NJË RAST I RRALLË I HARMONISË FETARE!
Së pari të gjithë vëllezërve tonë katolikë edhe ortodoksë ju urojmë: Gëzuar e për shumë vjet Krishtlindjet!
Me këtë rast uroj që harmonia jonë fetare të vazhdojë dhe të mbahet e forcohet ashtu si e kanë mbajtur paraardhësit tanë, si e kanë përforcuar në vite duke treguar raste të tolerancës dhe harmonisë fetare. Por ajo që me të thanë të verteten më çuditi, më emocionoi dhe më gëzoi për vlerat kaq të larta , për karakterin e shkodranëve, që kaq njerzishëm e kanë dashur njëri tjetrin, e kanë respektuar njëri tjetrin pavarësisht nga feja, etnija apo krahina, është një ngjarje e ndodhur në Bogë.
Boga është një fshat i vogël alpin në njësinë Administrative Shkrel. Majat mbi 2000 m lartësi, ajri i pastër, uji i ftohtë, peisazhi alpin malor, masivet e pyjeve prej ahu e bredhi, bimët njëvjeçare që lulëzojnë në stinët e pranverës,verës dhe vjeshtës, flora dhe fauna e pasur, bimët endemike, kafshët e egra etj., e bëjnë Bogën një atraksion të veçantë për tu vizituar. Gjithashtu në Bogë do të gjeni vlerat më të mira shqiptare si: mikpritja, besnikëria dhe bujaria. Në këtë fshat janë ndërtuar disa bujtina dhe hotele të cilat mirëpresin vizitorët e shumtë me kushte komode dhe ushqimin bio tradicional.
Kam kujtime me Bogen se atje me të vertetë kam gjetur mikpritjen e njerëzve shumë të mirë,fisnikë dhe bujarë, kur isha në drejtim të Drejtorisë Rajonale të Rrugeve te Shkodrës.Ishte një popull që nuk kishte pasur pothuajse kurrë probleme me gjakmarrjen. Ky fshat turistik malor shumë i bukur, ishte vazhdimisht në kujtimet e bashkëshortit tim i cili kishte kaluar, muajt e verës me familjen disa vite, para vitit 1944.
Bile më kujtohet njëherë një tregim i një malësori të urtë nga Boga. Para shumë vitesh në Bogë kishte ardhur për vizitë një udhëtar anglez. Malësori e kishte prezantuar me malet e luginat e Bogës duke i treguar me emra majat e maleve, prrojeve, luginën, shpellat, etj.. Udhëtari anglez i kishte thënë: Zotëri në një vend kaq të vogel sa shumë emra paskeni venë”. Malësori ju përgjegj: ”Zotëri shikoni pak fytyren tuaj dhe shifni në një sipërfaqe aq të vogël sa emra keni , duke numëruar sytë, vetullat, qelpikët, goja, faqet, buzët etj.
Këtu po kalonte pushimet para disa vitesh Zyhra Kraja, një mike e imja, të cilës i pëlqente shumë ky vend. Duke pirë kafe ajo po më tregonte:
“Kam kenë shitëse për disa vite në Gjuhadol ku për njerëzit atje kam patur konsideratat e mija më të larta. Tek dyqani vinin për të blerë gra, burra, fëmijë dhe pleq kryesisht të besimit katolik që shpesh natyrisht flisnin për fenë katolike dhe sidomos kur vinin festat fetare të tyre tregonin historira por edhe vjersha kushtuar shejtënve dhe Krishtit. Njeren prej tyre e kisha mësuar edhe unë.
NJë ditë dimri në Bogë ishin mbledhur rreth nje vendi të veçantë ku ato rrinin, disa fëmijë të besimit katolik. Ishte prag Krishtlindjeje dhe ato ishin bërë gadi të shkonin në kishë por unë duke biseduar me to midis tjerave ju thashë: “A e dini ju vjershën e Jezu Krishtit ? Jo më thanë . A ban me ju mësue ju ? Po thanë njëzëri!. Dhe unë ju recitova;
Sonte në mesnatë na ka lindë një fëmi
I bardhë dhe i kuq për bukuri
Sytë i ka të zez flokët kaçurrel
Bukurisë së tij s ka kush që ja del
Nana e tij e shumja
S ka shpërngaj me e pështjellë
Krishti në garazh rrinte tue u dridhë
Fëmijët duke e përsëritë disa hërë e mësuan. Shkuan në shtëpi dhe ju treguan nanave të tyre . Ato u habiten sepse si nana të reja nuk i dinin këto vjersha të moçme. U thanë fëmijëve që na tregoni kush asht kjo zonjë që ju ka mësuar këtë vjershë. Ato i treguan Zyhranë që të gjithë kujtuan se mos ishte zonjë katolike por ajo u tha që unë jo vetëm që nuk jam katolike por respektoj shumë fenë time, di vargje kuranore shumë dhe kaq shumë besoj në Zotin tim sa do jepja çdo gja për Zotin. Por kjo nuk më pengon aspak që une tju respektoj ju dhe fëmijët tuaj , në besimin tuaj dhe devotshmërinë që keni ndaj fesë tuaj. Në diten e nesërme-tregon Zyraja- bile edhe pas disa ditësh më kanë sjellur dhuratat nga fshati në shtëpinë time, apo kur blija diçka nuk donin të më merrnin lekët, duke më falenderuar shumë dhe duke ushqyer një respekt shumë të madh përmua, si një grua muslimane që isha e prirur nga e mira, njerzilleku dhe harmonia fetare.
Gjatë bisedës mua mu kujtua një rast tjeter përveç shumë rasteve tjera të harmonisë fetare për Atë Marin Serdanin i cili nuk do ta harronte kurrë fëmininë e tij të varfër që kur ishte 9 vjeç, kur hoxha i Gucisë, fshati ku ai kishte lindur, që ai e quajti “shejti musliman shqiptar”, e ndihmoi jo ta muslimanizonte por ta dërgonte në deren e fretënve për të studiuar. Rastet janë të shumat qoftë nga ana e katolikëve apo e muslimanëve por kjo harmoni dhe tolerancë fetare që vazhdon deri në ditët e sotme, do të jetoj përjetësisht në qytetin tonë të mrekullueshëm.
Burimi/Facebook


Leave a Reply