“E thëna e së vërtetës mbase nuke sjell ndonjë fitim; po ka një embëlsi më vete, sepse të qetohet vetëdija kur fole ç’duhej të flisje”. Konica
Partia Demokratike mbeti pa një përfaqësues nga Amerika dhe Kanadaja, kundrejt Partisë Socialiste, që ka tre kandidatë në lista të sigurta, një në Michigan, një në New York dhe një në Toronto
Përshendetje të dashur miq,
Listat dolën dhe unë nuk u kualifikova. Nuk jam mërziur aspak, mbasi mendoj dhe besoj se ekipi garues i Partisë Demokratike është i aftë mjaftueshëm për të fituar. Nga ana tjetër jam i gëzuar për miqtë e mij të cilët janë pjesë e ketij ekipi. Po ashtu deshiroj që të falenderoj të gjithë miqtë e mij këtu në Amerikë që me mbështetën dhe më dhanë kurajo.
Nuk jam zhgënjyer fare, pasi sukurse e kam thënë, nuk kam pasur ndonjë pritshmëri të madhe, kjo për disa arsye:
E para, unë jam vetëofruar, pra nuk kam kërkuar apo ngulmuar që të jem se sbën në lista.
E dyta, kam shumë miq në Partinë demokratike, por në mënyrë absolute nuk i kam thënë asnjërit prej tyre që të ndërhyjë apo të futet mik për mua.
E treta, mënyra se si mund të isha kandat disi nuk më lejonte të isha vetvetja dhe të isha një njeri i lirë.
Po ashtu, nuk mund ta mbaj pa e thënë atë që mendoj dhe ndjej për këtë process.
1.Nuk kam qenë dakord me një nga kriteret e kandidatëve. Kushti ka qenë që çdo kandidat duhej të raportonte një listë me 300 persona të regjistruar. Këtë kriter unë e kam refuzuar qysh në fillim. Ma sparit, mendoj se kjo e zhvlerëson kandatin. Ju kam thënë zyrtarëve të PD-së që jam i gatshëm që të jem kandidat, kjo për kontributet e mija në 30 vite dhe ato vlera që unë kam, por lista unë nuk do të dërgoj.
Nuk besoj se ne Michigan ndokush të ketë regjistruar më shumë persona. Por unë nuk mund të dërgoj lista të qytetarëve shqiptaro-amerikanë pa vullnetin e tyre. Regjistrimin e votuesve e kam bërë në mënyrë të pastër dhe vullnetare për të ndihmuar ata njerëz që kanë pasur vështirësi dhe për të ndihmuar PD-në gjithashtu, por jo në funksion të listave.
Mbërmë mora një konfirmim nga një zyrtar i PD, se arsyeja që nuk jam kualifikuar ishte sepse nuk kam paraqitur listat regjitrimit te votuesve mbasi ky ka qenë kriter. Dakord i thashe, mirë keni bërë, mbasi kriteri juaj bie ndesh me parimet e mija, dhe nuk jam penduar aspak.
I thashë që me kohë ju kam paraqitur një Resume të pasur të edukimit dhe të aktiviteteve të mija shoqërore ndër vite. Ajo duhet të jetë bazamenti i kandidimit, kontributet dhe vlerat, jo listat. Kam qenë në krah të Partisë demokratike, pa devijuar në asnjë rast, nganjëherë duke vënë edhe jetën në rrezik që nga vitet 1990, 1991, 1997 dhe ‘98. Mbase jam personi i vetëm që kam bërë avokatinë e Partisë Demokratike dhe të Dr. Berishës nga Amerika që nga data 19 maj 2021, kur njerëzit thonin ç’është ky i çmendur që mbron Doktorin dhe jam persekutiar me fjalë dhe ofensa pa fund për këtë mbrojtje që ju kam bërë. Tani me përmend lista!!!
“Mos më ofendo të lutem”, i thashë.
Por kjo nuk ka të bëjë aspak me mua. Rezultati i gjithë kësaj është se
Patia Demokratike mbeti pa një përfaqësues nga Amerika dhe Kanadaja dhe pa këtë përfaqësues është ekipi i saj është i mangët. Për këtë po, për këtë më vjen keq.
Ndërsa në Europë nga 14 kandidatë, 7 prej tyre kaluan në listën garuese, nga Amerika kishte vetëm një kandidat dhe e lanë jashtë.
Një gjë jua them me siguri të plotë, se as unë e as shqiptarët e Amerikës nuk kanë nevojë për Partinë Demokratike. Asnjë shqiptar amerikan nuk shkon në Shqipëri as për tu pasuruar, as për tu korruptuar e as per te fituar tendera atje. Ata do të shkonin për të ndihmuar dhe për të sjellë një mendësi të re në parlament. Në fakt, është PD ajo që ka nevojë për Amerikën dhe shqiptarët e Amerikës.
Unë e kam thënë edhe më parë, nëse PD fiton dhe besoj se do të fitojë, kjo fitore do ti vijë nga Amerika. Të gjithë shqiptarët dhe në fakt e gjithë bota i kanë sytë nga Amerika. Por një milion shqiptaro-amerikanë, pa marrë parasysh shqiptarët e Kanadasë, nuk u futen në tefterin e Partisë Demokratike. Nëse i thërret shqiptarët e Amerikës për të votuar, duhet që t’ju japësh të drejtën edhe të përfaqësohen. Kjo është e një drejtë themeltare e demokracisë.
Nga ana tjetër dhe me sa jam informuar, Partia Socialiste ka ndjekur një strategji tjetër, me tre kandidtë nga Amerika, të tre në lista të sigurta, një në Michigan, një në New York dhe një tjetër në Toronto.
Rregulli e do që këta kandidatë socialistë të kenë përballë dikë. Mua personalisht nuk më duket një kalkulim i mirë për PD-në. Ju gjykojeni vetë.
Unë jam shumë modest me ambicjet e mija. Nëse një sukses nuk varet nga unë, kjo nuk më preokupon shumë. Por në mos unë, komuniteti shqiptar këtu ka demokratë intelektualë dhe antikomunistë të pashoq që mund te ishin ofruar. Michigani dhe New York-u janë zemra e antikomunizmit tash 80 vite. Të lihen shqiptarët e Amerikës pa u përfaqësur dhe t’u lihet terren i lirë tre kandidatëve të Partisë Socialiste për katër biter e ardhshme, kjo është e pafalshme.
Ndoshta Kanadaja mund të jetë socialiste, por Amerika jo. Amerika është e djathtë dhe konservatore me sherifin e ri Donald Trump. Të tillë janë edhe shumica absolute e shqiptarëve të Amerikës.
Që të jem i sinqertë, megjithëse nuk kisha ndonjë sinjal se do të jem apo jo në listën fituese, unë kisha bërë një plan për një fushatë të gjerë, nga michigani në NY, Florida dhe Toronto me takime të gjera, reklama dhe koncerte. Kisha marrë mbështetje të gjerë në komunitet nga institucione, shoqata, persona me influencë dhe biznesmenë, me premtime për mbështetje morale, njerëzore dhe financiare. Kisha mbështetje edhe nga zyrtarë të lartë Amerikanë. Njëra ka qenë kryetarja e GOP MI, apo kryetarja e Partisë Republikane në MI, që sapo ka kryer mandatin. Ajo më dha një endorsement apo mbështetje me shkrim, që ja ka dërguar Partisë Demokrtike Shqiptare, të cilën e vlerësoj shumë. Ajo e fillonte letrën me fjalët:
“Është privilegj për mua për të shkruar këtë letër rekomandimi për z. Valentin Lumaj. Si bashkë-kryetare i Partisë Republikane të Michiganit, unë pata mundësinë të punoja me Valentinin në përpjekjet themelore për të nxitur unitetin e komuniteteve tona dhe për të mbështetur fushatën e Presidentit Trump. Gjatë gjithë kësaj periudhe, unë dëshmova vendosmërinë e tij, talentin organizativ dhe përkushtimin e palëkundur ndaj vlerave konservatore”.
Mbasi ajo bën një përshkrim të gjatë të eksperiencës së bashkëpunimit që kishim pasur, ajo e mbyllte letrën me fjalët:
“Unë e rekomandoj plotësisht z. Valentin Lumaj si kandidat për Diasporën. Nuk kam dyshim se lidershipi i tij, përkushtimi ndaj unitetit dhe respektimi i traditës do të vazhdojë të forcojë lidhjet midis komunitetit Shqiptaro Amerikan, elektoratit më të gjerë dhe Partisë Demokratike Shqiptare”.
Ky është opinioni që unë kam në Partinë Republikane këtu. Kisha mbështetje edhe nga zyrtarë të tjerë, që do t’i vendosja në shërbim të fushatës, nëse perzgjidhesha si kandidat.
Pra kisha në plan një fushatë model të stilit republikan duke synuar jo vetëm votat e demokratëve por edhe votat e shtresës së pavendosur apo edhe të socialistëve. Këtu në Michigan për shembull, një nga premtimet e mija do të ishte një Konsullatë të përhershme, kaq e nevojshme për të gjithë komunitetin.
Për të gjitha këto kisha vënë në dijeni rregullisht zyrtarët e PD-së.
Vetë personalisht, përtej asaj që më është thënë, mendoj se arsyet për mospranimin e kandidaturës time janë të tjera. Mbase presioni dhe trysnia e madhe brenda Partisë apo “eminencat gri” të përzgjedhjes së kandatëve.
2-Një pikë tjetër që dua të cek janë primaret. Primare i thënçin por vetëm primare nuk mund të ishin. Absolutisht jo. Unë e njoh shumë mirë procesin e primareve në Amerikë. Primare quhen procesi i zgjedhjeve të kandidatëve brenda partisë. Ai që merr më shumë vota, ai fiton. Nuk ka formulë tjetër. Pra zgjedhje dhe jo përzgjedhje.
Primaret e PD-së në Shqipëri nuk ishin kriteri i vetëm por ishin njera nga kriteret apo thjesht si orientim për kryesinë e Partisë se kush do të përzgjidhet nga ata që ishin zgjedhur!!!
Gjithashtu kriteret e gjinisë, moshës apo besimit ishin diskriminuese. Edhe një herë, në një process zgjedhjesh të lira, ai që fiton më shumë vota, ai është fitues, pa lista të hapura apo të mbyllura dhe pa marrë parasysh gjininë, moshën apo besimin. Për gjininë, moshën dhe besimin lehtësisht mund të krijoni kushte dhe klimë të favorshme duke i promovuar, por jo duke i shkelur të drejtën një personi tjetër. Pra, nëse mbas primareve ka përzgjedhje, atëherë ato mund ti quash çfarëdo por jo primare.
Mendimi im është që, meqenëse arkitekt i ringritjes së PD-së dhe udhëheqës absolut i këtij aksioni opozitar ishte Dr. Sali Berisha, e gjithë përzgjedhja e duhej t’i lihej atij ne menyre ekskluzive, sikurse e meriton. Aksioni politik Berishës ngjan me aksionin e Trump-it dhe mbase duhej ndjekur si shembull.
3-Në lidhje me listën garuese, vërejtja ime e vetme është egzistenca e kandidatëve që varen më shumë nga Soros dhe Basha sesa nga Partia demokratike. Kjo mendoj se nuk i shërben Partisë. Ata janë aty si një sëmundje e keqe që, zhvillohet kur nuk e pret.
Pa një detoksikim apo purifikim të partisë nga këta individë, PD do ta ketë të vështirë të ketë paqe brenda saj.
Konica ka thënë:
“E thëna e së vërtetës mbase nuke sjell nonjë fitim; po ka një embëlsi më vete, sepse të qetohet vetëdija kur fole ç’duhej të flisje”.
Tani, unë i thashë çfarë kisha për të thënë për sot. E kam hequr “thesin” nga shpina në tokë dhe tani nga këtu vazhdoj i lirë.
Këto që thashë nuk më pengojnë aspak që vazhdoj ta mbështes PD deri në fitore dhe më pas. Ato parime dhe principe në të cilat unë besoj nuk varen nga individët që marrin vendime, të mira apo të këqija qofshin. Ato janë standarte dhe te pandryshueshme. E pranoj verdiktin e Lidershipit të PD dhe me zemër i uroj fitore me 11 Maj.
Burimi/Facebook


Leave a Reply