Komuniteti shqiptar në Montreal ka bërë thirrje për një protestë qytetare në mbrojtje të natyrës dhe pasurive kombëtare të Shqipërisë. Tubimi do të zhvillohet të premten, më 6 qershor, në orën 11:00 paradite, pranë bustit të Nënë Terezës, në zonën e Metro Monk.
Organizatorët theksojnë se protesta synon të sensibilizojë opinionin publik mbi rëndësinë e ruajtjes së bregdetit, zonave të mbrojtura dhe trashëgimisë natyrore shqiptare, duke kundërshtuar projektet që, sipas tyre, rrezikojnë këto pasuri të pazëvendësueshme.
Me moton “Shqipëria nuk është në shitje”, pjesëmarrësit pritet të kërkojnë mbrojtje më të madhe për mjedisin, bregdetin dhe zonat me vlera të veçanta natyrore, duke theksuar se ruajtja e tyre është e lidhur ngushtë me të ardhmen e vendit.
Organizatorët kanë ftuar shqiptarët e Montrealit dhe zonave përreth të marrin pjesë së bashku me familjarët dhe miqtë e tyre, duke sjellë edhe flamurin kombëtar, në shenjë solidariteti dhe angazhimi për çështjet që prekin interesin publik dhe trashëgiminë kombëtare.
Kjo nismë është pjesë e reagimeve dhe aktiviteteve të ndryshme të diasporës shqiptare në mbështetje të mbrojtjes së mjedisit dhe pasurive natyrore të Shqipërisë.
Burimi: Albanian Montreal Press
Burimi/Facebook/Shqiptarët në Kanada/Albanian News


Leave a Reply