Klubi i Karatesë “Uraniku” në Dibër ka festuar 30-vjetorin e themelimit, duke kurorëzuar kështu një rrugëtim të gjatë dhe të suksesshëm në zhvillimin e sportit të karatesë në rajon. Në një ceremoni festive, u vlerësua puna dhe përkushtimi 30-vjeçar i këtij klubi që ka formuar breza të tërë sportistësh dhe edukatorësh të karatesë.
Gjatë këtyre dekadave, klubi ka ruajtur vazhdimësinë me një numër të qëndrueshëm nxënësish, nga 30 deri në 40 në secilën gjeneratë, duke ndjekur me përkushtim disiplinën e Karate-Do, me theks të veçantë në rregull, mirësjellje dhe vetëbesim. Nëpërmjet stërvitjeve sistematike, janë përgatitur kuadro sportivë të të gjitha brezave dhe janë promovuar vlera të kulturës, respektit dhe përgjegjësisë, jo vetëm në sport por edhe në përditshmëri.
“Ky klub përplot tri dekada ka mbjellë vlera, ka formuar breza dhe ka dhënë një kontribut të çmuar në sportin e karatesë në vendin tonë,” u theksua mes tjerash në fjalën përshëndetëse të rastit.
Me respekt dhe mirënjohje të veçantë u përmendën themeluesit e klubit, të cilët me dashuri dhe përkushtim hodhën themelet e këtij institucioni sportiv që la gjurmë në jetët e shumë të rinjve.
Në fund, drejtuesit Luan Gjergji dhe Arsim Iseni falënderuan të gjithë kontribuuesit ndër vite dhe shprehën përkushtimin për të vazhduar këtë rrugëtim me zemër, pasion dhe përgjegjësi, duke premtuar se “Uraniku” do të vazhdojë të rritet, të mësojë dhe të frymëzojë brezat e ardhshëm./A.Dema


‘

Burimi/Facebook/INA- Iliria News Agency Group


Leave a Reply