Ata kanë hallet e tyre, unë të miat.
Ata i mbështjellin me kadife fjalët, unë i zhvesh deri në kockë.
Unë gaxhumohem me libra, u jap erë faqeve si t’u fryja shpirt, u lyj shkronjat me vaj ulliri që të rrëshqasin lehtë në syrin e lexuesit dhe të mos gërvishtin. Flas si Ciceroni, thumbas si Diogjeni, pyes si Sokrati – dhe përgjigjet më kthehen si jehona nga një shpellë e zbrazët.
Edhe ata mbajnë fjalime, por fjalët e tyre nuk kanë gjak ulliri; kanë kallaj, dhe ndonjëherë flakë ari. Shkëlqejnë nga larg si bjeshkët me borë, por kur i prek, shkrijnë si akull mbi dorë. Prej tyre nuk mbin asgjë – janë fara të vdekura.
“Kush je ti?” – më pyet vargu i këngës sime; ”Nesër fjalës i bëhet vonë”.
Një njeri që lavdëron edhe gomarin e vet, jo për mend, por për besnikëri.
“Ata kush janë?” – nuk më duhet t’i përgjigjem. Ju i njihni: çdo katër vjet u ndieni zërin nëpër rrugë, me telall, duke ju bindur se ju duan, se ju çmojnë, se e dashurojnë atdheun.
Ne kemi të përbashkët vetëm një gjë – tregun e fjalës.
Unë shes erë letre dhe bojë; ata shesin erë bubullimash e tym.
Por tek hallet ndahemi: ata i bëjnë perde për t’u fshehur pas tyre, unë i mbaj si barrë mbi shpinë.
Po atdheut ia dimë hallet?
Dikush po – por ata “dikush” tani flejnë nën gurë të ftohtë. E dhanë jetën për këtë dhe, dheu tani hesht, duron dhe gjëmon nga ne, bijtë e tij që i veshim mëkatet me kostumin e demokracisë.
Librat e mi i kuptoj, sepse i kam lindur vetë, fjalë pas fjale, si nënë që lind fëmijën dhe i jep frymë.
Por nuk i kuptoj ata që, në emër të pushtetit, duan të hanë edhe librat, edhe mua, edhe atdheun.
Dje, një burrë zotni më tha:
— Mirë që ua çon librat edhe bjeshkëve, edhe detit. Po kur bie nata, me kë fle? Me hallet e tua, apo me hallet e miliarderit?
I thashë:
— Me shkronjat e mia… dhe me gjëmën e atdheut.
Mos u bëni çoban pa shtagë, pa strajcë e pa brisk – se kot do t’u shkoni pas deleve. Kur mjegulla zbret nga bjeshkët, delet njohin vetëm zërin e vërtetë të bariut.
Gjilan,15.08.2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply