Armand Mero
Presidenti Bujar Nishani u përfshi sot në polemikat që nxiti vendimi i qeverisë aktuale të kryeministrit Sali Berisha për dhënien në përdorim në favor të partisë demokratike të godinës së Shtëpisë qendrore të Ushtrisë në qendër të Tiranës dhe dekreti i tij në mbështetje të këtij kalimi. Pas njoftimeve të publikuara fillimisht në media se në truallin ku sot gjendet selia aktuale e partisë demokratike, kishte pjesë në pronësi edhe bashkëshortja e presidentit, disa deputetë socialistë akuzuan kreun e shtetit për konflikt të hapur interesi. Por përmes një deklarate publike presidenca foli sot për “akuza të paqena”, dhe “shpifje që hidhen poshtë me përbuzje” duke deklaruar se familja e bashkëshortes së Presidentit nuk ka lidhje pronësie mbi truallin e godinës në fjalë.
Deklarata vazhdon më tej me tone të ashpra ku flitet për “një akt të turpshëm shpifjeje dhe sulm të rëndë antikushtetues me ngjyrim të qartë politiko-propagandistik, që synon të terrorizojë psikologjikisht familjen e Presidentit të Republikës dhe të ndalë ushtrimin e funksioneve kushtetuese nga ana e Kreut të Shtetit”, nënvizon reagimi i presidencës, ku i kërkohet “Prokurorit të Përgjithshëm të nisë procedurën e hetimit penal ndaj këtij shantazhi që po i bëhet Kreut të Shtetit shqiptar”.
Marrëdhëniet mes presidentit Nishani dhe socialistëve të drejtuar nga zoti Rama kanë qenë mjaft të ftohta. Edhe me parë ai është akuzuar zyrtarisht nga të majtët për qëndrime haptazi sipas tyre në favor të së djathtës e cila e zgjodhi atë në postin më të lartë të vendit. Pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit kryeministri i ardhshëm Edi Rama pati një takim me zotin Nishani duke nënvizuar se është i gatshëm për një bashkëpunim institucional dhe se nuk dëshiron të hapë një betejë politike mes institucioneve.
Kjo është hera e parë që presidenti Nishani përfshihet në polemika direkte. Sipas të majtëve që presin të marrin në dorë frenat e pushtetit në gjysmën e parë të shtatorit, dekreti i zotit Nishani është në shkelje të ligjit, pasi, sipas korrespondencës zyrtare të publikuar në shtyp, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Xhemal Gjunkshi ka refuzuar të firmosë aktin për nxjerrjen e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë nga inventari i forcave të armatosura. Presidenti nuk ka dhënë asnjë sqarim lidhur me këtë fakt, ndërsa dekreti i firmosur prej tij nuk është publikuar ende në faqen e presidencës, sikunder dekretet e tjera.
Vendimi solli protesta të ish ushtarakëve, ndërsa kryeministri i ardhshëm Edi Rama foli për një akt të turpshëm dhe grabitje të kundraligjshme. Më herët edhe ministrja e ardhshme e Mbrojtjes Mimi Kodheli kishte deklaruar se vendimi do të rrëzohet duke qenë se nuk është firmosur nga shefi i Shtabit të përgjithshëm.
Zeri i Amerikes
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply