Doloreza Gaspari është një prej specialisteve që punon në Arkivin Qendror të Shtetit. Zonja Gaspari merret me restaurimin e dokumenteve të vyera që gjenden në këtë institucion. Prej 10 vitesh ajo është pjesë e grupit të punës së laboratorit të arkivit. Qindra dokumente kanë kaluar në duart e saj, për t’i shpëtuar zhdukjes. Shpëtimtarja e arkivave, na thotë se është një emocion i veçantë të prekësh dokumente që kanë bërë historinë. “Kam kaluar qindra dokumente nëpër duar. Sigurisht që është një emocion i veçantë, sepse secili prej dokumenteve, të çon diku në kohë, në histori”, – tregon Gaspari. Në laboratorin e Arkivit Qendror të Shtetit, i cili prej disa vitesh drejtohet nga zonja Nevila Nika, kanë shkuar pothuaj të gjitha fondet, nga më të hershmet deri tek më të rejat në kohë.
Një grup prej gjashtë vetash punon në laborator, duke u marrë me restaurimin e dokumenteve që kanë nevojë, por pa dëmtuar origjinalitetin e tyre. E pyetur se cilat janë dokumentet më të rralla që ajo ka pasur nëpër duar, Gaspari përmend të parin fermanin e një sulltani që i takon shekullit të XVII, pra viteve 1600 e ca. Nuk e di përmbajtjen e dokumentit, pasi qe i shkruajtur në osmanishte, por mban mend vetëm që ka punuar me të. Më tej na tregon për restaurimin e vizatimeve të Kol Idromenos, për të cilat nuk di të thotë me numër se sa ishin, por thotë që janë restauruar, pa dëmtuar origjinalitetin e tyre. “Tek dosja e Idromenos kishte një numër të madh dokumentesh, por ne restauruam vetëm vizatimet, sepse vetëm ato kishin nevojë”, – sqaron ajo. Materiale të ndryshme janë restauruar në Arkivin Qendror të Shtetit. Datimi i tyre shtrihet nga vitet 1600 e deri në vitet e fundit. Fondet më të rëndësishme ku është ndërhyrë, janë ato të Faik Konicës, Lef Nosit, Mit’hat Frashërit, por edhe të Esat Pashë Toptanit. Së fundmi ata po merren me dokumente të kohës para çlirimit të Shqipërisë.
“Dokumentet janë të kohëve të ndryshme, të viteve të ndryshme dhe flasin për ngjarje të ndryshme. Kemi restauruar nga të gjitha fondet që ka në Arkivin e Shtetit dhe është një punë me emocion. Unë merrem me përgatitjen paraprake të dokumenteve”, – sqaron ajo. Sipas saj, janë mijëra dokumente që secili prej punonjësve të laboratorit mund të kalojë nëpër duar çdo vit.
“Puna është në grup dhe për restaurimin e tyre secili specialist ka pjesën e vet të angazhimit”, – tregon zonja Doloreza. Shkalla e vështirësisë përcaktohet nga vetë dokumentet, por jo domosdo nga vjetërsia e tyre. Është cilësia e letrës ajo që vendos në këtë pikë. Mes një fermani të para disa shekujve dhe një dokumenti të viteve 1940, mund edhe të ndodhë që më i dëmtuar të jetë dokumenti, kjo për shkak se, me modernizimin e shoqërisë, letra është prodhuar gjithnjë e më e hollë. “Fermani është më i hershëm, por cilësia e letrës në atë kohë ka qenë krejt tjetër, më e mirë. Ndërsa vitet e fundit, ajo është bërë më e hollë. Gjendja e dokumentit varet edhe nga mënyra dhe vendi i ruajtjes”, – shpjegon specialistja.
Nga ana tjetër, po aq të ndryshme e të veçanta janë edhe kaligrafitë e dokumenteve, deri në kohën e makinave të shkrimit, të cilat e zëvendësuan ‘bukurshkrimin’.
Viti 2012 shënon 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit dhe pritej që festimet e shtrira në institucionet shtetërore të bënin bujë gjatë gjithë vitit. E ndërsa shumë prej tyre, presin ende fondet për të bërë ndonjë festim, Arkivi Qendror i Shtetit ia del me forcat e veta. Shumë prej punëve që ky arkiv bën, duket se kalojnë në heshtje, edhe pse në fakt, meritojnë më shumë vëmendje.
Materiale të ndryshme janë restauruar në Arkivin Qendror të Shtetit. Datimi i tyre shtrihet nga vitet 1600 e deri në vitet e fundit. Fondet më të rëndësishme ku është ndërhyrë janë ato të Faik Konicës, Lef Nosit, Mit’hat Frashërit, por edhe të Esat Pashë Toptanit. Së fundmi ata po merren me dokumente të kohës para çlirimit të Shqipërisë.
Arkivi
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave është institucioni më i rëndësishëm arkivor në shkallë kombëtare ku grumbullohen, ruhen, përpunohen dhe shërbehen dokumentet kryesore, që dëshmojnë për historinë e kombit dhe të shtetit shqiptar. Historia e Arkivave në Shqipëri është e lidhur me historinë e Kombit dhe të shtetit shqiptar, dhe është rezultat i proceseve dhe i fazave të zhvillimit të tyre. Fillimet e veprimtarisë arkivore datojnë që nga antikiteti, kur në bibliotekat që ekzistonin në shtetet ilire, krahas librave, ruheshin edhe dokumente. Dokumenti i parë që bën fjalë për përpjekjet për krijimin e një Arkivi Qendror Historik, është vendimi i datës 02.01.1932 i Këshillit të Naltë të Shtetit, për shqyrtimin e projekt-rregullores, për regjistrimin e ngjarjeve me rëndësi. Arkivi i Shtetit u krijua si sektor në varësi të Institutit të Studimeve në vitin 1947. Me urdhëresën e Këshillit të Ministrave nr. 21, datë 08.06.1949 (AQSH i RSH, F. 890, V. 1949, D. 501) Arkivi i Shtetit doli si institucion i pavarur. Në vitin 1951, Arkivi i Shtetit kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, deri në vitin 1962. Po këtë vit u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, në varësi të Këshillit të Ministrave (AQSH i RSH, F. 890, V. 1960, D. 27). Më 19/06/1984, për herë të parë Kuvendi i Shqipërisë aprovoi ligjin nr. 6893 “Për fondin arkivor të shtetit dhe për arkivat”. Mbas ndryshimit të sistemit politik, në korrik 1994 Kuvendi pluralist i Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 16 të ligjit 7491, datë 24/04/1991, “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozim të Këshillit të Ministrave, miratoi ligjin “Për fondin arkivor kombëtar dhe për arkivat”. Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1 e Kushtetutës, dhe me propozim të Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi Ligjin 9154, datë 06/11/2003, “Për Arkivat”. Dokumentet që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë dhe në A.Sh. Vendore në qarqe janë gjithëpërfshirës në prejardhje, lloj, material bazë, vend e kohë krijimi dhe në informacionin që ato përmbajnë. Dokumenti i parë datohet në shekulli VI.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply