Duke lexuar rezultatet e Raportit e Përvitshëm “Vende në Tranzicion“ të Organizatës së njohur FREDOM HOUSE natyrshëm të lind nxitja e brendshme të ndash opinionin tënd me një auditor më të gjerë lexuesish. Kam kohë që kam dashur ti ndaj, ti debatoj, ti konsumoj mendimet e mija me një lexues apo auditor të gjerë. Momenti më ofron këtë shans.
Nga gjithë Raporti, nuk ka si të mos shkëpus dhe ofroj për debat tabelën e ecurisë së demokracisë në Shqipëri për periudhën 2005-2013. Tabelë e cila ofron një pamje matematike të zhvillimit demokratik shqiptar për dy legjislatura “Berishiane”.
Ndoshta terminologjia “Berishiane” ngacmon emocione të palëve, por gjykoj se në lexim të këtij materiali, gjithkush kësaj periudhe nuk mund ti japë emër tjetër përveçse “Periudha Berishiane”.
U përpoqa që këtë tabelë ta ofroj në mënyre grafike si ekspoze vizuale lehtësisht e perceptueshme për këdo që matematika, numrat, premtimet i janë bërë alergji.
Demokracia!
Kujtoj vitet 90. Asgjë nuk dija për Të. Isha naiv, kisha lexuar e dëgjuar, e masja Atë me imazhet e ekraneve televizive.
Isha i ri, me një status shoqëror të admiruar, të privilegjuar ,pedagog në universitet, pedagog në vitet ‘90 dhe jo ”Pedagog” sot. Shkurt isha produkt e pjellë e sistemit.
Por shihja se mjaft gjëra nuk shkonin me Sistemin. Ekonomia në faliment, administrata në degradim Makiazhi propagandistik në kulm etj. etj.
Dhe Vendosa: Sistemi kishte degraduar, ai ishte bërë regresiv . Ai duhej ndryshuar!
Problemi nuk ishin thjesht njerëzit në qeverisje. Ata, në sjellje dhe qëndrim ishin thjesht produkt i Sistemit. Ata mund t’i ndryshoje, por pjellat e reja do të ishin Klonim i tyre sepse inkubatori SISTEM nuk mund të prodhonte asgjë më mirë, asgjë më progresive, por vetëm produktin e vet, Vetveten.
Ishte e vështire të bindje njerëzit e tu argumentoje se duhej Ndryshim, se ndryshimi duhej në themel. Ishte e vështirë, por përtej vullnetit të tyre u ngritëm dhe e përmbysëm me ndërgjegje atë Sistem, të bindur se koha e progresi e kërkonte, se po realizonim atë mision, që koha vërtetoi se ishte akti që i duhej Shqipërisë.
Hodhëm bazat e Rendit, Sistemit të ri, një rend i cili natyrisht solli progresin, zhvillimin, prosperitetin si produkt i pa shmangshëm i energjive të brendshme dhe potenciale që ai mbart .
Po ç ‘farë kërkuam në ‘90
Pluralizëm funksional dhe Ekonomi të Lirë tregu.
Kërkuam shtet ku liria dhe e drejta të garantohej dhe mbrohej për të gjithë në barazi dhe drejtësi. Kërkuam një qeverisje Administratore.
Kërkuam llogaridhënie. Kërkuam Transparencë. Kërkuam thjesht një model shteti perëndimor.
Jam krenar për atë që kontribuova sado pak në vitin Historik 1990.
Po Sot!
Shoh Raportin mbi treguesit e Demokracisë , Analizoj situatën dhe … Ulëras. Perse? Kjo ishte ajo që kërkuam në ‘90?! Viti 2005 shënoi një rrënim alarmant të demokracisë se Re Shqiptare. Një shtet jashtë shinave funksionale, gati jo ekzistent. Një korrupsion kapilar marramendës.
Sot treguesit e Demokracisë më poshtë se në vitin 2005, e Tmerrshme.
Gjithkush me militantizëm mund të mbajë qëndrime pro dhe kundër, por askush nuk mund të mos hapë sytë , të përfshihet në meditimin e tij koshient, dhe të mos gjykojë, se në sjelljen qëndrimin vendimin e tij varet e sotmja e nesërmja e ardhmja e tij,e fëmijëve te tij, e vendit të tij.
Duke analizuar Raportin
Paraqita rezultatin final të Raportit saktësisht “Rezultatin e Demokracisë” në mënyre grafike për të kuptuar dinamikën e demokracisë në Shqipëri në nënte vitet e fundit.
Në këtë Grafik, por dhe në një analizë të trashë të zhvillimeve të shtetit shqiptar në periudhën 2005-2013, nuk është e vështire të dallosh tre faza zhvillimi. Faza me tipare të dallueshme qoftë për politika qeveritare ashtu dhe produkte nga këto politika.
Viti 2005-2006 me një ngritje të dukshme të treguesve të demokracisë
Në këtë fazë shteti shqiptar ballafaqohet me efektet e para të tranzitimit të pushtetit, të masave të para për të ndërprerë rënien e shtetit në fund vitet e qeverisjes socialiste, por dhe të efekteve të modelit liberal ekonomik të qeverisë socialiste.
Në këtë moment modeli i Ri ekonomik konsiston në centralizimin e Politikës së menaxhimit të Taksave , rritje të kontrollit doganor , dhe një rritje të dukshme të të ardhurave Tatimore ( përgjithësisht në dogana ).
Kjo politikë konsiston kryesisht në riformatimin e strukturave qeveritare , identifikimin dhe neutralizimin e proceseve dhe sipërmarrjeve korruptive të qeverisjes socialiste, si dhe goditjen e “Grupeve të krimit të Organizuar“ prej kohësh objekt i raporteve ndërkombëtare mbi krimin në Shqipëri.
Ndërkohë miratohen një sërë ligjesh me përmbajtje të thellë korrektuese dhe shtet-formuese, ligje të cilat formatojnë një imazh progresiv të qeverisjes së re demokratike.
Në këtë fazë duhet të theksojmë se qeverisja e re demokratike ofron optimizmin e ndryshimit dhe progresit.
Kjo është faza e arritjeve reale dhe progresive të qeverisjes Berisha. Rezultatet e kësaj periudhe kohore u shfaqën propaganduan me të drejtë si arritje të Modelit Demokrat.
Këto rezultate mbeten të arkivuara në faqet e përditshme të aparatit marramendës propagandistik duke u përsëritur periodikisht në çdo dalje apo eveniment elektoral apo politik.
Ndërkohw fillon programimi i okupimit në mënyrë të padukshme të “Boshllëkut“ të krijuar nga “Neutralizimi i Krimit të Organizuar “
Vitet 2006-2009. Qeverisja demokratike bie në stanjacion.
Ky trevjeçar ekspozon se forca lëvizëse e qeverisë, potenciali i saj progresist dhe zhvillues gati kanë shteruar. Ajo thjesht “ korr” rezultatet e kapërcimit të madh të vitit 2006, pse jo dhe një bazë ekonomike të para viteve 2004, por më tej treguesit paraqesin thjesht STANACION me rritje natyrale.
Modeli ekonomik nuk njeh kapërcime apo zhvillime progresive. Ai thjesht karikohet me iniciativa bombastike mbi “Zhvillime Strategjike” që në thelb synojnë të prodhojnë “ Klasën e Re “ të kapitalistëve Demokratë, apo hapat e para të Monopolizimit.
Në këtë fazë “Optimizmi“ i politikave sociale, ngritja e rrogave dhe pensioneve, shoqërohet me atë që aktualisht përbën problemin themelor të çdo qeverisje post zgjedhje: BORXHIN galopant.
Asnjëherë nuk është analizuar se në ç’raport qëndron “ Zhvillimi “ me Borxhin
Përveç rrugës Kukës- Morinë, në horizont nuk dallohen produkte politikash zhvillimi.
“Shqipëria Superfuqi Energjetike” si thelbi i “Modelit Ekonomik Berishian “, përfundon në Koncesione Klienteliste dhe korruptive thjesht dokumentare të HEC-eve, të mbështetura nga VKM me pikëpyetje të mëdha. Këto VKM që më tepër se stimulojnë investitorët, realizojnë “Politika Subvencionuese “ abstrakte pa logjikë ekonomike, por absolutisht politike që synojnë kryesisht të “prodhojnë” produkte të “ Suksesit “ të Modelit Ekonomik “ Shqipëria Superfuqi Energjitike” .
Politikat e zhvillimit apo të investimeve janë spontane, të pa programuara, dhe përgjithësisht produkt orientimesh politike dhe elektorale, produkt kulisash, ku interesat shpesh monopoliste raportohen si Projekte Zhvillimi. Në këtë periudhë merr jetë i vetmi projekt i konsoliduar dhe i qartë zhvillimi: Projekti i zhvillimit të Rrugëve Rurale(Fondi Shqiptar i Zhvillimit), i implementuar si ide, iniciativë, investim dhe supervizim direkt nga BERZH dhe institucione Ndërkombëtare Zhvillimi.
Në këtë fazë kohore 2006-2009 mund të themi se përfundimisht “Modeli Berishian” i menaxhimit të ekonomisë instalohet përfundimisht në ambientin ekonomik Shqiptar.
Nga ky moment çdo produkt apo projekt ka vetëm një emër: “Modeli Ekonomik Berishian“.
Nga ky moment fillon konsolidimi përfundimtar i Modelit Politik Berishian.
Vitet 2009 -2013
Rënie e frikshme e treguesve të Demokracisë Shqiptare.
Mund ti përmbledh si vitet kur Shqipëria ballafaqohet në të gjitha planet me një model “HIBRID“, siç do ta cilësojnë raportimet e institucioneve prestigjioze, por për mua ai mund të cilësohet pa frikë “ Modeli Ekonomik- Politik Berishian “.
Nuk mund të gjendet në botën perëndimore, por dhe atë lindore një model i tillë. Përmend dhe vendet lindore sepse Shqipëria ka disa tipare specifike sepse është dhe vend i NATO-s.
Kjo fazë kohore karakterizohet nga tipare specifike që i japin modelit emërtimin puritan “Modeli BERISHIAN “
Tipar themelor i sistemit është politizimi, partitizimi, militarizimi ( dhe jo vetëm militantizmi ) politik i çdo hallke të shtetit. Strukturat e dhunës apo Forcat e Armatosura ristrukturohen dhe riformatohen me elemente të rinj militar partiak
Mitizimi, Glorifikimi, Kulti i Liderit me të cilin lidhet fati i përkrahësve politikë. Mitizohet gjendja e tij shëndetësore, mitizim deri në tepri.
Zhvillim ekonomik spontan, i varfër në ide zhvillimi, i orientuar drejt interesave klienteliste apo të ideve spontane emocionale të momentit.
Përqendrimi dhe kontrolli absolut i çdo hallke të aktivitetit ekonomik politik e shoqëror në shoqërinë shqiptare.
Prodhimi dhe fuqizimi ekonomik dhe njerëzor i “Biznesmenit Demokrat “, neutralizimi i çdo biznesi alternativ politik, okupimi ekonomik “Demokrat “ i ekonomisë shqiptare, thellimi i monopolizmit “Demokrat “ në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare. E në këtë pikë duhet të dallojmë konceptin “Demokrat“ me atë Demokrat (është një temë tepër e gjerë për debat).
Financimi dhe fuqizimi i një aparati të fuqishëm propagandistik mediatik, si dhe i një strategjie “Akademike“ ç’orientim të gjithanshëm të opinionit shoqëror shqiptar. Në themel të strategjisë se ç’orientimit qëndron Direktiva: Berisha është ky që ne e dimë por kush e zëvendëson? Rama nuk plotëson kriteret për një Zëvendësues.
Kontrolli total i Institucioneve dhe instrumenteve e treguesve Statistikorë të Zhvillimit.
Thellimi i mëtejshëm i Borxhit e posaçërisht atij të Brendshëm ( Cilësoj, të Brendshëm ), si një borxh pa inventar, lehtësisht i menaxhuar nga Banka e Shqipërisë dhe Guvernatori i bindur i Saj.
Rritja e nivelit të “Lirive Natyrore“ në popull dhe Autokracisë politike në qeverisje. E thënë më qartë, Një popull që është i lirë të bëjë çdo gjë, por dhe një Pushtet që gjithashtu është i lirë të bëjë çdo gjë me Qytetarin e tij.
Liri e plotë e Administratës për shfrytëzimin e pushtetit në shkelje të lirisë ekonomike dhe shoqërore të qytetarit. Dëmtim me pasoja të pariparueshme të funksionimit të shtetit ligjor.
Shteti gradualisht humbet tërësinë e funksioneve të tij kushtetuese, përveç Pushtetit. Një shtet e një shoqëri e korruptuar në Autokraci dhe mbijetesë.
Ka dhe elemente të tjerë dallues që plotësojnë kuadrin e “Shtetit Berishian”, elemente që kërkojnë një analizë më profesionale, jo vetëm për ti identifikuar, por dhe për tu evidentuar dhe korrigjuar.
Sistemi me këto tipare natyrisht evidentohet cilësisht si i pakrahasueshëm me asnjë model të ndonjë vendi perëndimor. NATO nuk paraqet interes për Modelin.
E nëse Modeli vështirë se mund të identifikohet si Standard i referueshëm demokratik perëndimor, produkti i tij nuk mund të jetë ndryshe, përveç se: Rënie progresive lineare e demokracisë pas 2009, vit kur sistemi është plotësisht i instaluar në modelin e vet.
Rënia e Demokracisë si produkt i drejtpërdrejte i “Modelit Berishian”
Në vitin 2009 e më tej, mund të themi pa frikë se “Modeli Berishian” i menaxhimit të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare është plotësisht ai Berishian.
Ai është instaluar, orienton, menaxhon, dirigjon dhe kontrollon e posedon çdo politikë ekonomike apo shoqërore. Problemi i vetëm i Berishës në këtë periudhë janë disa institucione si Presidenca, Prokuroria, Shërbimi i Fshehtë,Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë. Kushtetuta dhe konflikti tashmë i shpallur me presidentin, ja pengonin depërtimin kontrollues ne këto institucione
Grafiku i Treguesit të Demokracisë ekspozon se : Ligjshmëria e zhvillimit të demokracisë është në rënie Lineare, pa kapërcim, pa këputje, pa thyerje, fakt që qartësisht tregon se jemi në një Model, i cili potencialin e vet të testuar dhe tashmë të certifikuar nga “FREEDOM HOUSE”, por dhe i identifikuar më analizë e ka vetëm një: Rënie të DEMOKRACISE, REGRES!
Një pasqyrë e Treguesve Ekonomikë të zhvillimit
Raporti i FREEDOM HOUSE natyrisht përfshin ata tregues që operojnë me sistemin politik, me ato parime themelore të Organizimit të Shtetit Demokratik që absolutisht garantojnë Prosperitet, Zhvillim dhe Progres. Të trajtosh rolin e Shtetit Politik në Zhvillim, gjykoj se tashmë është e tepërt.
Periudha 50 vjeçare e regjimit, ndarja Lindje-Perëndim janë të vërteta të pakontestueshme.
Tabloja e Korelacionit Shtet-Politik dhe Zhvillim-Progres-Prosperitet bëhet më e qartë për Sistemin dhe tendencën e tij nëse analizojmë treguesit e Zhvillimit Ekonomik të vendit për periudhën 2005-2013.
Studimi është mbështetur në të dhëna Zyrtare të faqes së Ministrisë Financave (http://www.minfin.gov.al) Për të identifikuar modelin, por dhe për të mos lodhur lexuesin po ekspozohen rezultatet me tre tregues realë matematikisht dhe dokumentarisht të matshëm (nuk po trajtojmë GDP se ky tregues ka çudira për sa kohë është produkt i porositur fiktiv i INSTAT-it )
Janë dy grafikë(ndër dhjetëra të tjerë) që tregojnë dinamikën reale të të Ardhurave dhe Shpenzimeve si dhe të Borxhit (të jashtëm + të brendshëm)
Nuk është e vështirë në grafikë të konstatosh se Vitet 2009-2013 karakterizohen nga një ligjshmëri unike lineare, tipar i qartë i një filozofie të konsoliduar, standarde, statike, pa nerv qeverisjeje.
Tipar themelor i kësaj filozofie (të ekspozuar grafikisht për argument në këtë artikull ) është : Rritja me ritme të larta të borxhit, dhe Ulje gati drastike e të ardhurave dhe shpenzimeve(çuditërisht shifrat e GDP-së PBB-së, tregues i progresit e zhvillimit, tregojnë vlera ne rritje ). Shkurt Borxhi nuk justifikon absolutisht zhvillimin.
Ndokush mund të argumentojë se efektet e Borxhit duan kohë të afektojnë treguesit e Buxhetit.
Por grafikët për tre tregues thelbësorë të produktit të Modelit Ekonomik ekspozojnë qartë ligjshmëri lineare Politikash Ekonomike.
Ato ekspozojnë zhvillim linear të sforcuar i mbështetur absolutisht në Borxh dhe jo në energji të brendshme të një ekonomie të pretenduar në zhvillim.
Ato ekspozojnë një ekonomi pa produkt por konsumatore. Për më tepër konsumatore të Borxheve të marra jo për të prodhuar burime zhvillimi por fatkeqësisht stanacion(pse jo dhe rënie nëse analizojmë më tej ) ekonomik dhe zhvillimi.
Grafikët nuk operojnë në statistika një vjeçare, apo periudha të konsolidimit të qeverisjes, por për një periudhë të konsoliduar të një Modeli Ekonomik të instaluar në periudhën 2005-2009, me ekspozim të qartë të produktit për periudhën 2009-2013.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe:
Ekonomia e okupuar plotësisht nga “Biznesmenë Demokrate ” nuk mundi të prodhoje asgjë më tej se deformimin dhe frenimin e energjive që mbart Sistemi Demokratik.
Biznesmeni në Ekonominë e Lirë nuk mund të Emërohet. Biznesi është art, energji, kulturë, pasion, dashuri. Ai nuk është vetëm PARA. Ai është motiv, arsimim, largpamësi. Është lodhje, stres e mundim.
Janë këto tipare cilësore te Biznesmenit në Demokraci që Ekonomia e Lirë i bën produkt, i bën zhvillim, i bën vende pune. Por të tillë nuk mund të jenë Ata që të vetmet “Vlera“ që posedojnë janë aferat e drejtpërdrejta me Familjen Politike.
Duken llafe, shpifje, akuza. Por ç’rëndësi ka si etiketohen. Këto i dimë, i njohim, i kemi pasur dhe i kemi në kurriz të gjithë. Po Po, Ne të gjithë pa dallim feje, krahine, ideje apo bindjeje.
Kontrolli politik i Ekonomisë neutralizoi energji që mbart Shoqëria e Lirë, dhe u shërben gjithë popullatës.
Orientimi politik i ekonomisë( janë të paharruara në kujtesën tonë direktivat e Berishës mbi Politika marramendëse Zhvillimi të qeverisë shqiptare të cilat okuponin në periudha kohe emocionale hapësirat tona mediatike, por më pas përfundonin në Eter, përfshirë këtu dhe centralet bërthamore).
Periudha u ballafaqua me “orientim të ekonomisë apo investimeve“ sipas shijeve dhe interesave klienteliste pse jo dhe emocionale të Njëshit. Ambienti ekonomik shqiptar u njoh me mjaft raste kur këto politika përfunduan në dështime spektakolare me pasoja të rënda për “Biznesmenët e Emëruar”, familjet e tyre, shoqërinë, dhe instrumentet financiare zhvilluese te vendit.
Partitizimi i ekonomisë e instrumenteve të kontrollit shtetëror jo vetëm korruptoi sistemin, por njëkohësisht përkeqësoi absolutisht standardin e shërbimit ndaj qytetarit shqiptar.
Politizimi e Partitizimi i sistemit të drejtësisë goditi peshoren e ekuilibrit dhe të së drejtës në Shqipëri. Ky Model nuk mund të jetojë me Drejtësinë e Pavarur. Ai pati objektiv të pakushtëzuar dhe e realizoi : Neutralizimin e Drejtësisë, unifikimin e Padrejtësisë, Familjarizimin me mungesën e së drejtës dhe lirisë, korrupsionin në ekspansion dhe kapilarizimin e tij deri në mënyrë jetese.
Kontrolli politik i institucioneve të pavarura (Presidencë, Prokurori, Gjykata, Kontroll i Lartë i Shtetit, Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë e Lartë ) dërmoi përfundimisht SISTEMIN.
Ai i vuri Vulën Modelit: HIBRID – “Demokratik Berishian”.
Po për Nesër.
U përpoqa të ofroja pikëpamjet e mija për Demokracinë, të analizoja “Modelin Berishian”, atë politik, ( Raporti i FREEDOM HOUS E) dhe ekonomik ( Ministria e Financës ), dhe….të pyes ty Lexues.
Ku e sheh ti Veten te nesërmen, forcën tënde për të vendosur për fatin tënd, familjes e fëmijëve të tu?
E të gjitha argumentet dhe dokumentet që ofrova janë zbërthimi i realitetit në Shqipëri. Ka dhe më tepër por duhet vendi dhe koha.
Është një realitet që të gjithë e shohim, e prekim, e ndiejmë, e pësojmë.
Ne jetojmë së bashku.
Lëvizim në të njëjtën rrugë kur ballafaqohemi me policin, jetojmë në të njëjtin qytet kur ballafaqohemi me ajrin e ndotur nga Nafta jashtë standardit.
Blejmë në të njëjtat dyqane ku ndodhen mallrat e skaduara apo jashtë standardi, çmimet.
Jemi të gjithë Një, shijojmë të njëjtat efekte të njëjtat të mira, të njëjtat pasoja .
Të gjithë jemi objekte dhe subjekte të Sistemit.
Është koha, momenti të shprehim forcën tonë. Një ditë për të nesërmen. Një akt për zhvillimin.
Unë analizova dhe konkludova:
Modeli HIBRID është në degradim. Demokracia shqiptare është në rënie. Borxhi është në rritje, Ekonomia është në regres. Zhvillimi e Ardhmja e rrezikuar: Modeli Im ka rënë.
Unë në ‘90 gjykova, vendosa dhe…..
Unë sot e kam vendosur.
Ti mendohu mirë!
Gazeta Dita
Per”Alba – Dansk” Shkodrani








Leave a Reply