Një histori suksesi dhe krenarie shqiptare ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, një shembull i bukur i asaj që mund të arrihet me shumë mund, dashuri dhe përkushtim.
Familja Mato u largua shumë vite më parë nga Shqipëria drejt Italisë, në kërkim të një jete më të mirë. Si shumë prindër emigrantë, ata sakrifikuan çdo gjë për t’u dhënë fëmijëve të tyre një të ardhme më të ndritur. Sot, puna dhe përkushtimi i tyre janë shpërblyer me arritjen e jashtëzakonshme të djalit të tyre, Kevin Matos, i cili është tashmë doktor në fushën e kompjuterikës kuantike (quantum computing) në Universitetin Teknik të Mynihut (TUM) në Gjermani, një ndër universitetet më prestigjioze në botë.
Kevin ka studiuar në Milano dhe ka prezantuar punimet e tij shkencore në Japoni, në Evropë dhe në SHBA, duke marrë disa vlerësime ndërkombëtare. Ai është vlerësuar si shkencëtari më i mirë në botë në fushën e tij nga qendra atomike ORNL në SHBA, ndërsa Bashkimi Europian i ka dhënë çmim për inovacion dhe kërkim shkencor. Së fundmi, ai është nderuar edhe nga një fond ndërkombëtar që mbështet shkencëtarët e rinj më premtues në botë.
Sot, Kevin punon në NVIDIA, një nga kompanitë më të mëdha dhe më të avancuara të teknologjisë në botë, duke u bërë një nga shumë pak shqiptarët që kanë arritur në këto nivele.
Për familjen dhe të afërmit e tij, ky është një moment i jashtëzakonshëm krenarie. Tezja e Kevin-it shkruan me emocion:
“Zemra më shpërthen nga gëzimi! Më kujtohet kur ishte një vjeç, dhe tani është bërë doktor në një fushë që e njeh e gjithë bota. Ky është një shembull i bukur për të gjithë shqiptarët që sakrifikojnë jashtë vendit, për të treguar se me mund, dashuri dhe përkushtim, gjithçka arrihet.”
JOQ Albania i bashkohet urimeve për Kevin Maton, një djalë që po na bën të gjithëve krenarë dhe që dëshmon se shqiptarët mund të arrijnë majat kudo në botë.
Burimi/Facebook/JOQ Albania


Leave a Reply