
Në fokus të konferencës që mbahet më 26 shtator në Bernë është angazhimi i Zvicrës, partnerëve evropianë, dhe diasporës për zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në Ballkan
Zhvillimi i energjive të ripërtërishme në Ballkan është një temë që po fiton gjithnjë më tepër në aktualitet, me ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e ambientit nga rreziqet që sjellin me vete mënyrat konvencionale të përfitimit të energjisë. Tema në fjalë do të trajtohet edhe në konferencën që më 26 shtator organizon albinfo.ch me mbështetjen e SECO-s (Sekretariati Shtetëror për Ekonomi i Zvicrës).
Hyrjen në temë dhe prezantimin do ta bëjë Nderim Salihi ndërsa kryetarja e kuvendit të albinfo.ch Sarah Grettler dhe nënkryetari Leonard Bender do të bëjnë hapjen e konferencës.
Në fokus të konferencës është angazhimi i Zvicrës, partnerëve evropianë, dhe diasporës për zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në Ballkan. Qëllimet e këtij organizimi janë angazhimi për zhvillim të debatit lidhur me energjinë e ripërtërishme me aktorë privatë dhe publikë nga Zvicra dhe nga regjioni i Ballkanit. Mobilizimi i diasporave për të forcuar ndikimin e tyre në zhvillimin e qëndrueshëm në regjion dhe shqyrtimi i strategjive që do të shfrytëzohen në të ardhmen për mbështetjen e projekteve energjetike, janë po ashtu në fokus të këtij aktiviteti.
Në konferencë pritet të marrin pjesë përfaqësues të agjencive shtetërore, të OJQ-ve të angazhuara në zhvillimin ekonomik të Ballkanit, përfshirë këtu edhe inxhinierë, afaristë dhe kompani nga diaspora, me synim kërkimin e mundësive të reja për zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në Evropën Juglindore. Aktiviteti synon të japë përgjigje rreth asaj se çfarë mund të bëhet për të promovuar energjinë e ripërtërishme në regjion, duke u mbështetur në shembuj konkretë, thuhet në një njoftim të organizatorëve.
“Qëllim i konferencës nuk është shprehja e kritikave ndaj gërmimeve aktuale të thëngjillit që shfrytëzohen për përfitimin e energjisë elektrike e as përçmimi i politikave lokale, por të tregojë se është e mundur të veprohet në disa nivele, me qëllim rritjen e efikasitetit në prodhimin e energjisë”, vazhdon më tutje teksti i prezantimit.
Konferenca, me pjesëmarrjen e personaliteteve kyçe, synon të shqyrtojë mënyrat dhe rrugët që duhet ndjekur në afat të mesëm dhe të gjatë, por edhe diskutimin e zgjidhjeve që kërkohen për të inkurajuar dhe lehtësuar zhvillimin e energjive të ripërtërishme.
Në konferencë do të marrin pjesë, në panele të ndryshme, ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues institucionesh nga Zvicra dhe Ballkani. Kështu, në panelin me temën “Ripërtëritja dhe efikasiteti i energjisë në Ballkan” do të referojnë Dominic Hereth, këshilltar dhe Carrie Walzack, zyrtar i lartë në Green for Growth Fund Southeast Europe. Në panelin e radhës, me temën “Know-how zviceran për zhvillimin e Ballkanit” do të referojnë përfaqësues nga fusha e hidrocentraleve si Dieter Müller dhe Mathias Regli, pastaj Kunik de Morsier, Guilaume de Morsier dhe Valentin Kunik, arkitektë.
Në panelin për “Angazhimin e diasporës për zhvillim të qëndrueshëm” do të paraqiten Rexhep Gashi nga Albanian Engineering of Switzerland (Asociacioni i inxhinierëve shqiptarë në Zvicër) dhe Mustafë Lufaj, që do të prezantojë ngritjen e një hidrocentrali të vogël në Deçan.
Ndërsa në tryezën e rrumbullakët, përmbyllëse të kësaj konference do të bëhet këmbimi i këndvështrimeve për zhvillimin e qëndrueshëm të Ballkanit dhe do të shqyrtohet kontributi nga diaspora në këtë drejtim. Këtë tryezë e prezanton Bashkim Iseni, drejtor i Albinfo.ch ndërsa e moderon Roland Meige, gazetar. Pjesëmarrës janë kryebashkiaku i Zagrebit, Milan Bandic, Guy Bonvin, përgjegjës për financimin e infrastrukturës në SECO, ministri i zhvillimit ekonomik i Kosovës, Fadil Ismajli, pastaj Dominic Hereth, këshilltar për investime në Green for Growth Fund, Southeast Europe dhe Geri Müller, deputet nacional nga Partia e Gjelbër kryetar i qytetit Baden.
Konferenca për zhvillimin e energjive të ripërtërishme në Ballkan mbahet më 26 shtator në “Sorel Hotel Ador” në Bernë, me fillim në orën 13 dhe përfundim në orën 20. Punimet zhvillohen në gjuhën angleze dhe gjermane, me përkthim simuluan të ndërsjellë.
Albino.ch
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply