Masimo Morati duket se është i lumtur me zgjedhjet që ka bërë për Interin e tij, duke filluar nga emërimi i Andrea Stramaçionit si trajner, për të vazhduar me merkaton pa shumë bujë por me lojtarë “punëtorë” si dhe me largimin e disa prej “veteranëve” të ekipit. Një gjë të tillë, presidenti i zikaltërve e ka konfirmuar në një mbledhje me disa nga sponsorët e ekipit. “Ky është një vit i rëndësishëm gjatë të cilit rindërtohet duke u bazuar në ato vlera që ka Interi. Ky është një vit kyç për t’u kthyer përsëri protagonistë, edhe pse rruga do të jetë e vështirë”, deklaroi ai. “Emërimi i Stramaçionit? Nuk është se m’u desh shumë kuraje për ta zgjedhur, pasi më dukej se kishte të gjitha karakteristikat e duhura për të bërë këtë punë dhe nuk u gabova në aftësitë e tij si person. Pa harruar mirënjohjen për një të kaluar të afërt, kjo ishte një kthesë sportive e politike, në një ekonomi që duhet të na japë forcën për të gjetur vlera pozitive. Punojmë më shumë dhe përdorim më shumë fantazinë”, ishte komenti i presidentit të Interit. I të njëjtit mendim është edhe vetë Andrea Stramaçioni, i cili i ka vënë theksin rëndësisë së këtij viti tranzicioni të skuadrës që dëshiron të kthehet protagoniste në arenën ndërkombëtare. “Ky është viti gjatë të cilit Inter hedh bazat për t’u kthyer përsëri të jetë protagoniste në Itali dhe Evropë. Sigurisht që rruga do të jetë e vështirë, por për këtë arsye dëshiroja që të isha këtu bashkë me kapitenin Zaneti për të falënderuar të gjitha partnerët e klubit, ata që janë të parët që besojnë te ne. Por nuk do të bëjmë shumë premtime, ne flasim në fushë”, tha trajneri i Interit.
—-
Murinjo: Historia nuk blihet me para!
Trajneri i Real Madrid, Zhoze Murinjo, duket se nuk shqetësohet nga pasuria e pafundme që kanë disa prej rivalëve të tij në Ligën e Kampioneve. Ndërsa skuadra si Çelsi, Mançester Siti, Paris Sent Zhërmen dhe Zenit kanë shpenzuar pafund gjatë periudhave të merkatos, objektivi i Real Madrid për të fituar trofeun e 10-të në Ligën e Kampioneve është bërë më i vështirë. Por Murinjo vazhdon të jetë i bindur se kur vjen koha për t’u transferuar, klubet e mëdha dhe historia e tyre kanë tërheqje më të madhe se milionat. “Madrid, Barcelona, Bajern Mynih. Këto skuadra janë unike. Titujt, Kupat e Evropës, historia, tradita, tifozët… këto gjëra nuk mund të blihen me para. Lojtarët më të mirë duan të jenë pjesë e këtyre skuadrave”, tha portugezi për “AS”. “Këto klube që përmenda dhe disa të tjerë, kanë raftet e tyre të mbushur me thuajse qindra trofe. Një gjë e tillë vazhdon të ketë një rol kur vjen koha që lojtarët të marrin një vendim”. Trajneri portugez mendon se me hyrjen në fuqi të fair-play financiar nga UEFA, edhe këtyre shpenzimeve të pakufizuara do t’u vijë fundi. “Platini thotë se këto rregulla do të aplikohen me përpikmëri. Ata do të sjellin kufizime dhe do të bëhet e vështirë për klubet që nuk janë të strukturuara mirë, edhe nëse ata kanë shuma të pakufizuara parash për të blerë. Real Madrid ka potencialin dhe historinë për të mbajtur lojtarë si Kristiano Ronaldo, Kazijas, Benzema, … me pak fjalë të gjithë skuadrën”. “Por klubet që mbijetojnë ekskluzivisht falë investimeve të pronarëve të tyre, nuk e kanë aq të lehtë, pasi do të ndeshen me vështirësi për shkak të mangësive strukturore dhe mungesës së historisë. Ndaj rregulli i fair-play financiar do të jetë një gjë e mirë për futbollin”, deklaroi Murinjo.
http://www.tiranaobserver.al
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply