Ajo përbën momentin deciziv që përcaktoi rrugën e shkëputjes përfundimtare të shqiptarëve nga diktatura.
Nëse protestat studentore nisën me plot paqartësi, pasiguri, e ndoshta edhe ndërhyrje të vetë regjimit për ta mbajtur lëvizjen nën kontroll, 20 shkurti solli shpërthimin e një vale antikomunizmi, i cili qartësoi përfundimisht pakthyeshmërinë e ndryshimeve të nisura. Ky është momenti ku, lëvizjet transformuese nuk kërkojnë më thjesht pluralitet brenda koniukturës ekzistuese, por rrëzimin e vetë koniukturës. Nuk kemi më thjesht protesta për të fituar disa të drejta, por një revoltë popullore kundër pushtetit. Për herë të parë shqiptarët goditën drejtpërdrejt vetë regjimin, duke shkatërruar shtyllën ku ai mbahej, të personifikuar në figurën e diktatorit.
Gjithçka u bë e mundur falë faktit që grevës së studentëve iu bashkangjit populli i Tiranës, i cili u derdh në shesh duke u përleshur me policinë për të përmbysur, jo thjesht një statujë, por një sistem politik, ekonomik e kulturor që ajo statujë përfaqësonte. Ai moment e bëri regjimin të dorëzohej përfundimisht për ti hapur rrugë së resë. Pamjet e momumentit të diktatorit që shembet përdhe u bënë një goditje e fortë në ndërgjegjen e shqiptarëve, të cilët panë të shkuarën e tyre të shkërmoqej me turp në sytë e gjithë botës.
Sot, i parë në distancë kohore, kujtimi i këtij momenti nuk mund të mos shoqërohet me keqardhje të shumta. Duke parë gjithçka ndodhi më pas, sot e kemi të qartë se ajo çfarë nisi nuk u përmbush plotësisht deri në fund. Rrënojat e atij regjimi u bënë themelet e një rendi të ri që trashëgoi shumë prej të këqijave të së kaluarës, të cilat janë edhe burim i shumë problemeve të sotme.
Gjithçka vjen për shkak se, pas shembjes së tij, nuk u vazhdua me të njëjtën forcë lufta për ç’rrënjosjen e ligësisë që ai instaloi. Krimet nuk u dënuan, dosjet nuk u hapën, të vërtetat nuk u zbardhën mjaftueshëm, ndaj dhe ndërgjegjia e shoqërisë nuk u pastrua plotësisht. Po kështu mentaliteti kolektiv nuk u çlirua dot nga klishetë, botëkuptimet apo skemat e të menduarit totalitar, çfarë pengoi çlirimin mendor prej diktaturës dhe nënvetëdijes totalitare. Për pasojë, kjo është arsyeja pse sot, në thuajse çdo kamp politik kemi nga një enver që betonon kultin e tij në trutë e militantëve në mënyrë atrofizuese dhe të pashlyeshme.
Shumë nga të privilegjuarit dhe bashkëpunëtorët e atij regjimi, vijuan të trashëgojnë privilegjet e tyre në sistemin e ri e për pasojë kapja e shoqërisë, si dhe një mori problemesh të së shkuarës, vijojnë të trashëgohen ende në sistemin demokratik, duke e mbërthyer shoqërinë shqiptare në një tranzicion të stërgjatë prej të cilit e ka të vështirë të dalë.
Megjithatë, 20 shkurti do të mbetet një moment i rëndësishëm në vetëdijen tonë kombëtare, si momenti kur shqiptarët, vranë frikën dhe u ngritën fuqishëm, kundër një regjimi mizor i cili, për gjysëm shekulli i kish lënë në shtypje, mjerim dhe errësirë. Kjo ngjarje është një model frymëzues i fuqisë se revoltës qyterare kundër tiranisë, çfarë i mungon kësaj shoqërie prej 35 vitesh, duke lënë në pushtet një sistem korrupsioni të krijuar nga ish-komunistë dhe bijtë e tyre.
Burimi/Facebook


Leave a Reply