Gazetarja Flora Nikolla po tenton një botim për 100-Vjetorin e Pavarësisë: “Të gjitha historitë e përzgjedhura kanë emërues të përbashkët, dinjitetin njerëzor dhe profesionalizimin” Entela Resuli
Gazetarja Flora Nikolla, është në kulmin e punës. Po qëmton emra shqiptarësh nëpër botë. Thotë se do t’i grupojë ata në një botim me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. “…Ka qenë fillimi i vitit 2012 i cili kurorëzoi këtë ide timen, të cilën e bluaja prej kohësh. Është ideja e transmetimit dhe e prezantimit të historive njerëzore të suksesit për të njerëzve të larguar nga Shqipëria, ndoshta me një ikje të detyruar gjatë këtyre 20 vjetëve. 20 vjet nuk janë pak në historinë e një kombi. Flora ka 24 vjet që merret me gazetarinë dhe pyetjes nëse kjo që po bën “është puna më e rëndësishme në karrierën e saj”, i përgjigjet me buzëqeshje: Kjo pyetje është sikur të të këpusin një gisht dore dhe të thonë se cili të dhemb më shumë… Unë e dua shumë këtë projekt, por nuk mund të harroj dhe punët e tjera para këtij. Dua të falënderoj personat që më kanë ndihmuar dhe kanë bërë një punë të pa lodhur vullnetarisht, Mirton Resuli, Romina Beqiri, Klodi Shehu dhe Xhuli Keko. Meqë më dhatë rasti do dëshiroja të përshëndesja z. Kokëdhima, një nga botuesit e parë dhe të suksesshëm të medias shqiptare pas viteve 90- të me një kontribut të jashtëzakonshëm në konturimin dhe formëzimin e një brezi të tërë gazetarësh”.
Flora, cilët shqiptarë jeni duke shoshitur?
Në radhë të parë, dua të nënvizoj qëllimin kryesor të projektit i cili është prezantimi i historive të vërteta njerëzore të shqiptarëve nëpër botë. Në këtë kuptim në libër do të prezantohen histori të vërteta suksesi të panjohura deri më tash në shtypin në Shqipëri dhe hapësirën mbarëshqiptare. Duket sikur jemi lodhur pak nga sterotipet apo mitizimi që i bëjmë figurave shqiptare në botë. Për fat të mirë, sikundër rezulton edhe nga ky projekt ata janë shumë më shumë se aq. Nuk mund të lija jashtë kësaj ideje edhe shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, pjesë e trungut mëmë, të cilët me shumë përkushtim kanë ditur të krijojnë fizionomi suksesi në vendet ku jetojnë.
Po cilat janë kriteret për përzgjedhjen e personaliteteve?
Kriteri thelbësor i përzgjedhjes së këtyre personazheve është kriteri njerëzor, kriteri i suksesit, i dinjitetit dhe personalitetit profesional. Të gjitha historitë e përzgjedhura kanë emërues të përbashkët, dinjitetin njerëzor, profesionalizimin, janë njerëz që ndërtuan një jetë të re nga fillimi në tokë të huaj, pa njohur kërkënd, pa qenë kërkushi. Ka personazhe që kanë ikur në një moshë shumë të re, por që kanë ditur të zgjedhin rrugën e vërtetë ku duhet të ecnin, pavarësisht se u është imponuar pafundësisht ikja, kanë punuar dyfishin e kohës që mund të punoj një vendas dhe sot janë personalitete në fushën që përfaqësojnë.
Cili është stafi që punon me këto kandidatura?
Stafi i “Albanian Excellence”, një staf i vogël në numër, por shumë i përkushtuar, mbi bazë të hulumtimeve, kërkimeve, përzgjedhjes që ka bërë, ka evidentuar shqiptarë të suksesshëm duke filluar nga vendet fqinje me Shqipërinë, si Italia e Greqia, për të vazhduar me Francën, Gjermaninë, Zvicrën, Rumaninë, Çekinë, Norvegjinë, Suedinë, e më tej me Egjiptin, Japoninë, SHBA, Argjentinën.
Ka një target profesionesh kjo përzgjedhje, çfarë pune bëjnë jashtë vendit shqiptarët që po rendisni ju?
Profesionet e kandidatëve janë të shumëllojshme: shkencëtarë, mjekë, inxhinierë, bankierë, ekonomistë, pedagogë, ushtarakë, sportistë, artistë si muzikantë, piktorë, këngëtarë lirikë.
Ka kandidatura që janë marrë me politikë, në një lloj mënyre apo në një tjetër?
I kemi ndenjur ca larg politikës. Por do të ishte mrekullisht mirë sikur kjo sipërmarrje të merrej nën Patronazhin e Presidentit të Republikës, si simbol i Kombit.
Çfarë thonë njerëzit me të cilët keni ballafaquar këtë ide?
Oh… shumë njerëz me të cilët kam folur mbi këtë që po bëjmë sugjerojnë se projekti duhej shtrirë edhe në shqiptarët që kanë jetuar në Shqipëri. U jam përgjigjur që historitë e suksesit brenda Shqipërisë duan një botim me kontekst tjetër, pra një botim i ardhshëm do përfshijë këtë target.
BIO Emri: Flora Nikolla Shkollimi: Histori- Filologji (Dega Histori-Spanjisht) Eksperienca: 24 vjet në gazetari. Pozicioni aktual: Kryeredaktore e Lajmeve në ATSH
http://www.ama-news.al
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply