Në këtê luftë fisnike fitojnë ata që humbin… FLAKA
LUFTA FISNIKE
Prej kryeartikullit «Dita e Shqiptarëvet», botue nga Mid’hat Frashëri për Ditën e Flamurit në mërgim, nxjerrim këto pjesë:
«Në qoftë se Ditën e sotme nuk e kemi festuar kurdoherë me aq gëzim dhe me një vërsulje drejtë një aveniri më të shkëlqyer, duhet ta themi pa ndrojtje se kjo nuk ka qénë vetëm nga shtypja e fatkeqsivet, rrjedhur nga rrethana që nuk janë mvarur nga dashja e jonë, por edhe nga faje, për të cilët jemi drejtë për drejtë ne përgjegjës …»
«…Po nuk vendosëm t’i njohim fajet t’anë, atëherë nuk kemi as edhe dëshirën e ndërrimit … për të dalë në një drejtim që të na sigurojë, në mos lumturinë, të paktën shpëtimin…»
«…Lufta që do të kemi, lufta e përditshme dhe, më tepër akoma, e çdoorshme, nuk është një përleshje me pushkë dhe me thikë, është një përpjekje me dinjitet dhe me vullnet, mbase më e vështirë se e para, sepse kjo betejë bëhet nga vetja e jonë kundër vetes sonë.»
Lufta má e vështirë, pra, del ajo që bâhet nga vetja e jonë kundër vetes sonë. Nuk i ka shkue në mend kuj se ka nji luftë të tillë të përditshme, në të cilën na vetë jemi protagonistë dhe vetë dalim të mundun! Duket në këto radhë si me lexue «PLAGËT TONA», që Lumo Skëndoja na i paraqet përsërí të ndryme në nji mësim të naltë.
Por kush i a hynë nji ndeshjeje tue dijtë se synimi âsht ke paksimi i vetvetes, ke humbja e mburrjes së kotë, ke ridimensionimi i faktevet dhe i ngjarjevet që smadhohen në kokat e tymosuna, jo për të hetue të vërtetën, të drejtën, por për t’i a falë inatit, zilisë, smirës, duhmën e shpirtit?
Si Shqiptarë të vuejtun, në vend që të pyesim veten çka kemi bâmë për të mirën e Atdheut, duem të përmbahemi në çka kanë bâmë të tjerët. Dhe, në qoftë se të tjerët i përkasin familjes a katundit tonë, menjiherë i varim fytyrat e nderueme si hajmali në qafë për të mos na zânë syni i keq i kritikës!
Nji që i ka shërbye në nji kohë Vendit çuditet se kur i shket kamba nuk e përmbâjnë má mburrjet e përlyeme!…
Kërkojmë të gjykojmë të afërmit a të largëtit pa gjykue gjykimin vetë. Të metat që na duket se shofim në të tjerë i sjellim e i përsjellim në dollapin e gojës, ndërsa të metat tona, edhe kur janë po të nji lloji, as nuk na tundin nga vendi!
Për «meritat» nuk i vemë kufij dëshirit me u-dallue. Po t’i a dalim me shkrue dy radhë, bâhemi shkrimtarë; po na erdhi shtegu me i zbrazë dy pushkë, bâhemi heroj; po të na qesi trapi në anën e dallaverevet, bâhemi politikaj! As nuk mendojmë se sa luftarë të thjeshtë që u-endën gjatë historisë malevet e hallevet, që u-qendisën me plumba, kanë shumë má meritime se na të gjallët e tepruem.
Lufta kundër vetes sonë âsht lufta e urtisë, lufta e matunisë, lufta për të ndamë grunin nga egjra, shapin nga sheqeri …
Nji kritikë ndërtuese duhet të spikasi kundër të metavet dhe gjatë rrugës së vështirë, po deshëm të ngrihemi dhe të përtërihemi. Nji luftë e papreme në mbrendinë vetë duhet t’i sqarojë dyshimet, duhet t’i kthjellojë synimet, duhet t’i sigurojë fitimet. Në këtê luftë fisnike fitojnë ata që humbin…
FLAMURI 187-188 28.11.1972 FLAKA
Burimi/Facebook


Leave a Reply