NJË ANALIZË KRITIKE NGA PROFESORI, POETI DHE SHKRIMTARI; MYZAFER RAMZOTI.NDJEJ AROMËN DEHËSE TË NËNËS !
Vëzhgim rreth librit “ Ime Amë ” të Avni MIRAKËS
Për shumëkënd Avni Miraka është një zë krejtësisht i panjohur , është një zë i ri siç ishte edhe për mua po të mos më bënte kërkesë për “ miqësi “ në rrjetet sociale dhe unë e pranova ashtu siç kam bërë me çdo njeri që ka qenë nxënës në Shkollën e Mesme Ushtarake “ Skënderbej”. Nuk e kam pasur nxënës dhe nuk e di se si ai kishte krijuar e ruajtur njëfarë respekti të veçantë ndaj meje.
Në njohjen e parë virtuale mësova se kush ishte dhe kohën kur kishte qenë nxënës në atë shkollë. Nga biseda në mesenxher u njohëm më në hollësi. Ai më mbante mend dhe, nëpërmjet shokëve të tij, kishte lexuar disa nga shkrimet dhe poezitë e mija. Hyra në statusin e tij dhe lexova disa shkrime, skica, tregime të shkurtëra dhe ese që i përpiva me një frymë. Mbeta i habitur për origjinalitetin e stilin e tij në trajtimin e temave që ofronte.
Më vonë erdhi dhe takimi ballë për ballë. Avniu kishte ardhur në Durrës te motra e tij që banon aty. U takuam në Bar – hotel “ Sema” diku pranë qendrës së qytetit. Unë nuk e njoha por ai, po.
Nuk më kujtohej. Vitet dhe jeta kishte lënë gjurmë të thella në pamjen fizike të tij. Tiparet e tij të lodhura nuk ma freskuan memorjen. Në pamje të parë dukej që ishte vrarë nga jeta , shtat mbi mesataren, i thatë, ende i pathinjur mirë, i qetë në temperament, trupdrejtë me sytë që kishin një vështrim të lodhur.
Biseda u vërtit rreth familjes, rreth viteve në shkollën ushtarake “ Skënderbej” , miqve të atyre viteve e, më pas, drejtë letërsisë që na çoi në shtigje të vjetra e të reja të pasionit të përbashkët.
Biseduam për rrëfenjat e tij, për botën e tij interesante, për mënyrën e trajtimit të subjekteve në to e për ato që shkruante dhe, pas dy – tri orësh, u ndamë për t’u takuar përsëri në faqet e rrjeteve sociale.
Dikurë ai erdhi përsëri në Durrës dhe më bëri me dije se po punonte që ato krijimet e tij që kish shkruar kishte dëshirë t’i përmblidhte në një libër dhe ja, tani librin e tij e kam në dorë. E lexova me vëmendje e kurreshtje dhe, i bindur se ia vlenë por, edhe pse e ndjej si detyrim, po shprehem me disa impresione e mendime rreth librit të parë të Avni Mirakës “ Ime Amë” !
Mjedisi ku u rrit dhe u formua Avniu ka luajtur një rrol përcaktues në brendinë dhe në natyrën e krijimtarisë së tij. Ai u lind në fshatin Tunjë të Sulovës së sipërme të Gramshit. Bie në sy që gjuha e zonës ka lëshuar rrënjë të thella në formimin e tij gjë që e sheh të pranishme thuajse në të gjitha tregimet, sicat apo rrëfenjat e tij që frymëzohen, marrin jetë e individualizohen pikërisht nga gjuha, folklori, zakonet e traditat e zonës ku u lind dhe u rrit. Kjo gjuhë dhe ai dialekt apo e folme karakteristike i jep jetë e gjallëri tregimeve , i shton rrezatimin dhe origjinalitetin krijimtarisë së tij të thjeshtë e tingëlluese në lulëzimin pranverorë me plot ngjyra të ndezura.
Siç duket nga rrëfenjat e tij, në kushtet ku u lind e jetoi, ka qenë një fëmijë të cilit nuk i ka munguar dashuria e përkujdesja, aq më tepër duket se ka qenë një fëmijë kurreshtarë, vëzhgues e i kudofutur.
Me thjeshtësi e ngrohtësi ai kujtohet për çdo vogëlsi ndodhur vite e vite më parë e nëpërmjet tyre përpiqet të na zbulojë thellësinë e shpirtit të një nëne, i bindur se edhe fëmija, edhe pse nuk i kupton mirë të thënat e veprimet, në mënyrën e tij, qoftë dhe instiktive, ndjen gjithçka,shijon zjarrin e asaj dashurie të madhe duke e marrë atë si mësim nga jeta, si një sprovë që e përgatit atë për të përballuar vështirësitë. Kështu, edhe pse ende kërthi , ai kupton se jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë e të painteres si nëna. Kjo ndodh se fëmija ka një shpirtë të pastër e të panjollosur, të etur për të besuar; ai është vëzhgues naiv i jetës e i veprimeve të familjarëve e të shokëve të tij duke u përgatitur për të ardhmen. Avniu na jep një mësim të madh se është fëmijëria ajo fazë e ciklit të jetës që na përgatit t’i bëjmë ballë vetë jetës. Mendoj se këtë na thotë ai me rrëfenjat apo skicat që i tejkalojnë ese-të kushtuar nënës apo asaj që ai e quan “ Ime Amë” e me dashuri ia vendos këtë emër librit të tij të parë. Nuk di si ti quaj, tregime, ese apo rrëfenja shkrimet e para në rrjeshtim që titullohen : “ Fillimi”, “Zgjimi i ëmbël”, “ Mbi veten time”, “ Perëndesha ime”, “ Kalipeç”,” Është e imja ajo, reeee”, “ Lojë me shpirtëra të bukur”, “ Fajtor?” , “ Pamundësia”, “ Hyjnore”, “ Sytë e sime’ame “ etj. – kur, që të gjithë këto tregime që veçmas janë episode të një marrëdhënie të madhe të një fëmije ( të tijat ) me nënën e tij, por që në të vërtetë, së bashku na flasin e pikturojnë me ngjyra të gjalla portretin e nënës së tij dhe, njëkohësisht, portretin e të gjitha nënave, që, sado të ndryshme, janë të gjitha të bukura fizikisht e, sodomos, moralisht e shpirtërisht.
Portreti plotësohet pazëll pas pazëlle dhe figura e nënës na vjen e shtrejtë, e mrekullueshme, mahnitëse aq sa Avniu dhe çdo njeri tjetër në botë e kërkon vazhdimisht edhe pse ajo prej vitesh ka rrokur parajsën sepse të gjitha nënat kur ikin nga kjo botë meritojnë vetëm parajsën. Ai, nëpërmjet nënës së tij na sjellë në kujtesë nënat tona që për secilin nga ne mbeten më të shtrenjtat.
Tregimet apo rrëfenjat e përmbledhura në këtë libër të parë të Avni Mirakës janë tabllo ku pasqyrohen aspekte të ndryshme të jetës në qarqet apo rrethet e vogla të përtej kryeqytetit që jetojnë kryesisht me ekonomi bujqësore. Këto shkrime, të marra së bashku, formojnë një mozaik interesant, të larmishëm që pasqyron jetën, vështirësitë e sakrificat e mëdha të njerëzve të thjeshtë. Ngjyrat e lehta estetiste, impresioniste e disi me ngurrim dhe realiste apo tipike realiste për kohën e kaluar në një sistem të kaluar ku mungonte shumëçka e gjejmë në tregime si : – “Gishti i madh”, “ Gjumashi syhapur”, “ Në fundzemre ka dashuri”, “ Varri i djalit”, “ Dashuri dhe shpresë “ ,etj.
Në libër spikatin edhe tregime me tone të ashpra, gati bardhë e zi, si refleks i vuajtjeve reale të mbuluara me buzëqeshje edhe pse dhoma e grumit dhe e gjithë shtëpia ku ata jetojnë është pa tavan e në trerët e nxirë nga tymi e që mbajnë çatinë e shtëpisë, enden për qejfë të tyre macet e maçokët edhe pse poshtë tyre nëna e shkretë përpiqet të vër fëmijën në gjumë duke tundur me këmbë djepin e duke thurrur me duart e arta çorape apo triko leshi për fëmijët sepse dimri pritet të vijë .Pamje të tilla Avniu i vizaton në tregime si: – “ Arra vakëfe” apo “ Barraka plot jetë”etj.
Autori mungesat ekonomike e materiale të realitetit i kalon shkarazi apo sa i prek e nuk i zhvillon por, edhe aq mjafton për të njohur të vërtetat jetësore të vendit në ato vite dhe, kaq mjafton për të kuptuar gjendjen në krizë të shoqërisë. Duke lexuar me vëmëndje tregimet vëren se autori kalon shkarazi gjendjen e rëndë që vret dhe, në kontrast me të, e vë theksin në shpirtin e pastër të njerëzve, personazheve që kënaqen me aq sa kanë sepse atij i intereson shpirti i njerëzve dhe, për të qenë më i saktë, gjëndja shpirtërore e familjarëve dhe e bashkëfshatarëve të tij si te tregimet “ Pafajsia”, “ Këputje jete “ etj.
Duke i dhënë përparësi faktorëve moralë dhe etik Avniu vëzhgon në thellësi ndikimin e këtyre faktorëve në psikologjinë e në sjelljen e njerëzve si në tregimet “ Pamundësia” apo “ Varri i djalit “.
Mendoj se të gjitha tregimet janë analiza komplekse psikologjike. Për këtë autorit i shërben fëmijëria, rinia , shokët, familja , bashkëqytetarët, jeta, ngjarjet dhe gjithçka që lëviz e gjallon në atë zonë të verfër të vendlindjes së tij e të atyre që e duan këtë jetë , që e duan e përjetojnë me dashuri çdo ngjarje e ndodhi sado të vështirë duke e gjykuar pozitivisht e me besim drejtë më të mirës e më të bukurës si në tregimet “ Dëbora e parë”, “ Dashuri dhe shpresë”, “ Trari i shtëpisë” etj.
Autori ka arritur të realizojë një prozë unike që ruan ritmin e brendshëm. Është një prozë që merret me thelbin e asaj që do të arrijë duke lënë mënjanë zvarritjet. Asgjë nuk është e tepërt . Është prozë që komunikon lehtë e qartazi me të gjitha kategoritë e lexuesve pavarësisht nga niveli arsimorë e kulturorë i tyre megjithatë, ndonjë tregim apo skicë si “ Shën Kofi” apo “ Sherr dhe humor” nuk do të dobësonin vlerat edhe po të mos ishin pjesë e vëllimit.
Personazhet e tregimeve janë të shumtë, të njohur e të panjohur, por njëri mbetet i përhershëm dhe ai është vetë autori që flet në vetë të parë pa kërkuar ndihmën e të tjerëve. Është shkruar në prozë të shkurtër kompakte , e pranishme, olokuente dhe e njohur nga të gjithë por, e veçantë për origjinalitetin e sinqeritetin e tregimit, për fjalorin, për gjuhën, narracionin, për zonën dhe karakteristikat e saj që na vijnë aq natyrshëm saqë mendoj se po ta prekësh sado pak ajo do të humbasë vlerat e saj.
Janë plot pesëdhjetë e një tregime apo rrëfenja ku secili prej tyre shënon një kapitull të veçantë, një hap të sigurtë drejt rritjes së një vocërraku drejt burrërimit. Në çdo rrëfenjë autori hedh një hap drejt pjekurisë , por edhe si tregimtarë e, kjo do të thotë, se vlerat rriten për t’u bërë jo vetëm tregime por edhe hapa të sigurtë drejtë një jete të suksesshme në letërsi.
Mendoj se autori duhet të trgohet më i kujdesshëm në përdorimin e fjalëve të bashkëngjitura sepse jo çdo emër në gjuhën shqipe mund të bashkëngjitet normalisht me mbiemrin sepse në disa raste këto përdorime e zbehin figurën letrare dhe atë që kërkon të arrish nëpërmjet saj.
Tregimet nga fëmijëria jan mbushur me aventura fëminore e vijnë te lexuesi me një humor të hollë e të shëndetshëm të realizuar mrekullisht për fëmijët, por edhe për të rriturit. Janë rrëfenja që të ngrejnë peshë me humorin naiv që përcjell e që të mëson të ecësh i sigurtë e pa frikë në jetë. Të kësaj natyre, njëri më i bukur se tjetri janë tregimet: – “ Dashuri fëmijnore”, “ Kokëshkëmb”, “ Gishti i mah” , “Gjumashi syhapur”, “ Luftë në hipizëm”, “ Kokëkrisuri” etj.
Në faqet e librit sheh fëmijë që edukohen nëpërmjet lojës në bokërrimat e fshatit, në pyjet përreth duke shërbyer si një shembull pozitiv për edukimin në kundërvënie me bulizmin apo me kërrusjen e fëmijëve mbi ekranet e celularëve e të rrjeteve sociale. Tipike për këtë janë tregimet e mrekullueshme “ Baloja gjigand”, “ Dhelpra amë”, “Dëbora e parë”, “Aventurat e asaj dite”, “Qeni besnik “ etj.
Libri është i mbushur me dashuri , me një dashuri të sinqertë në të gjitha stadet e jetës, në atë fëminore si te “ Perëndesha ime” apo “ Është e imja, oreee” etj. ; në atë rinore si “ Baraka plot jetë” , “ Ringjallje”, apo “ Syshtrembta”; në atë për moshatarët me lodrat dhe jetën e fshatit pa lënë në harresë kafshët si “ Dehja”, “ Qeni besnik”,” Dhelpra amë “ etj ; në dashurinë për jetën si “ Thyerje e tabusë”, “ Dilema e gjatë”, “ Karrikja” , “Dora e një vajze” apo “ Peng apo përmallje?” dhe, të gjitha këto dashuri përfshihen në një dashuri të madhe, në dashurinë e autorit për njeriun, për jetën, për vendin si “ Amaneti” , “Zemra të lashta” apo “ Nëpër dhimbje kohe” etj, ku janë ngulitur thellë rrënjët e familjes, ku prehen të parët e fisit, etërit duke kujtuar se “ Harrimi është mallkim !”
Ky libër është ngjizur me dashuri, me ndjenjë e pastërti. Ai flet thjeshtë për një kohë që nuk duhet harruar, për një traditë që duhet kujtuar e lëvruar më tej në breza, flet për gjithçka, për çdo gurë e çikërrimë që duhet kujtuar me dashuri sepse është pjesë e qenies tonë, e jetës tonë plot sakrifica.
Letërsia e Avniut sjell dashuri e sinqeritet që edukon e që duhet kultivuar ! Urime e rrugëtim të mbarë në udhën e bukur të krijimtarisë letrare!
Burimi/Facebook/Avni Miraka


Leave a Reply