Me të rënë regjimi stalinist në Shqipëri, i cili për dekada kishte mbajtur një komb të tërë të lidhur me zinxhirët e frikës, terrorit dhe varfërisë ekstreme, qindra mijëra shqiptarë e panë largimin drejt Perëndimit si mundësinë e vetme për të shpëtuar nga një realitet i pashpresë. Në atë kohë, largimi ishte më shumë një ikje nga mjerimi sesa një zgjedhje e lirë për një jetë më të mirë. Por, mes atyre që morën arratinë kishte edhe njerëz që, bashkë me kufijtë e atdheut, dëshironin të kalonin në harresë gjithçka që lidhej me identitetin e tyre kombëtar: gjuhën, kulturën, emrin, dhe çdo lidhje me vendin e lindjes.Ndër këta shqiptarë që zgjodhën të fshinin rrënjët e tyre nga memoria e tyre ishte edhe këngëtarja e njohur e fundviteve të komunizmit, Parashqevi Simaku. Një emër që dikur konsiderohej një nga zërat më të bukur të muzikës shqiptare, një artiste që mbushi sallat me publik dhe që u ngrit në qiell nga kritika e realizmit socialist. Ajo u largua nga Shqipëria me një ëndërr të madhe: të triumfonte në një skenë botërore si Amerika. Por, bashkë me ëndrrat, ajo la pas edhe diçka tjetër: lidhjen e saj me vendin dhe identitetin e saj.
Në vendin e saj të ri, Simaku nuk arriti të realizonte ambiciet e saj. Në industrinë muzikore amerikane, ku konkurrenca është e pamëshirshme dhe standardet kërkojnë më shumë se një talent të lavdëruar nga një sistem ideologjik i izoluar, ajo nuk arriti të gjejë vend. Kështu, dështimi e shtyu drejt një rrjedhe fatkeqe që e largoi jo vetëm nga ëndrrat, por edhe nga vetvetja. Ajo përfundoi mes vështirësive të mëdha dhe më në fund edhe rrugëve, në një emigracion që nuk i dha asgjë nga ajo që ajo kishte shpresuar.
E trishtueshme nuk është vetëm rrënimi i saj profesional, por më shqetësues është fakti që Simaku ka harruar pothuajse krejtësisht gjuhën shqipe, siç dëshmohet nga videot që qarkullojnë sot. Ky harrim nuk është thjesht një pasojë e mjedisit ku jeton, por një zgjedhje e qëllimshme për t’u larguar nga rrënjët e saj. Ajo që dikur ishte një simbol i artit shqiptar, tani është shndërruar në një figurë të huaj për atdheun e saj, për gjuhën e saj, për gjithçka që e lidhte me Shqipërinë.
Çfarë lloj shqiptari zgjedh me vetëdije të harrojë gjuhën e tij, gjuhën e nënës, gjuhën e kombit të tij? Gjuha është identitet, është historia e një kombi, është lidhja më e thellë që dikush ka me vendin e tij, dhe humbja e saj është më shumë se një dështim personal. Është një akt mohimtar, një tradhti ndaj kujtesës kombëtare dhe kulturës që për shekuj ka mbijetuar mes sfidash të panumërta.
Arbëreshët kanë jetuar 500 vjet larg Shqipërisë, pa asnjë kontakt direkt me atdheun, por asnjëherë nuk e harruan gjuhën shqipe. Në fakt, ata e ruajtën atë si një thesar të shenjtë, duke kaluar traditat dhe kulturën brez pas brezi. Ata qëndruan shqiptarë, madje edhe në kushte të vështira, dhe janë një dëshmi se dashuria për identitetin kombëtar është më e fortë se çdo presion apo mjedis i huaj. Por sot, disa shqiptarë që largohen nga vendi zgjedhin vetë të harrojnë gjithçka, të ndërrojnë emrat, të mohojnë gjuhën dhe të largohen nga çdo gjurmë që i lidh me vendin e tyre.
Në rastin e Parashqevi Simakut, kjo nuk është thjesht një humbje personale; është një shembull tragjik i asaj që ndodh kur dikush zgjedh të mohojë identitetin e tij në kërkim të një jete që nuk realizohet kurrë. Shqiptarët që e shohin më të lehtë të jetojnë në qendrat e të pastrehëve të një vendi të huaj, sesa të kthehen dhe të ndërtojnë një jetë të thjeshtë, por të dinjitetshme në vendin e tyre, janë dëshmi e një problemi më të thellë.
Ky fenomen nuk është thjesht një histori personale; është një alarm për të gjithë shqiptarët. Nuk është e pranueshme që dikush të harrojë gjuhën e tij me qëllim, sepse ky është më shumë se një harrim. Është një refuzim i vetvetes, një zhveshje nga historia dhe nga kultura. Shqiptarët që mohojnë rrënjët e tyre nuk meritojnë asnjë lloj respekti apo vëmendjeje nga bashkatdhetarët e tyre, sepse një komb që lejon humbjen e gjuhës dhe identitetit të tij është një komb që po humb veten.
Nëse arbëreshët mund të mbajnë gjuhën për pesë shekuj, si mundet që disa shqiptarë të sotëm ta harrojnë atë për pak vite? Pyetja që duhet të shtrojmë është: sa i vlerësojmë ne rrënjët tona? Sa e rëndësishme është për ne që të ruajmë atë që na bën shqiptarë? Dhe mbi të gjitha, si mund të mos e harrojmë vetveten në një botë që na nxit të bëhemi dikush tjetër?
Burimi/Facebook


Leave a Reply