Ata thonë se kultivimi i narkotikëve në Shqipëri shtohet sapo ulet forca vepruese e shtetit.
Ilirian Agolli
Përfaqësues të mediave shqiptare pohojnë se nuk janë aspak të befasuar nga gjetjet e studimit të policisë italiane mbi kultivimin e bimëve narkotike në Lazarat të Gjirokastrës. Ata thonë se kultivimi i narkotikëve në Shqipëri shtohet sapo ulet forca vepruese e shtetit. Sipas tyre, kultivuesit kanë krijuar edhe një treg të gjerë brenda vendit.
Policia italiane u dorëzoi dje forcave shqiptare të rendit publik të dhënat e një studimi, sipas të cilit në komunën e Lazaratit, 1 kilometër nga Gjirokastra dhe gjysmë kilometri nga autostrada kombëtare gjenden 304 plantacione të mbjella me bimë narkotike, që po proshojnë 900 ton marihuana në vit me një vlerë 4.5 miliardë euro në tregun europian të kriminalitetit.
Përfundimet e studimit të ekspertëve italianë u përgënjeshtrua menjëherë nga zyrtarë vendorë të Lazaratit, të cilët bashkëjetojnë atje me gjithë këtë veprimtari të paligjshme, ndërsa përfaqësues të televizioneve shqiptare pohuan se vëzhgimi i italianëve është një pasqyrë e zakonshme e realitetit kriminal në jug të vendit.
Një nga drejtuesit e redaksisë së lajmeve në televizionin Top Channel, Mentor Kikia, thotë se “situata kriminale në Lazarat është në raport të zhdrejtë me forcën e shtetit; sapo dobësohet shteti, atje shtohet kultivimi i bimëve narkotike dhe anasjelltas”.
Plantacionet e mbjella me bimën canabis sativa u filmuan për dy muaj pranë Gjirokastrës, Vlorës, Tiranës, Durrësit dhe Shkodrës nga avionë të specializuar të Guardia të Financia-s italiane dhe u përfundimet u publikuan në një konferencë të përbashkët me drejtues të policisë shqiptare. Sipas gazetarit të njohur të antikrimit në Shqipëri Artan Hoxha në Televizionin News 24, “ky gjest i rrallë transparence tregon se policia italiane është mërzitur nga fshehja shumëvjeçare e këtij realiteti, përballë të cilit kanë dështuar për afro 8 vjet 3 ministrat e brendshëm të Partisë Demokratike, Olldashi, Nishani e Basha”.
Sipas policisë italiane, Lazarati ka aktualisht 319 hektarë toka të mbjella me bimë narkotike, me një vlerë rreth 4.5 miliardë euro, ose sa gjysma e GDP së Shqipërisë. Sateliti dhe avionët vëzhguan 3618 km katrorë, ku prodhohen 4.5 ton produkt përfundimtar bimë narkotike e presuar.
Sipërfaqet e vogla larg zonave të banimit dhe kryesisht në zona malore nxjerrin të gjitha së bashku fitime të jashtëzakonshme për qarqet e botës së krimit, të cilët disa nuk janë vendas dhe disa janë larguar në zona të tjera. Policia ka arrestuar vetëm 23 prej tyre ndërsa 10 vetë janë të shpallur në kërkim. Një vit më parë kultivuesit e bimëve narkotike kundërshtuan me armë aksionet e policisë për të shkatërruar plantacionet e tyre, ndërsa 8 vjet më parë ata qëlluan me mitroloz dhe automatikë helikopterët e policisë që fluturonin mbi Lazarat për të bërë studime si ky i sotmi.
Zeri i Amerikes
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply