-Rreth librit “Ku po shkon pa dashuri” të Sefedin Çelës-
Fillova ta lexoja këtë libër sapo u ndava me autorin,Sefedin Çela, pas një takimi të ngrohtë për një kafe në Tiranë. Dhe faqe pas faqeje më lindte idea e dëshira për të shkruar përshtypjet e mia rreth këtij libri. Jo si kritik letrar, sepse nuk e zotëroj këtë mjeshtri, por si lexues i pasionuar. Pasi mbylla edhe fletën e fundit, më erdhi dëshira t’iu kthehem edhe një herë disa tregimeve që më kishin lënë më shumë mbresa. Por pasi të kalonte pak kohë. Mirëpo, kur kaloi ajo kohë, iu ktheva sërish nga e para gjithë librit. Dhe e shijova sërish, siç shijohet një verë e bërë nga mjeshtrat e vërtetë të verës.
Autori ka zgjedhur të verë si titull të librit një varg nga poezia e poetit grek Kostas Pretenderis. Mendoj se autori nuk e ka bërë më kot këtë. Por e ka bërë se dashuria është filli lidhës i të gjitha tregimeve, episodeve dhe faqeve të librit. Mjafton të pish një kafe me Sefedinin dhe pasi ndahesh me të, merr me vete bindjen se dashuria dhe mirësia janë dy nga cilësitë më themelore e më të dukshme të natyrës dhe karakterit të tij si njeri dhe si shkrimtar. Dhe këto dy cilësi janë kulmi që mban të patundur ngrehinën e secilit nga shkrimet e tregimet e këtij libri.
Përshtypja e parë që të vjen në mendje, pasi ke shijuar librin, është se Sefedin Çela ngjyen penën si gazetar e shkruan si shkrimtar. Them ngjyen penën, sepse faktet, personazhet, ngjarjet, pejzazhet ai i qëmton si gazetar i thekur, por kur ulet t’i shkruajë, i qëndis si shkrimtar e shkuar shkrimtarit. E thekson këtë ide edhe miku e kolegu Naim Zoto, i cili ka bërë një punë shumë të vyer në mbledhjen e shkrimeve e tregimeve dhe botimin e këtij libri. Ai shkruan tek parathënia: “Detajet dhe personazhet duket i ka prej gazetari, kurse atmosferën, frymën, humanizmin, lirizmin prej shkrimtari”. Kësisoj shkrimet e librit janë krijime të gazetarisë elitare që shtrihen në krahët e letërsisë cilësore. Dhe mund të quhen pa ndrojtje tregime të mirëfillta artistike, edhe pse ngjarjet dhe personazhet janë realë nga jeta dhe përvojat e autorit.
Autori e ka ndërtuar librin në pesë kapituj, ku secili ka një arkitekturë të bukur e domethënëse. Kapitullin e parë ai e titullon “Gurët e shtëpisë”. Diku autori shkruan: “Gurët e shtëpisë i lamë aty. Janë të rëndë në vendin e tyre. Ne u rrokullisëm drejt qyteteve e morëm me vete mallin”. Ai përshkruan këtu gurët e vërtetë fizikë të ish shtëpisë së tij, atje në Polenën e largët, së cilës i kanë mbetur vetëm gërmadhat, edhe pse tri herë u dogj e tri herë u ringrit nga e para. Por duke lexuar gjithë kapitullin ata gurë marrin një peshtë të madhe simbolike e metaforike. Në të vërtetë ata gurë janë rrënjët e vetë autorit dhe prejardhja e tij, nga ai fshat me 13 shtëpi, që nuk u bërë kurrë katërmbëdhjetë. Autori e përshkruan me shumë dashuri, mall e poezi vendlindjen e tij. “Në perëndim të diellit hijet e mullarëve të barit e të mullarëve të dushkut, zahire e dimrit për bagëtitë, dukeshin si plakat e fshatit ulur në radhë pranë njëra-tjetrës në sofa, duke tjerrë e duke shpërndarë erën e mirë të sepeteve të tyre”, shkruan ai. Duke lexuar tregimet e kapitullit, kupton se gurët e shtëpisë janë ajo familja e madhe prej 17 frymësh, ku me gjithë vështirësitë e kohës, sundonte një harmoni, mirëkuptim e mirëqeverisje e pashembullt e punëve dhe jetës. Ndër gurët e shtëpisë është edhe Baba Qamili, apo Qamil bej, të cilin e shoqja e thërriste me qesëndi, por edhe me dashuri “çalua i djallit”. Ai plak me karakter nopran, por i zgjuar e i drejtë, që i ngjante plakut Melehov tek “Doni i qetë” i Shollohovit, që dinte përmendësh poemat “Qerbelaja” të Naim Frashërit e “Erveheja” të Muhamet Çamit dhe që dinte të jepte përherë këshilla të urta. Është edhe baba Sefedini, partizani idealist, që luftoi në shumë beteja, duke i shpëtuar plumbit armik, por që humbi shëndetin në luftë e vdiq në moshën 33-vjeçare, vetëm pak vite pas përfundimit të saj, duke mos arritur të gëzojë e të përkëdhelë të birin që ishte ende në barkun e së ëmës. I biri jetim i trashëgoi emrin e cilësitë e tij më të mira njerëzore. Por nga ana tjetër, me një foto të tij (me që ishte kopje e të atit), me pak retush nga fotografi, arriti t’ia përjetësojën portretin prej partizani, meqë babai nuk kishte patur asnjëherë foto të tij. E ndër gurët e shtëpisë është edhe ajo nënë me një epizëm të pashembullt, që rriti me vështirësi e sakrifica të birin, e shkolloi dhe e bëri njeri të penës e të kulturës. E djali, në pak rreshta, e ngre figurën e së ëmës, si një kolonë të gurtë që koha nuk arriti asnjëherë ta shembë. Ai shkruan: “Nëna, pasi ra kulmi i shtëpisë së saj, ishte mirë po të ishim mirë ne të tjerët. U vetë-mohua. Dhimbja ime më e madhe është se ajo s’mendoi kurrë për një jetë të sajën. I vuri shpatullat çatisë e mbajti kulmin e shtëpisë të mos shembej”.
Lexuesi, gjatë kapitullit e kupton se ata gurët e shtëpisë, në mënyrë metaforike janë rrënjët e vërteta të secilit nga ne. Të gjithë kemi gurët tanë atje në fshatrat ku lindëm, që i braktisëm kur morëm rrugën e gjerë drejt horizontesh të reja, por që malli na kthen t’i përkëdhelim herë pas here.
Pastaj vjen kapitulli i dytë: “Majtas, lart, ku kam zemrën”. Dhe na shfaqet përnjëherësh ajo, dashuria e madhe dhe kënga e pakënduar deri në fund e Sefedinit, e bukura Vasilika. Janë disa tregime plot ndienjë e lirizëm të hollë, që i kushtohen asaj dhe 40 viteve të kaluara sëbashku, derisa një mëngjes ajo nuk u zgjua më dhe iku siç ikën hëna që fshihet prapa malit. E si mund të ikte ndryshe ajo që kishte shkruar tekstin e këngës “Hënë e netëve të vona” dhe plot tekste të tjera këngësh të bukura? Që në tregimin e parë të kapitullit, “Rikthim në një mars”, ai e shpalos si një monument poetik portretin e saj, kur shkruan: “Ajo ishte si e sapozbritur nga qielli. Si një ylber, i kishte të gjitha ngjyrat. Dukej sikur kishim një jetë bashkë, sikur merreshim vesh edhe pa folur, edhe me gishta”. Kur shkruan për Vasilikën, duket sikur Sefedini nuk shkruan me penë, por me shndritje vetëtimash e kostelacionesh yjore, sikur qëndis me lule lëndinash e parfumon me aroma hyjnore. Në tregimet e kapitullit e gjejmë Vasilikën studente e vajzë të dashuruar, Vasilikën poete e pedagoge, Vasilikën nënë e bashkëshorte, Vasilikën kunatë që di të fitojë zemrën e nëntë kunatave e Vasilikën gjyshe. E sjellë në secilin profil përmes përshkrimesh plot dashuri e poezi, përmes episodesh e detajesh që lexuesit i mbeten në mendje. E kjo dashuri rron edhe sot, aty majtas lart, ku autori ka zemrën. Ajo shfaqet si në ditën e dhurimit të luleve të para, edhe sot kur ai shkon të çojë lule atje ku “më e pamundur se të rrish, është të ikësh”, siç shkruan autori.
Ai mbetet idhulltar i dashurisë së pastër e të sinqertë, i asaj dashurie që e bën njeriun më të mirë e botën më të paqtë e më të bukur. “Ende magjepsem, shkruan ai, kur shoh një çift të rinjsh që shohin veten tek njëri-tjetri. Më rreh zemra kur shoh të moshuar duke pëshpëritur të kapur për dore. Shumë dashuri përcillet në gishtërinjtë e tyre”.
“Çfarë njeriu i bie të kem qenë?”, pyet diku veten autori tek kapitulli i tretë me titull “Të shohësh brenda vetes”. Duket sikur në një lartësi të viteve të tij, ai gjen pak kohë për të analizuar veten e tij përgjatë rrugës së jetës. Por, me thjeshtësinë e tij mitike, ai nuk e bën këtë kurrë në veten e parë. Përkundrazi gjatë leximit, të duket sikur ai ka preferuar të jetë thjesht pasqyra ku reflektohen tiparet më të mira të njerëzve që ka njohur në jetë.
“Është lehtë të arratisesh; e vështirë është të jesh i lirë”, shkruan ai diku në një nga tregimet e tij. Duket sikur kjo ka qenë diviza e jetës së tij. Ai nuk është “arratisur” asnjëherë përpara situatash të vështira e sakrificave, por ka zgjedhur të jetë i lirë.Ka zgjedhur të jetë i lirë edhe kur ishte një mësues i thjeshtë fshati të largët apo drejtor shkolle në moshën 20-vjeçare, edhe kur ishte zëvendësministër kulture, apo drejtor i përgjithshëm i RTSH në situatat më të komplikuara që kalonte vendi. Dhe njeriu ndihet i lirë kur nuk bën kompromise e pazare me ndërgjegjen e tij, por e ruan atë të kristaltë. E Sefedin Çela ka qenë i tillë gjatë gjithë viteve të shkuar e i tillë ka mbetur edhe sot kur shumë e shumë njerëz janë prishur e transformuar në një shoqëri e botë të korruptuar. “Koha më ka dhënë të drejtë, thotë ai në një shkrim. Shoh sot si kacafyten midis tyre analistë “të pavarur”, që hiqen si mentorë të palëve e bëhen ashiqare palë. Them, si ia bëjnë me veten, vallë pyesin nëse i besojnë, të paktën, familjarët e tyre?”. Këto cilësime për autorin, nuk i ka thënë ai për vetveten, por janë konkluzione që lexuesi i nxjerr nga leximi i episodeve herë të qeta e herë dramatike gjatë veprës. “Ne ishim një brez i lumtur misionarësh”, shkruan ai diku për gjeneratën e vet. Ndërsa më poshtë duket sikur nxjerr një konkluzion: “Jeta ime ishte e mbushur plot, s’kam pse të bëj si i ri për t’u gëzuar. Ora ime nuk ka mbetur. Koha ime ishte dje, koha ime është edhe sot. Kujtesa është ura që bashkon ato që kisha me ato që kam”.
Në kapitullin “Ata që ta ngrohin dhe përvëlojnë zemrën”, autori shkruan me një dashuri e mall të veçantë për miq, kolegë e të njohur të tij, që hyjnë e dalin nëpër tregimet e tij po aq natyrshëm siç kanë hyrë e kanë mbetur në jetën dhe kujtesën e tij. Disa i portretizon me pak rreshta apo me episode tërheqëse e domethënëse, siç ndodh me kolegët mësues në fshat apo me ata të gazetës lokale “Jehona e Skraparit”, me drejtues e gazetarë të “Zërit të rinisë” si Miço Verli, Vath Koreshi e Emine Sadiku, me të cilët ai punoi për pak kohë, apo me gazetarë e punonjës të gazetës “Bashkimi”, si i miri Llazar Vero, i urti Irfan Velçani, fotoreporteri i ëmbël jo veç në mbiemër,Petrit Sheqeri, Qemoja e dashur e “grupi i çeçove” etj. Kurse të tjerë, ai i portretizon mjeshtërisht, siç ndodh me Moikom Zeqon e Arshin Xhezon, specialistin e vreshtave Todi Gjermani e shkrimtari Bedri Islami, gazetari e specialisti Bashkim Koçi e inxhiniere Varvara Vasi, Fluturak Gërmenji, Yllka Mamaqi, Arion Melonashi e Mevlan Shanaj, etj. Një vend të veçantë zënë artistë, të cilët ai i ka ndihmuar të marrin fluturimin, me intuitën që kishte për talentin e tyre. E tillë është sopranoja tashmë me famë botërore Ermonela Jaho, apo violinisti Markelian Koçibelli që tani bën pjesë në Filarmoninë e Berlinit.
Shumë kujtime m’u ngjallën tek lexoja këtë kapitull. Ndieja një kënaqësi të veçantë që i dërguar si gazetar kisha fjetur në Potom të Skraparit, ku Sefedini ka qenë mësues, apo në të njëjtën ditë jemi ndodhur në Fushë-Lirzë, kur festohej 30-vjetori i Kongresit të Helmësit. Duke qenë bashkëpunëtor i jashtëm, në gazetën “Zëri i rinisë”, përveç atyre që përmend autori në shkrimet e tij, kisha njohur drejtues e gazetarë të mëvonshëm si Luçie Doçi, Zef Gurakuqi, Tonin Shtjefni, Naile Themelko, Petrit Bezhani, Albana Melyshi, Nadire Caka, Petraq Risto etj. Kurse në gazetën “Bashkimi”, ku bashkëpunoja që nga vitet e gjimnazit kisha njohur drejtues e gazetarë si Niko Nishku, Milto Ferra, Kozma Skarço, Fiqri Shahinllari, Petro Dhimitri e të tjerë. Të gjithë këta kanë qenë të çmuar në udhën e formimit tim si gazetar.
Në kapitullin e fundit, autori ka vënë tri tregime. Janë njëri më i bukur se tjetri. Edhe pse janë të jetuara, ato janë tregime të mirëfillta artistike, madje elitare. Lirizmi dhe atmosfera e tregimit “Siera”, më sjellin ndërmend tregimet më të mira Çehoviane. Tek lexoja tregimin “Një arixhi, një arixhofkë dhe një kalë i vrarë”, më erdhën si padashur në mendje vargjet e poemës “Ciganët” të Pushkinit:
Kullosin kuajt, aty jashtë,
nj’ari i zbutur po rri shtrirë,
po zgjohet stepa, drita bie,
familjet sot, qysh në të gdhirë,
po bëhen gati për në udhë.
Lirizmi që përshkon tregimin dhe atmosfera janë pushkiniane, kurse karakteret e personazheve të kujtojnë ato të tregimeve të Gorkit.
Shumë fin, delikat e prekës lirizmi dhe romantizmi në tregimin tjetër me titull “Vila Prim”.
Janë që të tre letërsi e vërtetë, e mirë, elitare.
Mbi komodinën time pranë krevatit, përveç librit të radhës të zbritur për lexim nga raftet e bibliotekës, mbaj përherë novelat e Cvajkut e ato të Çehovit, të cilave u rikthehem herë pas here në momente të veçanta. Tani pranë tyre do të mbaj edhe këto tregime të Sefedin Çelës, me mirënjohjen për kënaqësinë që di të dhurojë me penën e tij.
Ndue Lazri
Burimi/Facebook


Leave a Reply