Nga Gjon Marku
Bjeshkët e Nemuna lëshojnë gjamë,
Po rënkon thellë toka nanë,
Ç’është kjo gjamë e kjo duhi
Që e ka veshë dhe qiellin në zi?
Bjeshkët e Nemuna po i pyet Shari:
“Ç’hall ka sot, mor Adem Jashari?
E pse po digjet flakë Drenica,
Si nuk shembet krejt Qyqavica?”
Pse po dridhet zemra e tokës?
Pse s’po rri askush rreth votrës?
Pse lëshon gjamë mali i Goleshit,
Kaq të rënda dallgët e rrëbeshit?
Flet i moçmi mal i Carralevës
Qysh në kohë të Ademit e Evës:
“Këtej anëve, moj Gjeravicë,
Fort të zeza e liga ushtritë.”
Nis e flet Maja e Kopaonikut:
“S’din me u ndal tmerri i të ligut,
Besa, janë fort gjamë të rënda,
Me u çuditë yjet e hëna.”
Ofshan Maja e Gjeravicës
Kur sheh dramën e Drenicës;
Zemër shqiponje, zemra e trimit,
Thua është Maja e Lubotenit.
Sot po ndizet flakë vatani,
Ka nis pushkën Adem Jashari;
Kur kërcet e s’ndalet pushka,
E sa ashpër bëhet lufta!
Zogjtë e malit bëjnë sa çudi,
Lufton fort me një ushtri;
E si s’po din me u përul ai burrë
Që lufton për atdhe e flamur?
Nis e i flet sot mali malit,
Siç i flet dhe baba djalit;
Kur përkundet fëmija i djepit,
Eh, medet këto ditë kiametit!
Vjen drejt tyre një gjyle e randë,
Qahet kulla në fund e në majë.
Merr ka plumb në gjoks e ballë
Adem Jashari me të vëllanë;
Edhe gjaku rrjedh përmbi gur,
Gurgullon si uji në lumë.
Kur pranë pragut iu vra baba,
Hedh Kushtrimi veç dy hapa;
Malet përulen, nderojnë fëminë,
Trembëdhjetë vjeç ai ndal ushtrinë.
Ndalen shqipet lart nëpër malet,
O sa të rënda të ranë ty hallet;
Si t’ish hedhur në krah Shabanit,
Të Hamzës a Adem Jasharit.
Trembëdhjetë vjeç por si lis mali,
Për atdhe jetën e fali;
Je në çdo cep të tokës kombëtare,
E në çdo zemër që rreh shqiptare.
Le të kërcas pushka nëpër gurë,
Ti ke nder e vendin në flamur.
Burimi/Facebook


Leave a Reply