
Huan Manuel, një qytetar kolumbian që prej vitit 2017 jeton dhe punon në Shqipëri, shpreh hapur dëshirën për të marrë pasaportën shqiptare. Ai është i martuar me Marselën, nga fshati Goskovë i Korçës, dhe së bashku kanë një fëmijë, të cilin e kanë rritur me dashuri për historinë dhe simbolikën shqiptare.
Në një rrëfim për emisionin “Real People”, me moderatorin Flori Gjini, Huan Manueli tregon me krenari unazën me shqiponjë dhe byzylykun kuqezi, simbole që, sipas tij, përfaqësojnë lidhjen e fortë që ka krijuar me Shqipërinë.
“Për momentin pasaportën nuk e kam ende. Jam në pritje, sepse është e nevojshme. Kam pasur vizë rezidence vetëm për Shqipërinë, por jo për të udhëtuar jashtë. Më duhet të ndryshoj kartën dhe pasaportën kolumbiane,” – shprehet ai.
Kolumbiani thotë se njeh mirë figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, për të cilin flet me admirim, ashtu si edhe djali i tij.
“E njoh Skënderbeun. Djali im është fanatik pas tij, thotë se është hero. I pëlqen shumë statuja e Skënderbeut. Unazën e kam me simbol të Shqipërisë dhe byzylykun kuqezi. Shqip di të them ‘mirëmëngjes’ dhe po mësoj pak nga pak të komunikoj,” – tregon ai.
“Shqipërinë e kisha parë vetëm në hartë”
Huan Manuel rrëfen se para vitit 2017 nuk dinte pothuajse asgjë për Shqipërinë, përveçse e kishte parë në hartë. Ardhja e tij në vendin tonë lidhet me projektin Transadriatik, për të cilin kompania ku ai punon u angazhua në Shqipëri.
“Kam ardhur në Shqipëri në vitin 2017. Kompania ku punoj erdhi për projektin transadriatik dhe unë erdha si pjesë e ekipit. Jam mbikëqyrës mekanik ndërtimi për stacionet dhe punimet. Mbikëqyr stacione në Korçë, Berat, Tepelenë, Urën Vajgurore dhe Seman,” – shpjegon ai.
Sipas tij, Shqipëria është një vend shumë i mirë për të ndërtuar jetë familjare.
“Shqipëria është shumë vend i mirë për familje. Më pëlqen të jetoj këtu. Kam një grua shqiptare. Para vitit 2017 nuk kisha dëgjuar për Shqipërinë, e kisha parë vetëm në hartë. Sot jam i dashuruar me serenatat korçare,” – thotë Huan Manuel.
Historia e tij është një shembull i integrimit, dashurisë për kulturën vendase dhe lidhjes emocionale që një i huaj mund të krijojë me Shqipërinë, duke e konsideruar atë jo thjesht një vend pune, por shtëpi.
Burimi/Facebook/Lajme Javore


Leave a Reply