Deklarata e Vuçiçit për mundësinë e devijimit të lumit Ibër, përpara se ai të hyjë në territorin e Kosovës, mua nuk më duket demonstrim force. Përkundrazi, më duket shprehje e pafuqisë së Serbisë, pasi tregon qartë se politika e Vuçiç nuk po arrin të ndryshojë realitetin politik të Kosovës, ndaj kërkon të kërcënojë gjeografinë e saj.
Ndryshe nga lumejtë e zakonshëm, Ibri nuk është thjesht i tillë për Kosovën. Ai lidhet drejtpërdrejt me furnizimin me ujë e energji dhe rrjedhimisht është çështje kyçe e ekonomisë dhe sigurisë së Kosovës. Prandaj edhe hedhja në diskutim e devijimit të tij nuk mund të lexohet thjesht si ide hidroteknike e “ing”. Vuçiç. Në nëntor 2024, kanali Ibër–Lepenc, një prej arterieve të infrastrukturës kritike të Kosovës u godit me eksploziv, por vendi nuk u paralizua pasi institucionet reaguan dhe funksionimi i sistemit u rikthye shpejt. Ndryshe nga atëherë, sulmi ndaj Ujmanit sot nuk vjen nga dy minuesit e kanalit (agjentë të shërbimit të fshehtë serb), por nga kreu i këtij vendi armik. Sot gjuha ka ndryshuar: nga goditja e kanalit te diskutimi për devijimin e lumit. Për mua, kjo është vazhdimësi e një zelli të vjetër serb për ta penguar Kosovën, tashmë në kushtet kur Beogradi e ka gjithnjë e më të pamundur t’i imponojë Prishtinës politikën e vet të ditës.
Këtu e kështu po shfaqet edhe trashëgimia e nacionalizmit millosheviçian në politikën e Vuçiçit. Kosova vazhdon të mbahet si plagë e hapur në ndërgjegjen politike serbe: sa herë politika e brendshme në Serbi ka nevojë për mobilizim, rikthehet miti, kërcënimi dhe retorika e humbjes kombëtare. Prandaj kam dyshimin se Vuçiçit nuk i duhet domosdoshmërisht ta devijojë Ibrin. Atij i duhet patjetër dhe i mjafton të devijojë vëmendjen e serbëve. Një projekt që mund të jetë jashtëzakonisht i ndërlikuar për t’u realizuar është shumë i dobishëm për t’u propaganduar. Për nacionalizmin nuk është gjithmonë e rëndësishme që premtimi të realizohet; mjafton që ai të ushqejë emocionin.
Përtej Serbisë, deklarata e Vuçiç me ose pa dashje hedh njëkohësisht edhe një “kockë” politike në Tiranë.
Edi Rama, i vënë nën një presion shumëplanësh të politikës së brendshme, mezi ka pritur një mundësi të tillë për t’u shfaqur përsëri në rolin e tij të preferuar: atë të “liderit global”, “arbitrit të Ballkanit” apo të “babait të kombit”.
Vuçiç hodhi provokimin dhe pasi ia shkeli syrin mikut të tij në Tiranë, Rama mori mikrofonin dhe bëri deklaratën hileqare se Serbia e ka humbur Kosovën, se burimet natyrore të Kosovës nuk janë të Serbisë dhe se lumenjtë nuk mund të trajtohen sipas folklorit politik. Në përmbajtje, mbrojtja e sovranitetit dhe interesave të Kosovës është sigurisht qëndrim që duhet përshëndetur, por lind pyetja: Përse politika kombëtare duhet të aktivizohet me kaq bujë vetëm atëherë kur Vuçiçi i jep Ramës “kockën” politike të programuar (me shumë mundësi nga padroni i tyre i përbashkët).
Shqipëria nuk duhet të jetë me Kosovën vetëm në ditët kur një deklaratë nacionaliste nga Beogradi krijon mundësinë për një deklaratë pseudopatriotike në Tiranë. Mbështetja ndaj Kosovës duhet të jetë politikë shtetërore konstante, jo episod protagonizmi personal.
Dhe këtu mendoj se kjo deklaratë prodhoi ushqimin politik dypalësh: Vuçiç
u thotë serbëve: “Ne nuk kemi hequr dorë nga Kosova”, ndërsa ky tjetri paraqitet si patriot i madh pasi i thotë nxënësit të Millosheviçit “Serbia e ka humbur Kosovën.” Kështu njëri shfaqet si mbrojtësi i interesit kombëtar serb, e tjetri si “baba” i interesit kombëtar shqiptar, ndërsa Kosova shpërfill me neveri nacionalizmin elektoral të Beogradit dhe paternalizmin politik fallco të Tiranës.
Fatmirësisht Kosova është shtet. Ajo ka institucionet e veta, qeverinë e vet, interesat e veta strategjike dhe të drejtën për të vendosur vetë për të ardhmen. Kosova nuk është e Vuçiçit për ta pretenduar, por nuk është as e Ramës për t’ia “hequr” Serbisë. Kosova është e qytetarëve të saj, prandaj, në gjithë këtë histori, ndoshta simbolika më domethënëse mbetet vetëm rrjedha e Ibrit. Vuçiçi mund të flasë për devijimin e lumit se kështu mund të ushqejë nacionalizmin serb, mund t’i japë pa apo me dashje edhe Edi Ramës rastin për të prodhuar protagonizmin e radhës në Tiranë, por të dy një gjë e kanë shumë të vështirë për t’a devijuar: RRJEDHËN E HISTORISË.
Halli i vërtetë i politikës serbe sot nuk është drejtimi në të cilin rrjedh Ibri. Problemi është drejtimi në të cilin po ecën Kosova; një drejtim që Beogradi nuk e përcakton kurrë më.
… se Rama nuk besohet tashmë nga askush pavarsisht ndihmës së vazhduar nga “dashnorët” e Ibrit…
A.S. 🇦🇱 11 Gusht 2026
Burimi/Facebook


Leave a Reply