Përpjekjet për të shpërblyer mjekët që punojnë shumë po debatohen nga sektori i kujdesit shëndetësor.
Nga Aleksandar Pavlevski për Southeast European Times në Shkup
Rreth 90 përqind e personelit të qendrave klinike të Shkupit thanë se do të bëjnë grevë kundër planit. [Aleksandar Pavlevski/SETimes]
Një sistem i propozuar pagese për mjekët maqedonas që do të jepte shpërblime për ata që arrijnë një kuotë mujore (dhe shkurtim page për ata që nuk e arrijnë) është përpjekja më e fundit në rajon për të ndryshuar pagat e mjekëve.
Sistemi i pagave të ministrisë së shëndetësisë së Maqedonisë bazuar në punën, u jep mjekëve 20 përqind shpërblim mujor në qoftë se kryejnë një numër të caktuar pacientësh. Ata që nuk e përmbushin kuotën do të kenë pagën të shkurtuar me 20 përqind.
“Koncepti është të fuqizohen më punëtorët dhe të shpërblehen ata dhe të ulen apo ndëshkohen ata që nuk bëjnë punën,” tha për SETimes ministri i shëndetësisë i Maqedonisë, Nikola Todorov.
Disa mjekë kundërshtojnë planin dhe i kanë dhënë ministrisë afat deri në 24 shtator për të tërhequr masën e re.
Dr Dejan Stavrikj, president i Sindikatës së Pavarur, tha se ndryshimet shkelin dispozitat ligjore mbi pagat.
“Puna jonë nuk duhet trajtuar si e dikujt që punon në fabrikë. Ne besojmë se duhet të ketë një pagesë sipas punës dhe shpërblim me para shtesë, [por] jo të ndryshohet paga bazë”, tha Stavrikj për SETimes.
Sipas sindikatës, 90 përqind e personelit në qendrat e klinikave të Shkupit mbështetën një grevë të propozuar në qoftë se kushtet nuk hiqen.
“Pacientët nuk janë numra. Secili ka vështirësinë e tij, historinë e vet. Fyhem në qoftë se një pacient duhet të trajtohet si një numër. Kolegët e mi dhe unë [nuk] kemi të njëjtin numër [pacientësh] sepse ata kanë të gjithë vështirësi të ndryshme”, tha për SETimes Snezhana Georgieva, presidente e bordit në sindikatën e pavarur të qendrës klinike të Shkupit.
Megjithatë, jo të gjithë punonjësit janë kundër propozimit. “Unë mendoj se ky sistem do të nxjerrë në pah me të vërtetë se kush punon nga ata që fshihen pas punëtorëve të zotë”, tha për SETimes Juliana Spasevka, një punonjëse e spitalit publik.
“Është e vërtetë se në spitalet tona ka shumë mjekë që bëjnë mjaft punë, por ka gjithashtu nga ata që bëjnë vazhdimisht pushim. Ka shumë më pak punë në qytetet më të vogla se sa në Shkup. Unë besoj se në qoftë se gjithkush merr një pagë sipas punës, kjo do të kontribuojë në efektshmëri më të madhe të mjekëve. Ata që i shmangen vendit të punës do të marrin normalisht pagë më të vogël”, tha pacienti DS nga Veleshi, i spitalit të qytetit të Shkupit.
Gjendja e pagave të kujdesit shëndetësor është një problem në vendet e tjera në rajon.
Në prill, rreth 10 000 punonjës shëndetësie, anëtarë të sindikatës së mjekëve dhe farmacistëve, bënë një grevë për të protestuar ndaj vendimit të qeverisë serbe për të reduktuar pagat në sektor me 10 përqind.
Mjekët nga 22 spitale dolën në grevë në Beograd, Nish, dhe Kragujevaç. Paga mesatare në sektorin e shëndetësisë në Serbi është 360 euro. Pagat e mjekëve janë midis 585 dhe 630 euro dhe rreth 80 000 punonjës që kanë nivel më të ulët edukimi marrin paga që nisin nga 225 euro.
Në Bullgari, pakënaqësia nga pagat është e lartë midis mjekëve. Në mars, një projekt ndërkombëtar në internet, www.healthgrouper.com, njoftoi rezultatet e një sondazhi midis personelit mjekësor në Bullgari.
Kur u pyetën “Sa jeni të kënaqur me reformat në vazhdim në sektorin e kujdesit shëndetësor dhe sa pasqyrohet kjo në punën tuaj si një mjek?”, më shumë se 87 përqind e të anketuarve thanë se janë të pakënaqur.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply