
Deri tani janë numëruar mbi 45 përqind e kutive të votimit. E majta llogaritet të jetë afër 16 pikë më shumë se koalicioni i djathtë.
Armand Mero
Në Shqipëri, ndërsa janë numëruar mbi 45 përqind e kutive të votimit, rezultatet paraprake, flasin për një fitore të thellë të koalicionit të majtë të drejtuar nga Edi Rama.
Në nivel kombëtar, e majta llogaritet të jetë afër 16 pikë më shumë se koalicioni i djathtë i udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha. Opozita deri tani është në epërsi në 10 qarqe të vendit, me përjashtim të Kukësit.
Ndërsa në qarkun e Dibrës, rezultatet e deritanishme flasin për një ndarje të barabartë të 6 mandateve të këtij qarku.
Nga të dhënat e deritanishme, në 4 qarqet veriore, Aleanca për Shqipërinë Europiane kryeson në Shkodër, Lezhë dhe Dibër, ndërsa Aleanca per Punësim, Mirëqënie dhe Integrim, e kryesuar nga Partia Demokratike, kryeson në Qarkun e Kukësit.
Në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2009, Partia Demokratike fitoi 18 nga 28 mandatet e 4 qarqeve veriore, rezultat që pritet të përmbyset në zgjedhjet e tanishme.
Procesi i numërimit po ecën me ngadalësi edhe në jug të vendit. Në qarkun e Gjirokastrës deri tani janë numëruar rreth 60 qendra nga 237 që ka gjithë qarku.
Nga rezultatet paraprake kryeson bindshëm koalicioni i majtë me gati dyfishin e votave të koalicionit të djathtë.
Në shkallë vendi, deri tani sipas këtyre rezultateve ndarja në mandate përkthehet në 82-84 për koalicionin e majtë dhe 54-56 mandate për të djathtin.
Vëzhguesit ndërkombëtarë, në vlerësimin e tyre paraprak thanë sot se zgjedhjet ishin aktive dhe konkurruese, por mosbesimi mes forcave politike e dëmtoi mjedisin.
Kryetari i partisë socialiste Edi Rama, në një deklaratë të parë për ditën e sotme, u shpreh se “fitorja është edhe më e thellë se ç’duket”. Ai bëri thirrje që çdo votë, pavarësisht se cilës parti i përket, të respektohet, ndërsa kërkoi nga kryeministri Sali Berisha që palët të bashkëpunojnë për të mbyllur me sukses të gjithë procesin.
“Pavarësisht se në këto zgjedhje ka fituar PS dhe Aleanca për Shqipërinë Europiane, dhe ka humbur PD e aleanca e saj, është detyrim i barabartë si i yni edhe i tyre të nxjerrin Shqipërinë të fituar nga ky proces e bota të na përgëzojë duke çuar procesin deri në fund me dinjitet dhe duke u ndarë një herë e gjithmonë nga zgjedhjet turpëruese”, deklaroi zoti Rama.
Më herët, edhe kryesuesi i delegacionit të parlamentit europian Eduard Kukan u shpreh se “përmbyllja me sukses e këtyre zgjedhjeve do të ishte një shtysë shumë e madhe në përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian”.
Zeri i Amerikes
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply