“Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, në këtë përvjetor të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, konstaton me keqardhje të thellë e dëshpëruese se nuk është bërë asgjë rreth zbardhjes së këtij akti kriminal. Kjo përbën një ogur jo të mirë për drejtësinë, në veçanti dhe shoqërinë, në përgjithësi. Ndaj gjejmë rastin t’i bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse për të itensifikuar punën për zbulimin e autorëve të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi apo urdhëruesve të saj. Kjo do të përbënte një ngushëllim për familjen e shoqërinë, por mbi të gjitha është mision e përgjegjësi për të sjellë më shumë shpresë për siguri publike dhe drejtësi të pavarur e të përgjegjshme në vend.”,- thuhet në deklaratat e Unionit të Gjyqtarëve.
Gjykatësi Skerdilajd Konomi u ekzekutua mëngjesin e 9 shtatorit 2011, teksa po udhëtonte me makinën e familjes, pasi një sasi e madhe tritoli shpërtheu duke i marrë jetën. Ai njihej nga të gjithë si gjykatësi i çështjeve civile me reputacion të mirë, i ndershëm e familjar i rregullt, baba i dy fëmijëve. Pas vrasjes, Prokuroria ngriti disa pista hetimi, ku më kryesorja ishte ajo e pronave.
Gjykatësi Skerdilajd Konomi kishte denoncuar në prokurori abuzimet me pronat. Ai akuzonte për falsifikim dokumentesh palën kundërshtare, e cila pretendonte pronën, që me vendim të Gjykatës së Lartë i ishte kthyer familjes Shallvari, trashëgimtar i së cilës ishte dhe gjykatësi. Vrasja makabre e Konomit vuri më shumë në lëvizje prokurorinë, e cila tashmë ka vendosur të dërgojë në sallën e gjyqit Qemal Mullën, përfaqësuesin ligjor të familjes Toptani, nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve.
M.Alla
http://shekulli.com.al


Leave a Reply