Protesta është mjeti i trupave të ndërmjetëm. Sindikatave, shoqatave, studentëve, grupeve qytetare, atyre që preken drejtpërdrejt nga një vendim dhe dalin ta kundërshtojnë.
Partia politike vjen pas tyre. Jo para. Ajo e merr kërkesën e rrugës dhe e çon atje ku rruga nuk shkon dot, në institucione, në parlament, në kancelaritë e huaja, në ligj.
E para prodhon trysninë. E dyta e kthen atë në pasojë.
Në Shqipëri kjo nuk ka funksionuar kurrë, sepse trupat e ndërmjetëm ose nuk ekzistonin, ose ishin të kapur.
Ndaj Partia Demokratike bëri atë që bëri. Doli vetë në rrugë, për vite me radhë, dhe mbajti mbi shpinë një peshë që nuk ishte e saj.
E bëmë sepse nuk e bënte askush tjetër. Dhe duke e bërë, ngelëm deri diku atje.
Tani ka ndodhur diçka që e shpresonim por nuk e prisnim më.
Një pjesë e trupave të ndërmjetëm u zgjuan.
Gati 170 ditë protestë. Nga njerëz nga më të ndryshëm.
Kjo është një fitore e madhe, e jona sa është e tyrja, edhe nëse ata nuk duan ta dëgjojnë.
Por mirënjohja, në këtë rast, as nuk do të vijë dhe as nuk është e nevojshme.
Rruga, që ta shprehë mllefin e saj të plotë, duhet të jetë irracionale. Protestuesi është, për nga natyra e tij, një njeri i zemëruar, i bindur se është i pastër.
Debati i arsyeshëm me rrugën, në terrenin e rrugës, është i pamundur. Dhe nuk duhet kërkuar.
Beteja e tij nuk duhet kundërshtuar. Duhet zmadhuar, dhe duhet plotësuar me atë që dinë të bëjnë partitë politike.
Kjo protestë, në çdo sekondë të sajën që vazhdon, vërteton tezat e Partisë Demokratike, se në Shqipëri ekziston një autokraci ku liria nuk është veçse një ndjenjë e hollë e pambështetur në fakte.
170 ditë protestë. Me paqe apo me dhunë, me këngë apo me fjalime, me shpresë e me dëshirë.
Asnjë lëshim nga autokrati. Asnjë i vetëm.
Përpos konfirmimit të tezave, protesta na jep edhe frymëmarrje, duke na lehtësuar nga një peshë që në zanafillë nuk ishte e jona.
Na jep kohë për t’u marrë me veten. Me ripërtëritjen që sapo ka nisur. Me burimet njerëzore. Me kontrollin e punës dhe me promovimin e saj. Me gjithçka që një parti duhet të bëjë dhe që ne nuk e kemi bërë dot, sepse ishim gjithmonë në shesh.
Nuk do t’i kënaqim dot ata që na fishkëllejnë. As megafonët e regjimit.
Por mund ta përdorim këtë ndryshim ritmi për t’u kthyer në rolin tonë natyror, në mbështetje dhe në zmadhim të kauzave qytetare, duke përgatitur qeverisjen që duhet doemos t’i pasojë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply