që punojnë për të mirën e Shqiptarëve, sa herë që mblidhemi së bashku për punë të mira në shërbim të njëri tjetrit.
Humanistja, misionarja dhe deputetja e Republikës së Kosovës, Flora Borovina dhe shumë nëna e gra kosovare, më kanë porositur t’ju përcjell sonte në këtë kuvend të besës, përkushtimit dhe mençurisë shqiptare, përshëndetjen e tyre të veçantë për punën e madhe që keni bërë dhe bëni, që në Shqipëri e Kosovë të ketë sa më pak drama njerëzore, sa më pak dhembje dhe vatra familjare të zbrazura që lënë pas fëmijë jetimë, sepse kështu kujtojmë e ndihmojmë njëri – tjetrin, kështu do të kujtojmë dhimbjet e vuajtjet që ka kaluar Kosova martire për të mposhtur të keqen e madhe që shpesh herë na zë rrugë e na pengon të ecim përpara.
Sot, në këtë kongres dhe Kuvend të madh burrash, jemi mbledhur së bashku për një të drejtë të madhe, sa njerëzore aq edhe sublime; për të drejtën e pazëvendësueshme që e ka bekuar Zoti, për të drejtën e jetës.
Në ditët e sotme, të drejtat e njeriut kanë nevojë më shumë se kurrë për t’u respektuar. Ato i përkasin secilit prej nesh dhe për këtë, duhet që të kapemi pas thelbit të çështjes, të kapemi tek nevoja e domosdoshme për solidaritet.
Ata që janë më nevojtarë, e dinë se sa e çmueshme është kjo fjalë, veçanërisht kur flasim për jetimët dhe të ngujuarit nga gjakmarrja, dy nga dhimbjet më të mëdha njerëzore që i ka shoqëruar dhe i mundon ndër shekuj shqiptarët.
Them se këto janë dy dhimbjet më të mëdha, sepse vrasjet në Shqipëri kanë lënë fëmijë jetimë më shumë se në çdo hapësirë a truall tjetër të kombeve të europës e më gjerë.
Pikërisht, për të kontribuar sadopak në shëndoshjen e kësaj fryme solidariteti, për t`i dhënë një përmasë mbarëkombëtare humanizmit që kemi nevojë, personalisht dhe jo vetëm, kam mbështetur në çdo çast punën tuaj humane dhe tepër fisnike, që sjell më shumë se çdo institucion tjetër shtetëror, duke i dhënë njeriut lumturinë e pamatë, lirinë dhe sigurinë për jetën, atëherë kur asnjë forcë tjetër mbi dhe, nuk mund t’ia japë ashtu siç dini ta jepni vetëm ju.
Çdokush që mbetet jetim dhe i privuar nga jeta, nga liria, i vetmuar apo i kërcënuar nga gjakmarrja, e kupton fare mirë, sa vlerë ka puna juaj, se si duhet që njerëzit të jenë të bashkuar rreth jush e kundër të keqes, kundër çdo plage që lind mbi trupin e shoqërisë.
Mbi të gjitha, ne duhet të jemi solidarë kur nuk na kuptojnë në punën tonë të përbashkët, aq më keq akoma, kur shohin me skepticizëm dhe shpërfillje energjitë pozitive dhe sakrificat tona sublime.
Sigurisht, në këto raste, e vetmja rrugë mbetet që të keqen që na pengon, duhet ta injorojmë dhe ta përbuzim, duke mos pranuar në radhët tona individë pa integritet, pa aspirata dhe vlera morale, që vijnë në mes nesh për qëllime utilitare, sepse sjellja dhe qëllimet keqdashëse të tyre synojnë të minojnë misonin tonë të përbashkët dhe prishin imazhin e secilit prej nesh, të ndërtuar me kaq sakrifica e mundime të mëdha.
Edhe njerëzve, të cilëve nuk kemi mundur t’ua realizojmë nevojat, duhet t’i bindim që të mos humbasin shpresën.
Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, ka pasur nderin të bashkëpunojë që në ditët e para të krijimit të tij, me Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar.
Kemi asistuar në shumë programe, evenimente dhe takimet tuaja kombëtare por, edhe në takimet që keni bërë dhe bëni nëpër rrethe me familjet në hasmëri, sepse jemi të interesuar vazhdimisht se si mund të ndihmojmë jetimët e gjakmarrjes.
Ky institut, e pa të nevojshme që në këtë kongres të jemi në bashkëpunim institucional dhe me gjithë zemër me ju, sepse ashtu si edhe ju, jetimët e Shqipërisë janë e do të jenë misionarë deri në vdekje të pajtimit e parandalimit të vrasjeve, sepse jeta e jetimit është jeta më tragjike njerëzore, e si e tillë, ajo e bën çdo jetim të hidhet në zjarr e të sakrifikojë gjithçka nga vetja për ata që vuajnë mungesën e lirisë, mungesën e prindit që i është vrarë, apo të sigurisë për jetën kur prindin e ka në burg.
Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë do të jetë gjithmonë bashkë në një front me ju, në çdo betejë e përpjekje me Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar, kundër kësaj plage të madhe të trashëguar ndër breza.
Puna jonë ka qenë e do të jetë kurdoherë voluntariste, humane, me shpirt sakrifice e solidariteti edhe pa mbështetjen e donatorëve e projekteve që shpesh herë në forma okulte, ju adresohen në mënyra të gabuara organizatave fantazëm që drejtohen nga individë inferior dhe pa integritet moral, të cilët, me sjelljen dhe rolin e tyre destruktiv e kanë thelluar edhe më shumë hendekun e gropës së zezë sociale, duke kriminalizuar familjet shqiptare dhe mbarë shoqërinë.
Kështu kemi qenë e do mbetemi më të sigurtë në realizimin e programeve tona. Më mirë se kushdo, ju e dini se çdo të thotë punë e ndershme, pa bujë e me përulje, duke dhënë e sakrifikuar për të mirën e shoqërisë.
Padyshim, në mjedisin tonë shoqëror dhe atë politik, ka dhe nga ata nihilistë, të cilët, në verbërinë e tyre dashakeqëse, priren të mohojnë gjithçka dhe nuk duan të shohin rezultatet dhe frytet e punës tuaj konkrete.
Aq më keq akoma, në mes tyre, ka edhe intrigantë që ngrejnë kurthe apo ndërtojnë skenare ogurzi për të përbaltur e minuar punën tuaj madhështore dhe të ndershme, por megjithatë, nuk kanë mundur dhe nuk do të mundin asnjëherë t’ia arrijnë qëllimeve të tyre të mbrapshta, sepse në drejtimin e kësaj pune të pastër, ju keni një forum drejtues tashmë me përvojë dhe të papërkulur, për ta mbrojtur deri në vdekje nderin e punës së misionarëve të pajtimit, traditën e mirë dhe të shkëqyer të bashkëjetesës dhe të humanizmit që na ka karakterizuar në shekuj si komb.
Jetë të gjatë paçi për të mirën e shoqërisë. Suksese të mëtejshme në përpjekjet tuaja, në shërbim të paqes e dashurisë midis njerëzve të kësaj bote.
Falemnderit!
Tiranë, më 04.Shtator.2013















Marre nga Facebook
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply