Ervin Salianji, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, ka vijuar turin e tij këtë të shtunë në Korçë, duke takuar demokratët e qytetit. Salianji, në fjalën e tij, ka thënë se demokratëve në këtë qytet u ka ardhur një mesazh për të mos marrë pjesë në këtë takim, me argumentin, sipas tij, se takimi kishte një agjendë personale. Salianji e ka komentuar këtë mesazh si të dërguar nga krimi i organizuar.
“Ju keni marrë një mesazh që nuk është nga Korça, sepse nuk është as në dialektin e Korçës; ai ka një agjendë personale dhe është dialekt i një treve tjetër. Sa i përket mesazhit që është dërguar nga Edi Rama, vetëm ai mund të ketë 20 milionë lekë për të dërguar mesazhe në gjithë dynjanë dhe për të thënë se takimi organizohet nga krimi i organizuar.
Jo, zotëri. Lidhjet me krimin i kanë personazhe të tjera në qeveri, të cilët unë i kam denoncuar me emër dhe mbiemër, jo vetëm në parti, dhe ne i dimë shumë mirë se cilët janë ata që kanë probleme.
Këtë takim e ka organizuar partia e organizuar, e cila i përgjigjet çorganizimit të lidershipit të partisë qendrore. Falënderoj nga zemra të gjithë kryetarët e grup-seksioneve të PD-së; 95% janë këtu. E gjithë partia e Korçës është këtu, të gjithë demokratët janë këtu, të bashkuar për një qëllim: ta bëjmë PD-në fituese dhe ta largojmë Edi Ramën.”-tha Salianji.
Burimi/euronews.al/


Leave a Reply