Ndoshta, hera e parë që teatri “Alberti” në Desenzano del Garda ushton nga shqiptaria. Sot ky teatër, në sallat poshtë dhe lart plot me spektatorë, ishte një ODË e madhe. Në skenën e këtij teatri, siç ishte njoftuar prej ditësh, u ngjitën përballë spektatorëve artistë kalibri.
Para dy muajsh u vunë në lëvizje personat, për të ralizuar një koncert me këngëtarët ndër më të kuotuarit shqiptarë. U përgatit logjistika dhe u organizuan të gjitha detalet dhe ja. Sekretari I Qendrës Kulturore Oda, Edmir Çekrezi përshëndeti thjesht në emër të Odës, që ODA të kumbonte madhërishëm.
Pas dy himneve, shqiptar e italian, të interpretuara me solemnitet nga tenori i njohur Kastriot Tusha, ftoi në skenë kolegët e tij të “aventurës”, Selami Kolonja, Enkeleda Arifi, Nikoll Nikprelaj dhe Ilir Shaqiri. Nga tonet e forta që karakterizojnë këtë këngë thellësisht patriotike të kënduar nga quinteti (pesëshja), u krijua harku elektrik skenë-sallë Një këngëtar nga shqiptarët në Mal të Zi, një nga Kosova, një nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, një nga Çamëria dhe një nga zemra e Shqipërisë. Të gjithë së bashku, të pushtuar nga pesha e atij flamuri i cili rënkon.
Kështu nisi e vazhdoi jehonshëm maratona e këngës me tenorin e famshëm Kastriot Tusha. Larg në vite, në Festivalin e 19 të Këngës në RTV, kënga “Rrjedh në këngë e ligjërime”, zuri vendin e dytë. Porse zuri vendin e parë në zemrat e popullit shqiptar e shumë e cilësojnë si himni i dytë shqiptar. Realizimi i këngës kulmon me kristalizimin e tekstit, muzikës, orkestrimit, interpretimit. Fjalët me përkushtim të lartë për atmëmëdheun, nga pena e poetit të talentuar, Gjok Beci, kompozimi i rafinuar i mjeshtrit Feim Ibrahimi, orkestrimi nga mjeshtri Gjon Simoni, pastaj interpretimi nga këngëtarët me dhunti të rralla si Vaçe Zela e Gaqo Çako, bënë që kjo këngë të marrë përmasat e një triumfi. E triumfal ishte interpretimi që solli tenori me zërin qiellor, me zërin e dashur, Kastriot Tusha. U këndua nga një kor i madh dhe personalisht e përjetova në mënyrë prekëse. Afër kisha bashkëpunëtorin e afërt të tij, artistin e këngës Gege Tuci. Dija që në sallë ishte djali i madh i poetit të madh, Bedarin Gjok Beci me bashkëshorten Esmeralda, ishte dhe bija e poetit të madh, Arjeta, e cila është bashkëshortja e kushëririt tim të parë. Zëri i fuqishëm i solistit në skenë dhe i korit në sallë mbushën kubaturën e teatrit dhe u shoqërua me duartrokitje të stuhishme. Vazhdoi tenori me këngën e bukur italiane “O sole mio” (O dielli im), me disa këngë kushtuar vendlindjes së tij Elbasanit, derisa arriti të kënga e përvajshme që çan zemrën më dysh, “O e bukura More”.
– Ju lutem, jini zemërgjerë kundejt emocioneve të mia! – iu drejtua publikut që priste me kërshëri, këngëtarja me origjinë nga Çamëria, Enkeleda Arifi. Solli këngë me motive nga të gjitha trevat. Sa tërheqëse këngët relativisht të vjetra, por të prezantuara aso kohe nga zëri miklues e modern i sopranos Tefta Tashko. Ishin këngët lirike tepër të dashura për publikun artdashës, si “Zare”, “Kur më vjen burri nga stani”. Me muzikë tepër të këndshme u shoqëruan këngët “Ky marak”, “Qan Lulja për lulen” e, sidomos, “Tumankuqja”, të cilën në sallë e përkthyen në valle.
– Ja që në këtë teatër sot u fol shqip, – tha profesoresha e gjuhës shqipe, Rajmonda Mara, ndërsa mbas saj u mbush edhe me kostume kombëtare shqiptare. Ishin Ishin fluturat mëma e fluturat bija që përbënin Grupin e Valleve “Besëlidhja”, të cilat kishin ardhur nga qyteti Rovereto (Trento). Me larmi lëvizjesh harmonike, tundje shamijash, të duarve, trupit, përcollën atmosferë të bukur në sallë. Me këtë grup ka punuar disa vite artistja Gentiana Abazaj, ndërsa aktualisht punon koreografi i talentuar Nexhmi Mati. Në një moment të dytë ky Grup solli Vallen e Tropojës, tashmë, një element kulture që ruhet e mbrohet për vlerat origjinale nga UNESKO.
Një monet në skenë u ngjit regjizorja Valbona Xibri. Ajo është Presidente e Qendrës Kulturore ODA. Përshëndeti e falënderoi ngrohtësisht të pranishmit dhe artistët. Pastaj recitoi poezinë “Gjuha Shqipe” të atorit autoritar Gjergj fishta.
Përsëri kënga protagoniste dhe para publikut, një djal nga Struga. Zëri i tij i ëmbël e miklues e ka bërë kaq të njohur në publikun shqiptar kudo që ndodhet. E nisi pjesën e recitalit të tij me këngën më prezantuese të tij, “Moj Arbëri”. Tepër të këndshme meloditë e këngëve në të cilat evokohen emrat e qyteteve në kufi të shqiptarisë, por jashtë shtetit amë. Po aq e këndshme potpuria me këngë nga të gjitha trevat e shpesh kori i ngjante një brohoritjeje. Iu desh të këndohte dy herë refrenin “Shqipëri, o Nana ime”, me vargjet himn të atdhedashurisë, të opostullit të Rilindjes Naim Frashëri.
– Ky këtu është Nikoll Nikprelaj, – më tha dekada më parë një njeri i imi duke më treguar foton në një kasetë, kur sapo kishin dalë kasetofonët e parë në Shqipëri. Me afshin që dëgjoja këngët e tij e nuk ngopesha, nga që transmetoheshin rrallë vetëm në radio, pashë foton e këtij djali të ri me fytyrë të plotë e të hijshëm. Akoma më i hijshëm më dukej kur bëra bashkë zërin e figurën e këtij djaloshi që këndonte me tonalitet të lartë e me ëmbëlsi të rrallë. Thuajse i njëjti edhe sot pas dekadash në skenë para nesh. Zëri po ai e hijeshia e artistit vetëm sa shtohej.
– Ju kam sjellë të falat e vendlidjes sime, Malit të Zi, – tha në fjalën e tij prezantuese. Solli për ne këngët e tij më të njohura dhe na u ngulitën disa fjalë të cilat i solli pëmes këngëve të tij, si; nuk ka fe, as parti, që e ndan kët shqiptari; se jem geg e jem toskni, jem dy degë të një lisi; gjithë shqiptarët kan veç nji nanë”.
Brezi im është rritur me vargjet e Fan Nolit. Ndoshta, dhe përmendësh dinë njerëzit poezinë “Anës Lumenjve”, “Elegjinë për Bajram Currin”, “Himni i flamurit”, “Syrgjyn vdekur” … Kishin dalë, siç përmenda kasetofonët e parë. Atë ditë e mora me vete dhe doja t’u shpjegoja elegjinë për Luigj Gurakuqin me ilustrim. Më dukej se kam bërë namin. Ishte koha kur në Kosovë forcat artistike u dhanë tinguj muzike shumë krijimeve të Rilindjes e më pas. Kishte marrë jetë kënga “Syrgjyn vdekur” e kënduar me nota elegjiake nga një duet tepër i rrallë. Ishin zërat vajtues të një këngëtarje me emrin Ganimete Asllani dhe Ilir Shaqiri. Nga Ilir Shaqiri kisha dëgjuar edhe këngë të tjera, domosdo, me volumin në maksimum. Ky adhurim më dukej i afërt e bashkëjetoja me të. Por nuk më dukej as e largët dita kur këtë kolos të këngës shqiptare do ta shihja me sytë e mi pak metra larg në skenë, ai në rolin e këngëtarit, unë në rolin e spektatorit. Miku që kisha pranë, ka mbaruar degën e kantos në Akademinë e Arteve dhe i dinte përmendësh të gjitha këngët që u kënduan, Kuptohet edhe ato të Ilirit. Vetvetiu shoqëronte zërin e tij kumbues, zërin e tij, i cili duket sikur kalon të gjitha penjëzat e shpirtit për t’u bërë pjesë e spektatorit.
Interpretimi i parë ishte këngë përmallimi që evokon kthimin në shqipëri, në Prishtinë, në … Me nota dashure të madhe, të madhe përshëndeti Edin që kishte shkuar tek ai në Prishtinë, me këngën “Elbasan me zemër dielli”. Tetova, Kosova, Shqipëria ishin terrenet ku mbështetej kënga e tij. Dhe nga këto terrene kanë lindur spektatorët që dhuruan duartokitje të pandërprera admimrimi.
Dhe përsëri pesëshja, jo thjesht pesë cepat e një ylli, por constelacioni me pesë yje që i bën sfidë padrejtësisë historike dhe i këndon përbashkimit nën jë flamur, me këngën miuzikol bëri të bjerë sipari i këtij koncerti. E fill takimi mes miqve, takimi me artistët. Me shumë kënaqësi takuan çiftin mik dibran Benareta e Klodian Cami, të cilët kishin ardhur nga larg.
Do të mbetet i pashlyer momenti kur takoi djalin e një miku të tij, tashmë i ndritur. Ndoshta, pas një gëzimi të madh, një lot duhet. Por kur ky lot i dedikohet autorit të këngëve lapidare të muzikës sonë të kultivuar, ka peshen sa rëndesa e një të madhi për bashkëpunëtorin e tij Gjok Beci dhe derdhet mbi supin e djalit, Bedarinit, e vajzës së tij, Arjeta.
Domosdo, të pranishmit përjetuan diçka të bukur shumë. Dhe pas kësaj të bukure qëndron gjithë puna e madhe e bërë nga organizatorët, Këshilli Drejtues i Qendrës Kulturore Oda, që përgatitën gjithçka dhe që mbështetën logjistikën me peshë të aktivitetit. Veç atyre që përmenda, kanë kontribuar e kanë merita dhe Jeta Ayroldi, Silvana Guga, Altin Hysenbelliu, Admir Plaka, Suela Plaka, Av. Artan Bashli, Zëvendëspresidenti i Centro Culturale ODA, Gëzim Guga. Kjo është bërë në vijim të projekteve ambicioze që ka organizimi i deritanishëm, për të arritur objektiva të mbëdha, por me baza solide dhe duke menduar të bëjnë dika që i shërben pasurimit shpirtëror të komunitetit.
Burimi/Facebook


Leave a Reply