Shirat, era dhe lagështira, tipike të sezonit të vjeshtës, në fakt mund të shkaktojnë apo përkeqësojnë edhe shqetësimet e shumta reumatizmale. Mund të ndërhyhet te dieta, në stilin tonë të jetesës apo në ritmet e përditshme për të shmangur këto lloj shqetësimesh? Për këtë arsye në suplementin e së shtunës në “Tirana Observer” do të lexoni se çfarë këshillojnë mjekët për reumatizmin. Por në këtë suplement nuk do të ndalemi vetëm tek kjo sëmundje, por edhe tek sëmundje të tjera që gjatë vjeshtë përkeqësohen, si përshembull sëmundja e hipertensionit. Moshat e dyta dhe të treta, mbi 45-vjeç, janë kontingjenti me i prekur nga sëmundja e hipertensionit dhe sëmundjet e gjakut. Kjo sëmundje bëhet edhe më serioze te personat që paralelisht vuajnë edhe nga sëmundje të tjera kronike. Për të gjithë këta të sëmurë shumë e rëndësishme është shmangia e ushqimeve që ndikojnë negativisht në sëmundjet e gjakut dhe hipertensionit. Për të lehtësuar disi këtë problem, mjekësia popullore vjen në ndihmë me kurat e përftuara nga bimët natyrore. Prandaj “Tirana Observer” publikon sot një paketë këshillash se si të shmangni sëmundjet e zemrës dhe të gjakut me anë të dietës së përditshme. Në një suplement prej 7-faqesh ju do të keni mundësinë të njihni recetat mjekësore popullore dhe këshillat për t’i parandaluar sëmundjet e ndryshme. Cilat janë ushqimet që kurojnë aneminë, frutat e perimet e dobishme për zemrën. Ndërsa më poshtë, radhiten këshilla dhe receta me bimë e ushqime, të cilat janë të njohura për efektet e tyre kundër të gjitha sëmundjeve më të shpeshta që rrezikojnë organizmin e njeriut, si problemet me zemrën dhe tensionin. Këshillat mbërrijnë nga mjekët kardiologë, që shpjegojnë se si me anë të ushqimeve, frutave e perimeve të parandaloni sëmundjet e gjakut dhe hipertensionin.
Si mund ta kontrolloni vetë hipertensionin arterial
Ndiqni shtatë rekomandimet e specialistëve për të rregulluar tensionin e gjakut pa ilaçe. Tensioni i lartë i gjakut mund të përballohet duke bërë ndryshime në jetën e përditshme si dhe në regjimin ushqimor. Nëse interesoheni të dini se a mund të rregulloni tensionin e gjakut pa marrë ilaçe, përgjigjja është tepër optimiste. Më poshtë po ju paraqesim disa udhëzime të shkurtra si të jeni në gjendje që të kontrolloni hipertensionin tuaj arterial. Sipas specialistëve, në disa raste tensioni i lartë i gjakut, ose hipertensioni jo shumë i lartë, mund të përballohet me sukses duke realizuar disa ndryshime në jetën e përditshme si dhe në regjimin ushqimor. Të njëjtat udhëzime vlejnë edhe për rastet e hipertensionit të mesëm dhe atij shumë të lartë, por gjithmonë në kombinim me terapitë mjekësore për të pasur rezultat më të mirë. Kjo sëmundje nganjëherë shoqërohet me arteriosklerozën e enëve të gjakut, që nuk lë pa prekur enët koronare që ushqejnë zemrën, ngushtimi i të cilave shkakton dhembje në zonën e zemrës, vështirësi në frymëmarrje gjatë sforcimit fizik. Në të gjitha këto sëmundje të shkaktuara nga hipertensioni, lëngu i limonit jep rezultate shumë të mira, ndaj dhe mjekët popullorë këshillojnë që kjo agrume të konsumohet sa më shpesh për parandalimin e tyre.
Rekomandime dhe këshilla
1. Humbisni peshën e tepërt
Mungesa e peshës është një hap tepër i rëndësishëm në normalizimin e hipertensionit. Madje nuk është e rastit që shpesh personat që vuajnë nga hipertensioni përfshihen në kategorinë e njerëzve me mbipeshë. Rreziku nga kilogramët e tepërt është më i madh kur mbipesha është grumbulluar në disa pjesë të trupit, konkretisht në bark dhe kraharor. Të mirat e mungesës së mbipeshës janë të shumta. Përveç se ajo ndikon në uljen e tensionit të lartë arterial, vepron edhe në rënien e nivelit të kolesterolit, etj. Gjithashtu ndihmon në rregullim e niveleve të sheqerit në gjak në rast diabeti. Mos harroni se kombinimi i tensionit të lartë, i kolesterolit në rritje dhe diabetit përbën një faktor tepër rëndues për funksionimin normal të sistemit kardiologjik.
2. Shëtisni
Specialistët u këshillojnë të sëmurëve me tension të lartë që të ecin të paktën 2-3 herë në javë për 45 minuta (është kjo koha që nevojitet mesatarisht për të përshkuar një distancë prej 4 kilometrash). Përkundrazi, ata ndalojnë ushtrimet me peshë pasi në këtë mënyrë rritet shumë presioni arterial dhe vonon që të vijë në nivele fiziologjike. Ndërkaq, nuk përjashtohet që një i sëmurë me hipertension të kryejë ushtrime me pesha, por kjo do të realizohet vetëm pasi ai të ketë nisur tashmë një program aerobik, sipas këshillave të mjekut të tij dhe në bazë të rezultateve të analizave të domosdoshme si për shembull, test i lodhjes etj.
3. Lini duhanin
Duhani shkakton çarjen e kapilareve dhe ndikon në humbjen e elasticitetit të tyre. Është provuar se edhe një cigare është e aftë të shkaktojë çarje dhe kjo sepse presioni i gjakut që qarkullon në brendësi të kapilarëve rritet. Përveç tensionit të gjakut, shpeshtohen edhe rrahjet e zemrës pasi kjo e fundit është e detyruar të punojë më tepër me qëllim që të mbulojë nevojat e organizmit me oksigjen. Me ndërprerjen e duhanit muret e kapilareve bëhen më elastike, ndërsa zemra punon me ritëm normal dhe nuk lodhet.
4. Kontrolloni stresin
Megjithëse kjo këshillë është e vështirë që të zbatohet, pasi stresi është i pranishëm në jetën tonë të përditshme, e vërteta është se nëse dëshironi ta përballoni me sukses hipertensionin duhet të kontrolloni stresin. Me fjalë të tjera, stresi funksionon sikurse duhani, duke çuar në rritjen e tensionit të gjakut. Personat e brezit të tretë janë më të prekur nga hipertensioni pasi kapilarët e tyre janë më të fortë, më shumë pak elasticitet, për shkak të moshës.
5. Regjimi ushqimor
Preferoni peshkun. Peshqit (si sardelet, salmoni, etj.) përmbajnë tre përbërje yndyrore, të cilat është provuar se ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut. Studimet rreth kësaj çështjeje janë realizuar në popuj të cilët konsumojnë shumë peshk, si për shembull, eskimezët. Natyrisht që efekti i këtyre përbërjeve tek ju varet nga shpeshtësia e konsumimit të peshkut. Mirë është që të preferoni të hani peshk dy herë në javë dhe të kufizoni konsumin e mishit të viçit, derrit, pulës etj., deri në një herë në javë.
6. Frutat dhe zarzavatet
Frutat dhe zarzavatet kanë në përbërjen e tyre lëndë të cilat ndihmojnë në ruajtjen e kapilarëve në gjendje sa më të mirë. Pjesa e brendshme e tyre “sulmohet” nga tensioni i lartë i gjakut, kolesteroli dhe diabeti. Në sajë të lëndëve të vlefshme që përmbajnë frutat dhe zarzavatet, kapilarët qëndrojnë hapur duke lehtësuar qarkullimin sa më normal të gjakut. Specialistët propozojnë që vaktet tuaja të kenë në përbërjen e tyre fruta, zarzavate dhe pak yndyrë mishi.
7. Rregulloni temperaturën e shtëpisë
I ftohti është një faktor rëndues për hipertensionin, megjithëse shumë e injorojnë. Nuk është e rastit që në verë kardiologët zvogëlojnë sasinë e ilaçeve kundër hipertensionit, për shkak se nxehtësia ul tensionin. Përkundrazi, ndenja në të ftohtë rrit presionin arterial. Ndaj është e rëndësishme që ju të tregoheni të kujdesshëm që shtëpia juaj të jetë e ngrohtë.
Limoni normalizon tensionin e lartë
Një mënyrë mjaft e suksesshme për uljen e tensionit të lartë të gjakut, është lëngu i limonit. Sëmundja e hipertensionit, është pasojë e çrregullimeve të funksioneve të aparateve nervore qendrore, që marrin pjesë në rregullimin e presionit të gjakut. Por ajo mund të shfaqet edhe me rritjen e moshës si dhe prej sëmundjeve të veshkave. Shenjat e sëmundjes shfaqen gradualisht. Presioni arterial, në fazat fillestare, lëkundet me ngritje e zbritje dhe më vonë stabilizohet me shifra të ngritura.
Lëngu i Kulfimës ndihmon qarkullimin e gjakut
Bima e kufilmës ose lulevathit është një prej bimëve më të njohura, që ndihmojnë në qarkullimin sa më të mirë të gjakut, dhe ndihmon në funksionimin e mirë të zemrës. Në rrahjet e shpejta të saj çaji ka dhënë rezultate shumë të mira. Mjekët këshillojnë pirjen e dy gotave çaji në ditë.
Rreziku që sjell tepria me kripën
Natriumi, përkatësisht kripa, sigurisht është armiku më i madh i personave që vuajnë nga hipertensioni. Shkaku shpesh shpjegohet me faktin se kripa e tepërt shton sasinë e lëngjeve në gjak dhe “zgjeron” arteriet, gjë që shkakton ngritjen e tensionit. Sasia mesatare e kripës që fusim në organizëm, sillet prej 10-15 gramë në ditë, gjë që është tepër, nëse e dimë se nuk duhet tejkaluar 4-5 gramë në ditë. Këtë sasi nuk është e vështirë ta arrijmë sepse shumë artikuj ushqimore përmbajnë kripë, e shprehia që ushqimi të “kriposet” gjatë zierjes është tepër e përhapur.
Gjethet e rrushit të zi
Gjethet e rrushit të zi kanë dhënë një ndihmese të përsosur për problemet e qarkullimit të gjakut. Si për shembull, këmbët e rënda e të fryra, varicet, hemorroidet, qarkullim jo i rregullt i gjakut, etj. Këto gjethe përmbajnë një substancë që quhet anthocyanosides e cila i jep gjetheve edhe ngjyrën e kuqe gjatë stinës së vjeshtës. Kjo substancë ka për karakteristikë aktivitetin vitaminoz të substancës “P”, e cila rrit ndjeshëm rezistencën dhe tonikun e venave e të arterieve. Për këtë rekomandohet që gjethet e thara të rrushit të zi të lihen në ujë të valuar përgjatë 5 deri në 10 minuta.
* * * * * *
Kurat popullore për tensionin e lartë
Ilaçi i artë i Pilarit për qarkullimin e gjakut. 1 dorë gjethe veshtulle, 1 lugë gjelle gjethe mëtriku, 1 lugë gjelle gjethe ulliri, 1 lugë çaji lëng hithre. Gjethet e veshtullës, mëtrikut dhe të ullirit copëzohen, përzihen mirë e mirë. Hidheni në një vorbë. Në të hidhet një litër ujë i ftohtë shiu. Lëreni të mbuluar gjithë natën për 13 orë, pastaj kullojeni. Çdo tasi para se të pihet, i hidhet një lugë çaji lëng hithre. Lëngu i hithrës përgatitet duke i grirë ato në një havan druri, dhe pastaj gjethet e grira hollë shtrydhen fort duke përftuar lëngun.
Përdorimi:
Pini 3 herë në ditë nga një tas të tillë. Nëse dëshironi, mund ta ëmbëlsoni me mjaltë. Ky ilaç përdoret në të dy rastet edhe kur tensioni është i lartë, edhe në rastin e kundërt kur ai është i ulët. Efekti i tij është balancues.
Dieta oriz-mjaltë
Dieta oriz-mjaltë. Për çdo ditë 250 gramë oriz natyror, 750 gramë lëng nga fruta të freskëta, 100 gramë mjaltë, 10 gramë tharm (maja buke). Orizin ziejeni me avull. Mos i hidhni kripë përsipër pastaj përziejeni me lëng frutash ose me fruta. Mbas ftohjes ëmbëlsojeni me mjaltë. Mjalti nuk duhet të nxehet mbi 40 gradë, se ndryshe humbet një pjesë të mirë të substancave vepruese. Ndaheni në 7 porcione.
Përdorimi:
Në mëngjes esëll hani 5 gramë maja dhe pastaj porcionin e parë të dietës oriz-mjaltë. Në mbrëmje para vaktit të fundit merrni edhe 5 gramët e mbetura të majasë dhe pas saj porcionin me oriz-mjaltë. Mos pini gjë tjetër me përjashtim të pijes gjithçkashëruese. Krahas tyre këshillohet të jeni gjakftohtë dhe të shpenguar, sepse vetëm frika e rritjes së tensionit mund të na nxisë drejt një rrethi vicioz, sepse frika e rrit tensionin e gjakut. Ai duhet të matet vetëm në mëngjes pasi jeni çuar nga gjumi dhe me gjendje shëndetësore të çlodhur dhe të ç’tendosur.
Çaj me valerianë kundër tensionit të lartë
1 dorë rrënjë valeriane, 1/2 dorë lule livande, 1/2 dorë rozmarine, 1 dorë gjethesh nerënxe, 1 dorë lule kamomili. Rrënjët valeriane priten në copa të vogla, gjethet e nerënxës copëtohen me dorë. Ato përzihen me rozmarinën, lulet e livandës dhe kamomilin. Për çdo tas çaj hidhet një lugë gjelle përzierje. Uji duhet të jetë valë i nxehtë. pastaj lihet për 13 minuta i mbuluar.
Përdorimi:
Pini 2 herë në ditë nga një tas çaji të ngrohtë e të ëmbëlsuar me mjaltë.
Çaj me gjethe ulliri
1 dorë gjethe ulliri, 7 thelpinj hudhre. Gjethet e ullirit hidhini në një litër ujë të valuar dhe përziejini. Lërini mbuluar për 13 minuta. Pastaj kullojeni mirë lëngun. Mbi lëngun shtrydhni 7 thelpinjtë e hudhrës.
Përdorimi:
Pini mëngjeseve dhe darkave për një javë rresht nga një tas çaji me gllënjka. Pastaj ndërpriteni për një javë. Pastaj bëni të njëjtën gjë të përshkruar më sipër dhe një javë tjetër, duke pirë sërish 2 tasa çaji në ditë.
Nevojat e zemrës për natrium
Mungesat më të mëdha të kaliumit vijnë si rezultat i konsumit të tepërt të natriumit përmes kripës. Në fakt, kaliumi dhe natriumi në organizëm, janë në ekuilibër mes tyre. Perëndimorët harxhojnë tri herë më shumë natrium (përmes kripës) se sa kalium. Ky çekuilibër midis dy mineraleve është në origjinë të hipertensionit arterial, të shqetësimeve kardiake apo cerebrale, të humbjes së kalciumit, të gurëve në veshka apo të osteoporozës. Më pak të rënda, por po aq shqetësuese, janë shenjat paralajmëruese të mungesës së kaliumit si lodhja, ngërçet, fryrjet e barkut, vështirësia intestinale.
Lëngu i Kulfimës
Bima e kufilmës ose lulevathit është një prej bimëve më të njohura, që ndihmojnë në qarkullimin sa më të mirë të gjakut, dhe ndihmon në fuksionimin e mirë të zemrës. Në rrahjet e shpejta të saj çaji ka dhënë rezultate shumë të mira. Mjekët këshillojnë pirjen e dy gotave çaji në ditë. Edhe për qetësimin e dhimbjeve të kokës shumë të shpeshta këto ditë te kushdo, si pasojë e diellit të fortë, kjo bimë është mjaft e mirë. Në këtë rast këshillohet pirja e menjëhershme e çajit të ëmbëlsuar. Kufilma është e pasur me lëndë vepruese, siç janë lëndët jargëzuese, esenca dhe taninet, alkooloide të ndryshme, si dhe alantoina dhe kalcium të lidhur me komponentë organikë. Në sajë të këtyre përbërësve çaji i përftuar nga rrënjët e grimcuar dhe të thara të bimës, me mjaft sukses përdoret edhe në sëmundjet kronike të kyçeve dhe kockave. Për të lehtësuar dhimbjet nevojitet një gotë çaj dhe rezultati do të jetë i shpejtë. Për qetësimin e kollës dhe kur ajo është e shoqëruar me sekrecione kufilma është mjaft e domosdoshme. Në sajë të elementëve përbërës, bëhet e mundur lëngëzimi i sekrecioneve dhe largimi i tyre gjatë kollitjes. Për të larguar kollën, që shoqëron sëmundje e ndryshme, bima përdoret për të qetësuar dhimbjet dhe ndihmon në ripërtëritjen e indeve të dëmtuara dhe shërimin e plagëve.
Hipertensioni dhe fruti i limonit
Një mënyrë mjaft e suksesshme për uljen e tensionit të lartë të gjakut, është lëngu i limonit. Mjekët popullorë rekomandojnë lëngun e përftuar nga shtrydhja e të paktën 4 kokrrave në ditë. Lëngu mund të pihet ashtu siç është ose i ëmbëlsuar. Kura me limon këshillohet të zgjasë për 2 muaj. Sëmundja e hipertensionit, është pasojë e çrregullimeve të funksioneve të aparateve nervore qendrore, që marrin pjesë në rregullimin e presionit të gjakut. Por ajo mund të shfaqet edhe me rritjen e moshës si dhe prej sëmundjeve të veshkave. Shenjat e sëmundjes shfaqen gradualisht. Presioni arterial, në fazat fillestare, lëkundet me ngritje e zbritje dhe më vonë stabilizohet me shifra të ngritura. Me zhvillimin e mëtejshëm të sëmundjes shfaqen dhimbjet e kokës, marrja e mendve, çrregullimi i gjumit, shpejtimi i ritmit të pulsit si dhe dobësi e përgjithshme.
Bananet ul tensionin e lartë
Bananet janë shumë të rëndësishme në përdorimin kundër hemoragjise Cerebrele, po ashtu ato ulin tensionin e lartë, ulin aciditetin e stomakut, si dhe ndihmojnë kundër diarresë. Në qoftë se vuani nga tensioni i lartë duhet të mendoni gjithmonë, për frutin tropikal të Bananes. Dielli është ai që ngre tensionin, ndërsa banania bën të kundërtën e tij. Studimet kanë treguar se banania është frut shumë i pasur me Kalium, dhe si e tillë ajo ndihmon në uljen e rrezikut të hemoragjisë Cerebrale. Banania është burim kaliumi, një frut i tillë ka 396 miligram ose 11 për qind të mineraleve të nevojshme të një dite. “y deri tre banane ne dite janë optimale”, thotë Biofisikanti David Young. Nëpërmjet këtij fruti ndodh ulja e ndjeshme, që shkakton kundër aciditetit të lartë në stomak. Banania mbron stomakun, pasi arrin të bllokojë bakteret që mund të jenë aktive në të.
Efektet pozitive të qumështit
Qumështi është një ndër komponentët më të rëndësishme në një dietë të shëndetshme. Në të gjenden përbërës të Çilët luajnë rol të rëndësishëm në forcimin e kockave, ulin tensionin e gjakut, si dhe nivelin e lartë të kolesterolit në gjak. Qumështi ndihmon edhe në uljen e rrezikut të prekjes nga paraliza të ndryshme. Me gjithë vlerat e mëdha që ka qumështi, përsëri i rekomandueshëm është përdorimi i qumështit me yndyrë të reduktuar. Një gotë qumësht përmban 10 për qind yndyrë. Në kohët e sotme ekziston mundësia e një qumështi me yndyrë të reduktuar. Qumështi është i dobishëm edhe për trurin. Në një studim të bërë u zbulua se personat që pinin një gjysmë litri qumësht në ditë kishin 50 për qind rezistencë më të fortë kundrejt trombozës. Në uljen e tensionit dhe kolosterolit ndikon përmbajtja e kalciumit të gjendur te qumështi. Këshillohet të paktën një gotë qumësht në ditë.
* * * * * *
Çokollata e zezë ul tensionin e gjakut
Kura popullore ka treguar se çokollata e zezë është diçka e mirë për zemrën. Ajo ndihmon në forcimin e arterieve tek ata që pinë cigare dhe ka me shumë antioksidantë në një gram se një gotë verë, çaj apo luleshtrydhet. Studimi i fundit për çokollatën tregon se çokollata e zezë mund të jetë më e mirë nga ç’mendohet dhe disa mund të hanë çokollatë për arsye mjekësore. Ata që e kanë qejf çokollatën duhet të gëzohen. Mjekët kanë disa kohë që thonë se çokollata të bën mirë. Po të hash çokollatë të zezë për çdo ditë nga pak, mund të ndihmojë në uljen e tensionit të gjakut. Çokollata e zezë e ul tensionin sistolik me 2.9 pikë dhe tensionin diastolik, tensionin e ulët, me 1.9 pikë. Studime të tjera tregojnë se çokollata me qumësht, çokollata e bardhë ose çokollata e zezë e ngrënë me qumësht, nuk kanë të njëjtat efekte si çokollata e zezë vetëm. Çokollata e zezë përmban elementë të quajtur polyphenols, i cili rrit nivelin e një substance në trup që quhet oksid nitrik, i cili zgjeron vazot e gjakut duke rritur qarkullimin i cili sjell në uljen e tensionit. Ky është një lajm i mirë për ata të cilët vuajnë nga tensioni. Vërtet ky është një efekt i mirë, megjithatë çokollata sjell shtimin në peshë. Por edhe me të nuk duhet tepruar. Duhet që të mos përdorësh me shumicë ushqime që të pëlqejnë. Në qoftë se e tepron, atëherë efektet pozitive nuk kanë më vlerë. Dhe shtimi në peshë nuk është aspak i mirë për tensionin.
Çokollata kuron:
1-Ndihmon zemrën për një funksionim më të mirë
2-Bën të mundur uljen e tensionit të gjakut
3-Bën ekuilibrin e tensionit të lartë dhe atij të ulët
4-Rekomandohet veçanërisht çokollata e zezë
5-Disa njerëz e përdorim edhe si kurë popullore
Kakaoja shmang hipertensionin
Kakaoja mbron nga sëmundjet kardiovaskulare, stimulon neuronet, kuron gjendjen shpirtërore. Ajo ka të gjitha vetitë e çokollatës.
Stimuluese, antidepresive, për çdo nevojë afrodiziake. Për disa persona nuk ka shumë ndryshime nga një drogë. Kakaoja, mes të gjitha ushqimeve, është burimi më i pasur me “flavanoli”, substanca biologjikisht aktive, të cilat gjenden tek ushqimet bimore. Të mos i ngatërrojmë me “flavanoli”-t e verës, të cilat mungojnë te kakaoja. Ato janë substanca intoksikuese, që gjenden në brendësi të saj, që mbrojnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ndihmojnë në mbajtjen hapur të arterieve. Pak kakao mund t‘i japë një shtysë kujtesës. Kakaoja, si çaji dhe kafeja, përmban substanca të ngacmuese të cilat veprojnë mbi receptorët e sistemit nervor, duke rregulluar efektshmërinë e qelizave. “Flavanoli” nxit një pjesë të mirë të përgjigjeve të neuroneve, që është reagimi i parë në bazë të fenomeneve shumë të vështira të kujtesës dhe kuptimeve. Kakaoja përmban Flavan-3-ols, një përbërës i cili ndihmon në uljen e presionit të gjakut. Përbërësit e kakaos njihen si nga antioksidantët më të përqendruar dhe që ju mbrojnë realisht nga sëmundjet e zemrës dhe nga kanceri. Po ashtu, mos harroni edhe çokollatën e zezë, e cila ju mbron nga rreziku i vdekjes.
Kakao kuron:
1-Të mbron nga sëmundjet kardiovaskulare
2-Është antidepresive
3-Bën të mundur uljen e presionit të gjakut
4-Parandalon kancerin
5-Zhvillon kujtesën
Dardha rregullon hipertensionin
Është një ndër frutat që u rekomandohet të gjithë njerëzve që kanë probleme me zemrën. Pasi dardha me të gjitha përbërjet e veta bën të mundur forcimin e damarëve të zemrës si vendos ekuilibër mes presionit të ulët të gjakut. Pikërisht për këtë arsye, mjekët popullorë këshillojnë që dardhat të konsumohen çdo ditë nga njerëzit që kanë probleme me rrahjet e shpeshta të zemrës, si dhe ata që përjetojnë emocionet të forta.
Shega ndikon në presionin e gjakut
Lëngu i shegës është pija më e preferuar për dekada të tëra, në vendet e Mesdheut Lindor dhe tani ka filluar të jetë edhe shumë e kërkuar në Amerikë. Disa shkencëtarë izraelitë kanë zbuluar se burrat që pinë një gotë me lëng shege në ditë, jo vetëm mbrohen nga kanceri i prostatës, por edhe rregullojnë sistemin e tyre sistolik, punën e zemrës dhe presionin e gjakut. Katër gota me një lëng të tillë do të plotësonin 50 për qind të nevojave tuaja ditore për Vitaminën C. Kështu ajo ndihmon jo vetëm në shumë procese trupore, por shton edhe rezervat e vitaminave në organizëm.
1-Mbron nga kanceri i prostatës
2-Rregullojnë sistemin sistolik
3-Rregullojnë punën e zemrës dhe presionin e gjakut
4-Përmban vitaminën C
5-Shton rezervat e vitaminave në organizëm
Kajsia ndihmon në prodhimin e gjakut
Nëpërmjet konsumimit të kajsisë, trupi i njeriut përfton prodhimin e gjakut. Zbukuron lëkurën dhe bën mirë për flokët. Mbi të gjitha është e këshillueshme kryesisht për femrat, pasi mjekët e bimëve deklarojnë se përdorimi i kajsisë bën të mundur parandalimin e kancerit.
Misri mban larg hipertensionin
Misri vazhdon të jetë numri një për të mbajtur konstante nivelin e kolosterolit në gjak, pasi ul ndjeshëm grafikun e yndyrës në gjak. Ai luan rol në prodhimin e energjisë trupore te njeriu. Misri është një burim i vërtetë proteinash dhe vitaminash. Në një studim të bërë me meshkuj të cilët kishin kolosterol të lartë, pas një trajtimi me produkte misri, si dhe me ushqime të varfra në yndyre, u arrit në rezultate mjaft të kënaqshme. Misri gjithashtu është burim energjie, sepse përmban vitaminën B, të domosdoshme për njeriun. Në vendin tonë një përdorim të veçantë ka zënë “Buka e misrit” dhe gjithmonë është rekomanduar për njerëzit që vuajnë nga hipertensioni.
Rrepat ruajnë presionin e gjakut
Efektet e rrepës janë të ngjashme me ato të spinaqit dhe të dyja këto bimë janë të nevojshme e të dobishme për organizmin. Rrepat përmbajnë folat dhe batainë, dy lëndë ushqyese të cilat ndihmojnë në ruajtjen e nivelit të gjakut, rindërtojnë arteriet e dëmtuara, zvogëlojnë rrezikun për sëmundjet e zemrës, etj. U këshillohet të gjithë amvisave që të përdorin sa më shumë të jetë e mundur në menynë e tyre rrepën e kuqe. Është e domosdoshme mësimi i fëmijëve që në vegjëli me shijen e rrepave.
Ekuilibri midis Potasium-it dhe Sodium-it
Nga kërkimet e shkencëtarit Dahl mësohet se fajtori kryesor në shkaktimin e hipertensionit është kripa. Mjekët e dinë tashmë ndjeshmërinë e veçantë që kanë disa pacientë me hipertension. Tek këta pacientë nëse ndërpritet sasia e madhe e kripës që ata marrin në ushqime edhe hipertensioni zhduket. Sasia e këshilluar e kripës është 800 miligram në ditë. Por në shumicën e rasteve me hipertension ulja e konsumit të kripës (sodiumit) nuk mjafton.
Të sëmurët më hipertension duhet të respektojnë raportin e potasiumit me sodiumin për të arritur rezultate pozitive. Raporti duhet të jetë I tillë që sasia potasiumit të jetë tre herë më e lartë se sasia e sodiumit . Raporti I potasiumit me kripën duhet të jetë 3 me 1. Ky raport quhet nga shkencëtarët Faktori K.
Aloe vera për kurimin e leucemisë
Lëngu i bimës Aloe Vera është mjaft i mirë për të gjithë ata që janë të sëmurë nga leucemia. Aloe Vera ka dhënë efekt të mirë në infeksionin në gjak. Për përgatitjen e kurës nevojiten 900 gramë lëng nga kjo bimë dhe 100 gramë mjaltë. Masa e përftuar duhet të pihet 3 herë në ditë nga 100 gramë për çdo vakt. Mjekimi me këtë kurë duhet të zgjasë 2 deri në 3 muaj. Kura vazhdon për 2 muaj me radhë deri në përmirësim të dukshëm të shëndetit.
* * * * * *
Vjeshta, stina e alergjive dhe reumatizmave
Shirat, era dhe lagështira, tipike të sezonit të vjeshtës, në fakt mund të shkaktojnë apo përkeqësojnë edhe shqetësimet e shumta reumatizmale. Mund të ndërhyhet te dieta, në stilin tonë të jetesës apo në ritmet e përditshme për të shmangur këto lloj shqetësimesh? Ja se çfarë këshillojnë mjekët. Para së gjithash është i nevojshëm një sqarim, duke qenë se shumë flasim për reumatizmin, por pak e dinë se çfarë kuptohet vërtet me këtë fjalë: “Reumatizmat janë një grup sëmundjesh, në përgjithësi kronike, të karakterizuara nga dhembje në kyçe dhe muskuj. Me këtë term kuptohen shqetësime shumë të ndryshme nga njëra-tjetra për sa u përket shkaqeve, mekanizmave të shfaqjes, zhvillimit, prognozës dhe terapisë”. Simptomat e sëmundjes ndryshojnë nga një njeri te tjetri. Megjithatë ka disa shenja të përgjithshme të saj. Sa më shumë që sëmundja avancon, aq më tepër enjten, deformohen dhe dhembin kyçet, kufizohet lëvizja dhe shtohet dhembja. Për sa u përket shkaqeve të përgjithshme, mjekët përmendin moshën, ku artroza sa vjen e theksohet. Po ashtu klima e ftohtë ndikon shumë në rëndimin e artrozës poliartikulare. Nëse vuani nga artriti reumatik, ju mund të humbni edhe oreksin, të ndiheni të dobët dhe të pafuqishëm. Por, për të mos i lejuar simptomat që të përparojnë, ju duhet të mbani një dietë ushqimore të balancuar dhe të bëni ushtrime të lehta. Hani shumë fruta dhe perime. Ju duhet të merrni rregullisht vitamina, sepse sëmundja juaj ju bën deficitar në disa lloje vitaminash si p.sh.: vitamina D, që është shumë e rëndësishme për kockat. Gjithashtu duhet të merrni edhe kalcium. Ndryshe nga ç’mendohej, sëmundjet reumatizmale nuk janë tipike të plakjes, apo moshës së tretë, përkundrazi shumë të rinj (sipas disa vlerësimeve një në dhjetë europianë) kanë sëmundje reumatizmale. Si t’i dallojmë?
“Nëse format e keqësuara të lidhura me osteoartrozën dhe osteoporozën tentojnë të prekin një pjesë të popullsisë më të madhe në moshë, artriti reumatik mund të prekë njerëz më të rinj në moshë. Një nga karakteristikat më të rëndësishme të reumatologjisë është mungesa e një analize patognomonike në gjendje të konfirmojë me siguri diagnozën e një sëmundjeje specifike. Çdo sëmundje kërkon kritere specifike për ta diagnostikuar, për këtë arsye bëhet e domosdoshme vizita te një specialist i këtyre sëmundjeve. Me fjalën reumatizëm kuptohen të gjitha sëmundjet reumatike. Artroza, ose më mirë osteoartroza, është një formë e veçantë e reumatizmës që karakterizohet nga brerja me kalimin e viteve e kërcit që ndodhet në zonën ku bashkohen kockat midis tyre.
Është e vërtetë se lloji i ushqimeve
mund të shmangë shqetësimet akute?
Në të kaluarën i jepej shumë rëndësi parandalimit përmes dietës, të ashtuquajturave reumatizma dismetabolike. Sot, për shkak të informacioneve të shumta që disponojmë, roli i dietës në këto lloj sëmundjesh është reduktuar shumë. Megjithatë duhet të theksoja atë që të gjithë mjekët thonë: një ushqyerje e shëndetshme dhe e ekuilibruar, si për nga sasia ashtu edhe për nga cilësia, është një lloj ilaçi parandalues për të gjitha sëmundjet në përgjithësi.
Përse nga lagështia, dhembjet bëhen më të forta? Mund të konsiderohet kjo një shenjë e dukshme e pranisë së sëmundjeve reumatike? Shtimi i dhembjeve në prani të lagështisë nuk është i lidhur shumë me lagështinë se sa me ndryshimet barometrike që shoqërojnë ndryshimet klimatike. Dush me ujë të nxehtë, pak gjimnastikë e lehtë dhe veshje të rënda. Është e vërtetë se me këto këshilla mund të ndihemi më mirë? Sigurisht që po, mbi të gjitha nëse bëhet fjalë për dhembje të lokalizuara vetëm në një ditë. Ndryshe është puna nëse dhembja zgjat, sepse atëherë bëhet e nevojshme një konsultë me mjekun specialist në gjendje të na orientojë drejt diagnozës së saktë. Sot, në fakt, diagnostikimi i hershëm është bërë shtylla e trajtimit të çdo sëmundjeje, duke qenë se vetëm ndërhyrja fillestare mund të shmangë dëmtimet e mëvonshme që mund të jenë shumë të rënda dhe me pasoja të pakthyeshme. Cila është këshilla juaj për ta jetuar sa më mirë vjeshtën? Shëndeti është një gjendje që kërkon ndërgjegjësim dhe angazhim. Duhet të ushqehemi me ushqime të sezonit, mbi të gjitha biologjike, që nuk janë të pasura vetëm me kalori, por me të gjitha elementet e nevojshme për një funksionim korrekt të organizmit tonë. Shpesh në vendet perëndimore janë vënë re episode të kequshqyerjes, për shembull për sa u përket disa vitaminave ose mineraleve të veçanta, për shembull te personat mbi peshë. Pastaj shumë i rëndësishëm është edhe aktiviteti fizik. Duhet të nisim ecjen dhe të riorganizojmë ditët tona kaotike në qytetet e mëdha, duke lënë shpesh makinat dhe duke ju kthyer zakoneve të vjetra. Vetëm kështu do të jemi në gjendje të zgjasim jetën dhe t’u japim jetë viteve.
* * * * * *
Bimët dhe kurat për të trajtuar të
gjitha format e sëmundjeve reumatike
Të gjitha format e sëmundjeve reumatike, duke filluar që nga artrozat e deri tek osteoporoza, nga dhimbjet e belit e deri tek artriti reumatoid, janë të rënda për t’u trajtuar nëse zbulohen me një vonesë të madhe. Mjekët këshillojnë se është mjaft e rëndësishme të kapen me kohë shenjat e para të sëmundjes. Diagnostifikimi mund të bëhet me mjaft sukses, meqë simptomat e para të kësaj sëmundjeje hetohen lehtë.
Artriti
Artriti reumatik është forma më e rëndë e sëmundjeve reumatike, që fillon me një inflamacion të artikulacioneve, vihet re që në mëngjes herët, me t’u zgjuar nga gjumi. Shfaqet me lëvizjen e vështirësuar të duarve, që mund të zgjasë edhe deri në një orë. Në këto raste është mirë të paraqiteni menjëherë te specialisti, i cili do t’ju këshillojë një sërë ekzaminimesh laboratorike për të vërtetuar praninë e faktorit reumatik në serumin e gjakut tuaj. Bëni kujdes! Vetëm analizat nuk mjaftojnë. Për konstatimin e diagnozës ka ende nevojë për një krahasim të shenjave klinike me përfundimet laboratorike nga mjeku specialist.
E njëjta këshillë vlen edhe për artrozën më të thjeshtë e deri te format e tjera reumatike. Analizat, edhe pse të nevojshme, nuk mund të jenë krejtësisht të sakta. Përkundrazi, është e nevojshme një vizitë te mjeku specialist, i cili do të bënte vlerësimin e tërë situatës klinike dhe të të dhënave laboratorike. Ky vlerësim nuk do të thotë vetëm një “lexim” i thjeshtë i radiografisë.
Mjekimi
Ata që vuajnë nga reumatizmi e dinë mirë se antiinflamatorët,që shërbejnë për të lehtësuar dhimbjen, shkaktojnë dëmtime në stomak e në veshka. Kështu, duke u munduar që të mjekojnë një sëmundje, shkaktojnë një tjetër.
Zbulimet më të fundit mbi “dhimbjet e lehta”
-Klima. Nuk është e vërtetë se lagështira shkakton reumatizmin. Ajo reumatizmin e bën vetëm më të rëndë.
-Uji. Ata që mbajnë shpesh duart në ujë nuk janë më të rrezikuar se të tjerët. Por, nëse vuan nga reumatizmi, atëherë ajo shton dhembjet.
-Pesha. Personat që kanë peshë më të lehtë trupore vuajnë më shumë se ata që kanë disa kilogramë më tepër, por jo shumë.
-Dieta. Të hash fruta e perime ndihmon në luftimin e sëmundje së reumatizmës. Më mirë është të pakësohet përdorimi i mishit, i verës, dhe i ushqimeve me erëza.
-Dhimbjet e shpinës. Mjekimi i vetëm për këtë sëmundje është pushimi i plotë. Sipas statistikave, të gjitha dhimbjet e belit zgjasin një javë, qofshin të kuruara ose jo me pomada të ndryshme apo me antiinflamatorë.
-Dhimbjet të qafës. Një ndër tri rastet, ka prejardhje psikologjike. Ndër sëmundjet reumatike është mjaft e fortë trashëgimia gjenetike. Por specialistët japin disa këshilla për të larguar rrezikun e sëmundjes.
-Ushtrimet fizike. Kryerja e ushtrimeve është themelore. Duhen bërë vazhdimisht, por nuk duhet të kalohet masa. Not e gjimnastikë ; këto janë sportet që rekomandohen më së shumti. Por, për më të moshuarit janë më të përshtatshme shëtitjet e gjata.
–Qumështi. Rekomandohet konsumimi i një sasie të madhe qumështi. Kjo vlen për të gjithë personat që vuajnë nga osteoporoza (mungesa e kalciumit) duhet të pinë 4-5 gota qumësht në ditë.
-Dielli e ajri i pastër. Janë aleatët e tjerë për një formë të mirë fizike e për të gëzuar një shëndet sa më të mirë.
Çfarë duhet të bëjmë për të lehtësuar dhimbjet e reumatizmit
Për të vuajtur sa më pak, tani ka një mënyrë të re: “ekonomia artikulare”. Për pacientë të prekur nga sëmundje reumatike edhe veprimet më të thjeshta si: hapja e një dritareje, e një dere, mbathja e këpucëve, hapja e një shisheje etj., shkaktojnë një mbledhje të kyçeve, dhimbje që sjellin rrezikun e përkeqësimeve të mëtejshme. Por nuk janë vetëm barnat që përdoren për të lehtësuar dhembjet e të sëmurëve me reumatizëm. Ka edhe një mënyrë tjetër të quajtur “ekonomia artikulare”.
Kjo metodë e re trajtimi është tërësia e një programi terapeutik dhe e mjeteve që u mundësojnë pacientëve të mësojnë përdorimin e duarve e këmbëve, duke shmangur sforcimet e tepërta të kyçeve. Kjo metodë bën parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të sëmundjes, si dhe rifitimin e funksioneve të humbura të gjymtyrëve. Gjestet që duhet të shmangni për të lehtësuar dhimbjet e sëmundjeve reumatike.
Mos e mbani kurrë çantën të varur në bërryl, por gjithmonë në shpatull. Mos mbathni kurrë këpucë me taka të larta, të ngushta, ose mjaft të holla. Kur shkruani, më mirë përdorni një laps ose stilolaps të trashë, në vend të ndonjë lapsi me përmasa normale. Kur ngrini një sërë pjatash, më mirë bëjeni këtë veprim duke i vendosur të tërë gishtat nën to, sesa duke e mbajtur gishtin tregues mbi to.
Mjetet që ndihmojnë njerëzit që kanë probleme reumatike e vuajnë nga duart janë thika, çelës konservash, hapëse shisheje. Këto mjete lejojnë një hapje më të lehtë të tyre nga njerëzit që kanë probleme me duart. Ndërsa për ata që vuajnë nga “këmba e diabetit” ose ajo “reumatike” tani gjenden këpucë që përshtaten sipas këmbës. Ato kanë aftësinë të rishpërndajnë peshën e trupit mbi shputën e këmbës.
Kurat më të mira, sipas
mjekëve specialistë, janë barishtet
Reumatizma është sëmundje që shfaqet në kyçet e gjymtyrëve, në muskuj ose në pjesë të tjera të trupit dhe që shoqërohet me dhimbje, me të therura dhe me ënjtje. Reumatizma, e cilësuar ndryshe edhe si sëmundja e moshës së tretë, ka lidhje të ngushtë me vendbanimin e personave të prekur. Sipas specialistëve, kjo sëmundje në vendin tonë është shumë e përhapur, kjo për shkak të klimës dhe kushteve të punës dhe banimit. Kurat më të mira, sipas mjekëve specialistë, janë barishtet.
Shkaqet
Shkaqet e sëmundjeve reumatizmale janë të përgjithshme dhe lokale, shpjegojnë reumatologët duke pohuar se, shkaqet lokale, pra të pjesëve të ndryshme të trupit, janë të shpeshta gjatë artrozës. Sipas tyre, sa herë që sforcohet një nyjë, duhet të mendohet për rrezikun e dëmtimit të saj, sidomos ato me natyrë sportive dhe profesionale nga mikrotraumat, kjo mundësi shtohet në rast se kemi të bëjmë me një anomali anatomike të fituar apo të lindur, e cila ndikon fuqishëm mbi artrozë. Ndërsa ndër shkaqet e përgjithshme, specialistët përmendin moshën, e cila përbën një faktor etiologjik, ku artroza sa vjen e theksohet.
Ndërkohë, faktori gjenetik, pra trashëgimia, sipas mjekëve, ndikon sidomos në formën e artrozës së gishtave të këmbëve dhe të duarve, ku viktimë e kësaj, sipas tij, janë sidomos femrat. Po ashtu klima e ftohë ndikon shumë në rëndimin e artrozës poliartikulare, e cila prek duart dhe viktimë janë sidomos gratë pas të 50-ve, kur kjo kombinohet me perimenofrazën, por te gratë edhe mbipesha është faktor negativ për sëmundjet reumatizmale.
Kurat popullore
1. Vaji i farës së zezë nxehet dhe me të duhet të fërkohet vendi i dhembjes me forcë, sikur fërkon kockën dhe jo lëkurën. Para gjumit, pi një lugë të vogël prej vajit të farës së zezë të ëmbëlsuar me mjalt natyral.
2. Ushtrimet fizike, shëtitjet dhe lëvizjet janë të këshillueshme për të sëmurët me reumatizëm. Pas një studimi te kryer me 200 atlete, për 2 vjet studiuesit kanë dalë në një rezultat: sporti i bën mirë kockave.
Disa ushtrimeve të kombinuara kanë treguar se sporti i bën mirë forcimit dhe kalcifikimit të kockave. Vihet re që njerëzit që nuk merren me sport kanë një shkallë të lartë plogështie e cila vjen si shkak i mosmarrjes me sport.
3. Të gjithë pacientët që vuajnë nga reumatizma, nuk duhet ta pinë asnjëherë çajin në një enë metali, por vetëm qelqi ose prej druri. Madje mjekët rekomandojnë që edhe vetë çaji të mos zihet në një enë metali, por qelqi apo porcelani.
http://www.tiranaobserver.al/
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply