Prej ditësh në rrjetet sociale diskutohet idea e errët për të mbyllur Radiotelevizionin Publik në Shqipëri, ose RTSH. Kjo, për shkak të efiçencës së pamjaftueshe të këtij rrjeti për të financuar vetveten dhe për mosdhënie fondesh nga shteti për mbajtjen në këmbë të rrjetit më të rëndësishëm të mediave kombëtare. RTSH është simboli kombëtar që ka hyrë në shtëpitë e shqiptarëve, radio që në vitin 1938, dhe televizioni që në vitin 1960. Që të gjithë e dimë sa të dashura dhe të domosdoshme kanë qenë në jetën e çdo familjeje valët e radios dhe televizionit shqiptar.
Tani duket sikur idea që vërtitet prej 30 vitesh për ta mbyllur këtë institucion, po merr formë më të qartë, ndonëse personalisht dëshiroj ta marr si të mirëqenë deklaratën përgënjeshtruese që bën kryeministri Edi Rama lidhur me këtë. Mbyllja e radios dhe televizionit publik, do të ishte një akt obskurantist, njësoj si fikja me forcë e dritave në çdo shtëpi, si mbyllja e shërbimit publik në shëndetësi, si mbyllja e shërbimit publik në transportin urban dhe mbyllja e shërbimeve të tjera publike ndaj qytetarëve. Kudo Televizioni publik është një shërbim simbol i shtetit, që tregon forcën dhe integritetin e tij kulturor e informativ. Në Itali RAI është pa asnjë diskutim rrjeti më i fuqishëm, i cili i fiton përherë sfidat përballë televizioneve private. Kjo, sepse në këtë rrjet punojnë gazetarët më të mirë, të cilët i servirin publikut emisione të vërteta edukative, informuese, kulturore, shkencore, spektakle edukative e të tjera. Dhe shteti e konsideron atë si simbol të tij.
Sa krenarë ishim kur dëgjonim njoftimin “Ju flet Tirana”, që shkonte edhe në disa gjuhë të huaja e në të katër anët e globit tokësor. Në RTSH kanë punuar historikisht drejtues të aftë e gazetarë shumë të mirë, qindra punonjës, specialistë e teknikë, që i kanë bërë një shërbim të çmuar kulturës, historisë, edukimit dhe informimit publik.
Me ardhjen e pluralizmit politik, siç është e drejtë të ndodhë, u hapën shumë rrjete e kanale televizive private e alternative, të cilat bëjnë punën e tyre sipas pallinsesteve të miratuara për interesat e tyre komerciale dhe duke patur një perëndi të vetme, audiencën dhe paranë. Për hir të saj janë shkatërruar shumë vlera tradicionale të kulturës, moralit e të tjera, sa shumë emisione si “Big Brather”, “Për’puthen” e të tjera janë vetëm një hap larg moralit të shtëpive publike, ndërsa emisionet me analistë janë thjesht lehje të një lukunie qensh të tredhur e të paguar nga politika, e cila është krahasuar gjithnjë me një grua të përdalë. E më të përdalë se politikën shqiptare nuk e gjen në asnjë anë të globit.
Për hir të kësaj audience, pas kanaleve private vrapojnë edhe oligarkët, biznesmenët e të tjerë që dërgojnë tek ato reklamat për aktivitetet e tyre tregtare, prodhuese e të tjera. E nuk mund t’ju vihet faj, sepse është ligji i pamëshirshëm i konkurrencës që mbretëron.
RTSH edhe në situatën e vështirë të krijuar për të në kohën e pluralizmit politik e të konkurrencës së pamëshirshme, ka patur drejtues të mirë e të aftë si Skënder Buçpapaj, Sefedin Çela, Virgjil Kuke, Ylli Pepo e të tjerë, që edhe në momentet më kritike kanë ditur të ruajnë dinjitetin e tyre dhe atë të institucionit publik që drejtonin, sepse mbi gjithçka, edhe mbi interesat e politikës së çastit, vinin interesat e publikut, të dëgjuesve të Radios e të shikuesve të Televizionit.
U mbyll emisioni “URA”, një program i mirëstudiuar dhe i mirëndërtuar nga gazetari Artur Bejzade, që krijonte të vetmen urë lidhëse direkte midis atdheut dhe miliona emigrantëve që janë në diasporë në të katër anët e globit. Tani edhe kjo urë është ndërprerë, siç bëhej me shembjen e urave në kohën e luftës. Dhe diaspora, në një farë kuptimi mbetet në errësirë e pa mjet komunikimi. Po votën e Diasporës, përse e kërkojnë politikanët shqiptarë, përderisa presin të vetmen urë lidhëse me ta? Po të ardhurat ekonomike e investimet nga diaspora përse i kërkojnë, përderisa shembin ura? Nëse biznesmenët, gazetarët, specialistët dhe artistët në diasporë do të bashkoheshin, do krijonin një televizion alternativ të fuqishëm që do trondiste nga themelet politikën shqiptare dhe audiencën e kanaleve private shqiptare. Se diaspora nuk blihet nga askush.
Flitet që do të bëhet reforma. Natyrisht, reformat janë të domosdoshme në çdo sektor e në çdo aktivitet jetësor për të ecur përpara në epokën e sfidave të reja politike e globale. Por kjo reformë t’i shërbejë shërimit të RTSH dhe jo asfiksimit apo asgjësimit final të këtij shërbimi publik. E për këtë, kuvendi i Shqipërisë, duhet të vendosë me zemër e jo me dritshkurtësi politike. Sepse do të jetë koha dhe jo politika, ajo që do të japë gjykimin më të rreptë e përfundimtar.
Ndue Lazri
Burimi/Facebook


Leave a Reply