Oborr shkodran
Një shtregull nën një man
Bojë rozë sa drandofile
Lule gjithfarsh ngjyrash
Mure n’lule vile
Një pus ku mbusha ujë
Një rrase ku tesha lava
Një qoshe n’ fund t’oborrit
ku sa halle qava..
Po kur shkova një ditë
Nuk e gjeta rezen
që dikur kisha trokitë
(Z. Dibra)
Për qytetarin shkodran, oborri ka qenë një objekt i veçantë me vlera kulturore unikale që ka ndikuar në jetën e tij, në identitetin e tij si shqiptar dhe shkodran, në dashurinë për njerëzit e familjes e lagjes, për bimët, lulet por edhe kafshët. Përveç kënaqësisë fizike që të jepte një oborr mirë i reformatuar , me bukurinë e luleve dhe aromen, me lulet e frutave që çelnin në pranverë, me elementët zbukurues të tij, ai ka qenë një nga ambientet ma socialë të familjes shkodrane, por jo vetëm e një familjeje por i krejt mëhallës Aty, në oborrin shkodran janë mbledhur fëmijët për të luajtur, janë mbledhur vajzat për të qëndisur, janë mbledhur burrat për të pirë rakinë që e zienin vetë në oborr, janë mbledhur gra e burra për një kafe, një drekë. Aty zhvilloheshin shumë ceremoni, organizoheshin lojërat, tundeshin shtregullat, shkundeshin manat, vjelesh rrushi, fiku, kumbulla apo dardha, luheshin teatrot e para, tingëllonte ambël muzika popullore shkodrane, vlonin dasmat, etj.
Por ato që të ngjallnin emocion të veçantë ishin lulet e oborreve shkodrane, karafilat, trandafilat, zymbylat, lule sahati, lule sheboja, lule bora, lule mullaga, lule kadifja, etj., që të kënaqnin me bukurinë e tyre , me aromen e jashtezakonshme, me hijeshinë që i jepnin oborrit. Veç ti shikoje në atë kohë lule vilet që e kishin marrë këtë emër se lulëzonin si vila rrushi që vareshin në mure, në pemë dhe i jepnin oborrit një panoramë të pabesueshme me aroma që mbushnin krejt ambjentin e që ndiheshesh deri larg. Nuk besoj që të ketë ndonjë qytet në hapësirën shqiptare që t u ketë kushtuar luleve kaq shumë këngë sa Shkodra, si “Karafil të zgjodha”, “Karafilat që ka Shkodra”, “Karafil në kodër”, “Karafili kuq si gjaku”, “Bini karajfili i bardhë”, “Jargavan me bojë për mall”, “Kur të pashë moj lule”, “Mori Drandafile e vogël je”, “Trandofilja e bardhë”, “Lulja e allit”, “Ku verove verën moj lulja e allit”, “Drandofile plot ,me erë”, “O zambaku i bardhë”, “Sa e bukur vjollcë ti je”, “Me lule janë mbushë kopshtijet”, “Mori drandofila e vogel”, “Asaman moj lulja e allit”, “Ti më je si një gonxhe”, “Mori lulja e pranverës” “Pse ti lule rrin e fshehur”, duke kulmuar me këngen “Lule Borë” që sot është ba hit i gjithë hapësirës shqiptare. Në këto këngë poeti anonim e shëmbëllen vajzen që dashuron me “zambakun e bardhë” si shenjë e pastërtisë dhe fisnikërisë, me “trendafilin” si shenjë e zjarrtë e dashurisë; me “lulen e allit”, “shebojën”, “marangjylin” e plot lule tjera që ai ka zgjedhë me kujdes për t’i kënduar bukurisë së saj.
Dashuria e shkodranëve për lulet kulmon me Mark Kakarriqin që në banesen e tij (që u kthye në Shtëpi pionieri)krijoi një kopësht botanik me mbi 200 lloje trëndafilash. Nga Holanda sjell për herë të parë në Shkoder tulipanët. Ka patur një pasion për të kultivuar lulet, duke i bërë një sfidë botanikës. Nëpërmjet shartimeve ai kishte arritur të krijontë trëndafila blu, madje dhe trëndafila të zinj.Për herë të parë solli tulipanë në kopshtin e tij. Këtë pasion dhe veti qytetarie ai e shpreh edhe kur bëhet kryetar i Bashkisë Shkodër(1939-1942) duke mbjellur në dy anët e rrugës para bashkisë pemë blini që fatmirësisht qëndrojnë dhe zbukurojnë akoma këtë rrugë duke e mbushur me aromë në kohen e lulëzimit.
Sot edhe festivalit të këngës në Shkodër i është vue emri “Festivali i këngës qytetare “Lule borë”.Po kështu 6 maji është përcaktuar si festë lokale “Festa e Luleve”
Elementet kryesorë të oborrit tradicional shkodran ishin 1) muret e avllisë që kufizonin oborrin, të ndërtuar nga kondicioni i mentalitetit social, i fanatizmit si funksion mbrojtës. Në këto mure guri me lartësi 3-4m, por që shkonin deri 5-m, (si muri i Gjon Marka Gjonit, Hilmi Tafës, i Kakarriqve, etj.,) vendoseshin edhe elemente dytësorë, si ishte kamarja ose penxherja e mureve 2) dera e oborrit prej druri e ndërtuar zakonisht me qemer guri, ishte pjesa më karakteristike e oborrit. Mund të përmenden dyert e oborreve të Pjetër Çobës, Adem Çobës, Agim Nezirit, Alush Spahisë, Luigj Ljajrjes, Maliq Gjylit, Ragip Gjylit, Vehbi Rrepishtit, Pashko Vasës, etj ; 3) arkapia derë e vogël për të zotët e shtëpisë si dhe derë në murin e shtëpisë që ndante kopshtin nga shtëpia dhe oborri; 4) pusi elementi më i rëndësishëm i oborrit ; 5.) lugjet dhe rrasat, vende për të larë rrobat; 6) lambiku për zierjen e rrobave; 7) kalldremet ishin vend kalime të njerëzve ; 😎 jerevia për shërbime dhe magazinime sendesh të vjetra; 9) ahri i lopës vendi për të mbajtur lopen; 10) kulla e sanës, ku mbahej sana për ushqimin e bagëtive; 11) furra e bukës – ku shumë shtëpi e gatuanin vetë bukën; 12) kopshtari (lulishtja) ku ishte në ball të shtëpisë për të zbukuruar ballin e shtëpisë me lule. Shumë shtëpi kishin edhe zagna që përdoreshin për mbjelljen e perimeve; 13) lulet ishin pjesa më estetike e oborrit ; 14) drurët që kultivoheshin në oborre por edhe në kopshtin para shtëpisë. Mund të ishin frutorë por edhe zbukurimorë. Këtu një vend të veçantë kanë zënë manat që kanë shërbyer përveç si pemë frutore por edhe për të rritur krymbin e mëndafshit 15) shtregulla që shërbente për zbavitje për t’u kalavitur; 16) shtera, vendi ku bluhej kafja, që mbahej në hajat por shpesh edhe në oborr; 17) tavolina e gurit e vendosur në oborr; 18) filxhanë te mëdhej prej guri me dy veshë që përjashta në oborr janë përdorur si elementë zbukurimi, kurse për të mbajtur vaj apo ullinj mbaheshin në hajat; 19) Qypat janë mbajtur në dy anët e e derës së shtëpisë si elemente zbukurimi, ose edhe në hapësirën e oborrit; 20) kafazi i zogjve, mbahej sepse shumë nga familjet shkodrane pëlqenin të mbanin zogj të ndryshëm, si pëllumba, kanarina, gardalina, papagaj,etj. Disa nga familjet që kanë mbajtur deri vonë oborre tradicionale, janë: Adem Çoba, Angjelin Serreqi, Angjelin Daberdaku, Angjelin Shiroka, Ardian Seferi, Asim Metani, Bashkim Bekteshi, Bedri Bushati, Cin Jubani, Daut Boriçi, Engjell Çeka, Enrik Daragjati, Filip Shiroka, Frederik Shiroka, Gazmend Llazani, Gëzim Rrepishti, Gjon Toska, Gjon Marka Gjoni, Hamit Lluja, Hilmi Tafa, Hodo Sokoli, Ismet Halili, Karlo Ljarja, Kolec Mark Ljarja, Kolë Ashta, Kolec Luka, Lec Bushati, Mark Veli, Mark Kurti, Mark Zadeja, Monsinjor Zef Simoni, Mithat Myftija, Ndrek dhe Shan Geci, Nush Misloca, Pashko Vasa, Petraq Fundo, Pjerin Sheldija, Ragip Gjyli, Rexhep Bala, Rrik Suma, Sabah Damnori, Sadetin Taipi, Tomor Osmani, Vildan Tufi, Zef Bushati, Xhevat Rrepishti etj.
Oborret kanë patur rëndësinë e tyre edhe në objektet fetare. Në oborret e xhamive janë zhvilluar ceremonitë mortore, është mbledhur populli që nën drejtimin e klerikëve kanë marrë vendime të rëndësishme për çlirim kombëtar. Oborri i Xhamisë së Haxhi Bajramit në Tophanë, u bë qëndra e revoltës së Hamz Kazazit; oborri i Xhamisë Plakë u bë qëndër e revoltës gjatë sundimit austriak për të mos dërguar djemtë shkodranë në ushtrinë austriake. Në oborret e kishave në Shkodër njerëzit mblidheshin takoheshin dhe bisedonin para zhvillimit të meshës, në raste festash organizoheshin lojëra, zhvilloheshin panaire, disa prej tyre kishin edhe ambiente sportive, qëndra kulturore etj.
Sot në Shkodër nuk ekzistojnë oborret e vërteta tradicionale me të gjithë elementet e karakteristikat e mësipërme përkatëse, për arsye edhe të ndryshimeve social ekonomike, si dhe të humbjes së funksionit të shumë elementëve tradicionalë. Në mbi 110 oborre konstatohen transformime dhe ndryshime drastike. Megjithatë kultivimi i luleve, drurëve dekorativë, kalldremeve, veshja me gurë dekorativë e mureve, vendosja e tavolinave , dhe karrikeve prej kashte, ndërtimi i ballkoneve, etj., kanë zevendësuar format tradicionale, por edhe i kanë dhënë freski ambientit duke i afirmuar oborret shkodrane si më të bukurit në të gjithë vendin. Pedagogu i Universitetit të Shkodrës, Profesor Trifon Ziu, pavarësisht se nuk ishte shkodran, i mahnitur nga bukuria, karakteristikat dhe funksionet e oborreve shkodrane dhe i motivuar nga kënaqësia që i kanë dhënë mjediset e oborreve, ka bërë më 2002 librin “Oborret e Shkodrës”,. Edhe ky postim ka shumë material nga ky libër.
FOTO 1 Oborri i Banesës së Pashko Vasës
FOTO 2 Oborri i banesës së Mislocja (Curanëve) Ngjyra e grykës së pusit është
e bardhë por bëhet në të kuqërremtë kur bjen shi
FOTO 3 Shermashek 150 vjeçar në banesen e Zef Bushatit
FOTO 4 Grykë pusi me të gjithë elementët (çe –
kerku, vlaku, truma) në banesën e Gjylëve
FOTO 5 Grykë pusi tek banesa Zorba me detajet
e gdhëndjes së figurave
FOTO 6 Filxhan i vendosur mbi një grykë pusi (banesa e Llujejve)
FOTO 7 Qyp dekorativ ne oborrin e ish Muzeut
FOTO 8 Skicë e kullës sanës dhe jerevia në banesen e Cin Jubanit
FOTO 9 Obor shkodran , pikture e K.Idromenos
FOTO 10 Oborr modern na banesen Sylçabegu
FOTO 11 Atmosferë muzikor enë një ambient oborri
Oborri si ambient social
FOTO 12. Pjesëtarë të familjeve Jakova, Shllaku dhe Pali që i lidhi miqësia, farefisnia por shumë edhe muzika. Bashkimi i këtyre dy familjeve në raste festash, gëzimesh evenimentesh, ku shumë prej tyre u binin veglave muzikore, sillte atmosfere muzikore, shoqëruar me hare, humor dhe me një ambient shumë miqësor
FOTO 13 Në shtëpinë e Filip Muzhanit; Filip Muzhani në violinë dhe Nush Pali me saze, në një çast gëzimi familjar në shkallë në oborr
FOTO 14 Një çast ndjeje duke pirë në një oborr të vjetër shkodran; Lizeta Melgushi dhe Rexhep Jella me shoqëri (Foto Marubi, 13.06.1932). Marrë nga kopertina e librit të Elektra Çapalikut “Bukë e kripë e zemër”













Burimi/Facebook


Leave a Reply