Pogradec/Një konflikt i mbartur për divorcin me gruan e tij e ka çuar një 25 vjeçar nga Pogradeci në një krim të dyfishtë. Krimi në familje ka tronditur ditën e djeshme qytetin e Pogradecit. Sipas policisë së Pogradecit një 25-vjeçar rom ka bërë vrasje të dyfishtë në gjendje të dehur, duke i marrë jetën vëllait të tij dhe pak minuta më pas gjyshit të gruas me të cilën ishte në proces divorci. Pikërisht sherret në familjet rome dhe ndarja e pritshme e kurorës, dyshohen se kanë qenë motivi i ngjarjes tronditëse që ndodhi pasdite në lagjen nr. 1 të qytetit liqenor. Policia ndaloi të dyshuarin Romeo Myrtezai dhe sekuestroi armën e krimit, një automatik “Kallashnikov”.
Vrasja e dyfishtë
Por më e çuditshme ka qenë skena e krimit, pasi policia ka menduar se viktima ishte vetëm një, pikërisht 65-vjeçari Fatmir Muhaxhiri, por gjatë kontrollit të banesës të të dyshuarit, kanë gjetur të ekzekutuar edhe trupin e Dritan Myrtezai, 38 vjeç, vëllai i të dyshuarit. Policia po verifikon rrethanat, nëse pas kthimit në banesë 25-vjeçari ka vrarë dhe të vëllanë, apo më parë, ndërkohë që nga dëshmitë e të afërmve dhe familjeve përkatëse, mësohet se prej disa muajsh krushqit ishin në konflikte të forta familjare. Romeo Myrtezai, anëtar i komunitetit rom, kishte mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij. Mësohet se çifti ishte dhe në proces divorci, ku gruaja po bëhej gati për t’u martuar me një tjetër person. Kaq ka mjaftuar që sipas policisë, tensionet mes familjeve të rriten ndjeshëm dhe të përfundojnë në krim. Por e paqartë është arsyeja pse Romeo ka vrarë edhe të vëllanë, ndaj pritet që grupi hetimor të zbardhë plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes. Dëshmitarët i thanë grupit hetimor se rreth orës 16:30 të pasdites së djeshme, Romeo ka pasur një debat të ashpër me Fatmir Muhaxhirin. I moshuari është dhe gjyshi i gruas së 25-vjeçarit.
Debati për divorcin
Pas debatit, Romeo ka hyrë në shtëpi dhe ka marrë armën automatike, duke dalë për të vrarë Muhaxhirin. Dhe me një breshëri të automatikut e ka lënë të vdekur në vend dhe është kthyer me vrap për në banesë. Banorët thanë se dëgjuan disa të shtëna armë të shkëputura nga njëra-tjetra. Policia tha se ndaloi të dyshuarin vetëm pak minuta pas krismave dhe se u njoftua për vrasjen e një personi. Por kontrolli i banesës së familjes Myrtezai, në një bllok pallatesh ku jetojnë familje rome, u gjet në një nga dhomat edhe trupi i tejshpuar nga plumbat i Dritan Myrtezait. Ekspertiza balistike do zbardhë nëse arma e krimit është e njëjtë, megjithëse 25-vjeçari pranoi krimin e kryer në gjendje të dehur nga alkooli.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply