Kadri Roshin e kam njohur në vitin 1974, kur isha student në Fakultetin Juridik në Tiranë. Si dashamirës i Teatrit Popullor, nuk lija çfaqje pa e parë. Në të gjitha rolet që luante Kadri Roshi të kënaqte shpirtin. Ishte vërtetë një aktor i madh, që i jepte vlerë çdo roli. Mua më pëlqente shumë gjuha e tij, timbëri i zërit të tij, një mallakastrioçe e pastër…
Ai është nga Libohova e Libohovitëve të mëdhenjë, e Avni Rustemit, e Moikom Zeqos etj me radhë. Mirpo, meqenëse fëmijërinë dhe rininë e tij e kishte jetuar dhe kaluar në Ballsh të Mallakastrës, ne e konsideronim mallakastriot, e donim dhe e respektonim si bir të shtrenjtë të Mallakastrës…
Ishte fat për mua që jam takuar dhe kam shkëmbyer biseda e pirë kafe me Kadri Roshin në vitet 70′ në saj të detyrës që kisha në atë kohë, si një ndër udhëheqësit kryesor të rinisë… Por njohja dhe lidhja ime me Kadri Roshin u bë e fortë, e qënësishme dhe mori përmasa të mëdha, në vitin 1991 e deri në fund të jetës së tij.
Me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, në 10 janar 1991 krijova Partinë e Unitetit Kombëtar të Shqipërisë. Në atë kohë Kadri Roshi ishte i pozicionuar me të majtën shqiptare.
Në qershor të vitit 1991 ai ishte ndër progresistët që mbështeti krijimin dhe reformimin e Partisë Socialiste. Mirpo pasi u njohë me programin e Partisë së Unitetit Kombëtar, pasi ndiqte me vëmëndje përmbajtjen e Gazetës “Kombi”, organ i Partisë së Unitetit Kombëtar, pasi ndiqte qëndrimet e mia në tryezat e rëndësishme politike, në Radio Televizionin Shqiptar të kohës, në gazeta etj, më është afruar dhe Selinë e Partisë sonë, në Rrugën “Abdi Toptani”, në një godinë ku ishte edhe Partia Demokratike, e bëri si shtëpinë e tij.
Në Kuvendin e Dytë Kombëtar Kadri Roshi u zgjodh Nën Kryetari i Parë i Partisë së Unitetit Kombëtar dhe u bë krahu im më i fuqishëm në emrin e mirë dhe pozitat që konsoliduan Partinë e Unitetit si një ndër katër forcat kryesore politike të vendit në atë kohë. Në saji të Kadri Roshit, por edhe të intelektualëve të tjerë të mëdhenjë të vendit tonë, Dhimitër Shuteriqi, Kristo Frashëri, Ylli Popa, Anastas Kondo, Nasho Jorgaqi, Qamil Buxheli, Agim Cerga, Agim Shehu, Sulejman Pitarka, Rexhep Meidani, Luan Omari, Alfred Uçi, Hamit Beqja, Jusuf Alibali, Llazar Siliqit, Bedri Dedja, Lazër Filipit, Kristaq Priftit, Edmond Luçit, Irini Qirjako, Njazi Jaho, Luftar Paja, Sotir Temo, Hulusi Hakos, Arben Puto, Zija Xholi, Mevlan Kabo, Adriatik Kallulli, Idajet Elmazi, Maringlen Verli, Osman Kraja, Xhelo Murra, Violeta Manushi, Jorgo Bulo, Emil Lafe, Jup Kastrati, Hasan Banja, Jonuz Begaj, Feride Papleka, Pirro Papalilo, Pirro Vito, Laurant Bicaj, etj etj, Partia e Unitetit Kombëtar mori emrin sinjifikativ “Partia e Intelektualëve”.
Në momentin kur revanshizmi berishist i diskriminoi, i poshtëroi, i hodhi tej duke i konsideruar si “pjellë të komunizmit” këta Intelektualë të mëdhenjë të kombit shqiptar si dhe veprat e tyre artistike, kulturore, letrare, shkencore, kinematografike etj, pikërisht në 70 vjetorin e lindjes së Kadri Roshit, te Bar Kalaje në Tiranë, bëmë një aktivitet të madh që nuk mund të harrohet kurrë.
Mblodhëm gjithë ajkën intelektuale të Shqipërisë, nga Tirana dhe rrethet, me bindje të djathta e të majta, dhe e kthyem ditlindjen e Kadri Roshit në një ribashkim të madh të Intelektualëve të Shqipërisë. Aty dhamë mesazhin se këto figura të shquara, që i kanë dhënë kaq shumë kombit, do të mbeten në zemrat e atdheut dhe të çdo shqiptari, pasi vepra e tyre nuk do të humbasë kurrë, përkundrazi do të jetë për jetë simbol përparimi, progresi, atdhetarie dhe frymëzimi për brezat që do të vinë.
Prej asaj dite e në vazhdim këta Intelektualë të mëdhenjë kishin “shtëpinë” e tyre, mbrojtjen e tyre, ndihmesën e tyre për gjithçka kishin nevojë në atë kohë.
Nuk kemi lënë anë e cep të Shqipërisë pa shkuar me Kadri Roshin për të mbjellë “farën” e nevojës së shqiptarëve për bashkimin e kombit të ndarë shqiptar.
Janë të pashlyeshme kujtimet e mia me Kadri Roshin posaçërisht kur hodhëm poshtë Projekt Kushtetutën e vitit 1994 kur Sali Berishës ju mbush mendja e mbrapësht të bëhej “mbret i Shqipërisë”!
Ne, si Parti e Unitetit Kombëtar, u pozicionuam kundër kësaj Kushtetute. Të qënurit kundër unë e shpreha qysh në Komisionin Parlamentar për hartimin e saj, si anëtar i këtij Komisioni. Aq pengesë e madhe u bëra, sa me urdhër të Sali Berishës, ish Kryetari i Kuvendit Pjetër Arbnori mblodhi Kuvendin dhe më shkarkuan si anëtar i Komisionit të Kushtetutës.
Sali Berisha, me helikopterin qeveritar, si ish President i Republikës, e donte me çdo kusht e mjet miratimin e kësaj Kushtetute, ndaj bëri fushatë shumë të egër në mbarë Shqipërinë. Me kulaçë e kërbaç u detyruan shqiptarët të mbushnin si asnjëherë tjetër në vitin 1994 sheshet për të dëgjuar “sokëllimat” e Saliut për “të mirat” e kësaj Kushtetute.
Grupi ynë i fushatës kundër i kryesuar prej meje dhe Kadri Roshit, vendosëm që atje ku bënte fushatë Saliu, pas dy ditëve të shkonim ne dhe të bindnim popullin që, nëse Berisha fiton këtë Kushtetutë, Shqipëria shkon drejt katastrofës kombëtare. Kudo patëm sukses. Por n’a trëmbi shumë Skrapari! Kur shkoi Saliu për fushatë në Çorovodë, thuajse i gjithë populli i Skraparit e mbushi Sheshin plotë, duke lënë të kuptohej se, kur Skrapari i majtë e përkrah Kushtetutën Berishist, gjithë Shqipëria do ja jap atë Saliut!
Pas dy ditëve ekipi ynë me Kadri Roshin në krye organizuam mitingun kundër kësaj Kushtetute në Skrapar. Kadri Roshi, sapo doli në tribunë, me zërin e tij kumbues që i delte nga shpirti, lëshoi thirrjen: “JO, JO, JO, JO, JO Kushtetutës së Berishës”. Populli e pasoi njëherazi “jo, jo, jo, jo, jo”!
Kadri Roshit ato ditë para se të shkonimi në Skrapar, i kishte bërë shumë përshtypje një poezi për grevën e urisë që bënë të persekutuarit politik, të cilët i nxorri me dhunë Saliu, të cilën e shkroi rapsodi Pelivan Bajrami dhe e botuam në Gazetën Kombi.
Donte t’a recitonte Kadri Roshi në fund të mitingut, por nuk i kishte të fiksuara fjalët. I thash shpejt e shpejt në vesh:
“I fundit doli Azemi/
Deputeti me shumë huqe/
Thonë kollaj nuk dalka demi/
Po nuk pa një rrobë të kuqe/
Nxorri koburen nga brezi/
Dhe e vuri m’u në sisë/
Po shyqyr që nuk i ndezi/
Ky qe fati i Shqipërisë…”
E përthithi Kadri Roshi dhe me zërin dhe interpretimin e tij brilant i ngriti në këmbë skrapallinjtë duke brohoritur “Jo, jo, jo, jo, jo Kushtetutës së Saliut…”
Kadri Roshi ishte një emblemë e veçantë e artit, kulturës dhe kinematografisë shqiptare.
Shumëkush ëndërronte t’a shikonte, t’a prekte, të kontaktonin dhe të komunikonin me të.
Mbi kërkesën e shumë dashamirësve të tij në Patos dhe në Mallakastër, ju lutem Kadriut t’u plotësonte dëshirën. Ishte viti 1995 kur së bashku me Kadriun dhe Luftar Paja shkuam në Patos.
Qytetarët e Patosit e pritën si të ishte kreu i shtetit shqiptar. Mirpo druheshin t’i afroheshin nga fakti se ju dukej si ëndërr t’a kishin pranë, në një kohë që e shikonin aq të madh dhe të papërsëritshëm në ekran dhe në skenë…
Kadriu ishte magji më vete në komunikim. Me duartë e tij, me lëvizjen aq harmonike të gishtave të duarëve, me mimikën përkëdhelëse dhe hokatare, me sytë plotë dritë që reflektonin një shpirt shumë të pastër, të afronte dhe “të shkulte si me dorë” drojtjen. Çdo kënd që i afrohej, e bënte për vete dhe ua çlironte emocionet shumë shpejtë, sa u dukej se kishin një jetë që e njihnin dhe e kishin atë pjesë të jetës sëtyre…
Lokalet në këtë kohë ishin të pakta dhe drekat e darkat shtroheshin në shtëpitë e miqve tanë në Patos. Kadriu ishte burr i zakonit, i nderit dhe i lezetit. Ulej pa teklif në tryezat që i shtroheshin dhe e mbante ngritur aq këndshëm bisedën, sa gjithë të tjerëve ju pëlqente të bënin “memecin”, vetëm e vetëm që të dëjonin sa më shumë prej tij.
Jo vetëm që ishte i këndshëm dhe plotë humor të hollë në biseda, por e pëlqente shumë rakinë cilësore dhe mbi të gjitha dinte t’a pinte atë… Këndonte gjithashtu bukur…
Një natë u pritëm në shtëpinë e Baftjar Zeqaj, kryetar i Bashkisë Patos, ku edhe fjetëm. Kadri Roshi u prek shumë kur mësoi që Baftjari ishte rritur jetim, pasi babai i tij kishte humbur jetën në krye të detyrës në sektorin e naftës… E përcolli me lot në sy rrëfimin e Baftjarit, i cili me shumë mund e sakrifica kishte mbaruar studimet për Inxhinier gjeolog në Universitetin e Tiranës dhe tashmë ishte zgjedhur kryetar i Bashkisë së Patosit.
Ndër bisedave të tjera, Baftjari i shfaqi Kadriut disa shqetësime që krijonte vet qeveria qëndrore, të cilat reflektonin rëndë në problemet e naftës dhe të jetës së naftëtarëve.
Kadri vëllai, – i tha Baftjari,- populli thotë që “peshku qelbet nga koka”…
Hëhëhë qeshi dhe përshpëriti me zë Kadriu…
“Një mikut tim, kur i çuan një peshkë për të ngrënë, i futi hundët te bishti i peshkut dhe po i merrte erë! Pse i merr erë te bishti, i thanë? Peshku qelbet nga koka?! E di, e di, ja priti miku im, nga koka jam i bindur unë që është qelbur ai, por unë po shoh nëse ka mbetur diçka pa u prishur edhe këtu poshtë te bishti…”!
Ditët më të paharruara me Kadri Roshin i kam në vitin 2001 kur ai udhëhoqi fushatën time zgjedhore si kandidat për deputet në Patos.
Në mitingjet e organizuara në qytetin e Patosit dhe qendrat e tjera të banuara mblidheshin aq shumë njerëz, sa kandidati i PS që ishin mazhorancë në atë vit, u sfumua si s’ka më keq. Kjo mbi të gjitha fal fjalëve të mënçura për nevojën për ndryshim, të Kadri Roshit, i cili ishte një zë vërtetë potent dhe ngjitës në popull.
Hajdutët e votave e tjetërsuan rezultatin, por edhe sot e kësaj dite e thonë pa ngurim që, në Patos në vitin 2001, fitoi Kadri Roshi dhe kandidati që mbështeti ai…
Burimi/Facebook


Leave a Reply