Nga Vlashi Fili
1-
Isha shumë i ri kur u detyrova të futesha në punë. Paga shumë e vogël e nënës ishte e pa mjaftushme për të përballuar nevojat e familjes tonë, kështuqë sapo përfundova klasën e 8-të, pa mbushur ende 15 vjeç, filluan kërkimet për një vend pune. Të them të drejtën, u gëzova që nuk do të vazhdoja shkollën sepse nuk e kisha me qef fare dhe i gëzohesha kalimit nga shkolla në punë. Mendoja se në punë do të ndihesha më mirë se në shkollë dhe nuk do të kisha telashet e të mësuarit. Më vonë kur pashë vështirësitë e punës, u pendova që e lashë shkollën por nuk kisha çfarë të bëja.
Vështirësitë filluan qysh në momentet e para për të gjetur punë. Burri i tezes u përpoq shumë dhe gjeti një vend pune jo të keq. Në këpucarin me porosi të qytetit duhej një nxënës që të mësonte atë zanat, mbasi pas pak muajsh një nga këpucarët do të dilte në pension. Por si rregull duhej që të merej fletë pune nga këshilli i lagjes, pa të cilën nuk mund të filloje dot punën.
– Ne kemi plot djem nga familje të mira për t’i çuar atje. Nuk do të çojmë atë që ka babanë në burg. – Kështu u përgjigj kryetari i këshillit të lagjes, burrit të tezes, kur ai i kërkoi fletën e punës. Me gjithë përpjekjet e bëra, nuk ishte e mundur të bindej kryetari që ta jepte fletën e punës.
Më vonë mu dha mundësia të punoja në ndërmarrjen pyjore. Puna atje ishte e rrëndë për moshën time. Së bashku me dy të tjerë na caktuan të punonim me një Zetor si punëtor ngarkim–shkarkimi. Ngarkonim dhe shkarkonim rimorkion e Zetorit sambas rastit. Herë venim në gurore dhe ngarkonim gurë, shkonim në lumin pranë qytetit dhe ngarkonim rërë, në stallat e lopëve, në anën tjetër të qytetit, për pleh, ngarkonim fidana pemësh të ndryshme për të mbjellë diku, etj. etj., punë këto që më lodhnin jashtë mase. Po të shtoheshin këtu kushte në të cilat bëheshin këto punë, në dimër e verë, në të ftohtë apo në pikun e vapës, në erë e në shi, vështirësit e kësaj pune bëheshin edhe më të mëdha. Më keq e kishim në dimër kur të hipur në rimorkjon e Zetorit, që lëvizte sa majtas – djathtas, kur udhëtonim nga një vend në tjetrin, pothuajse na ngrinin duart nga të ftohtit. Pale kur na zinte shiu rrugës. Mblidheshim të tre në krye të rimorkjos dhe hidhnim në kokë për tu mbrojtur, çfarë kishim me vete.
Kështu që kur kthehesha nga puna në shtëpi isha pothuajse i vdekur nga lodhja. Gjyshja (që ndjesë pastë) sa më shikonte , të lodhur e të këputur, më qante hall.
– A more bir! Paske fatin e keq , të rropatesh qysh në këtë moshë në punëra që janë të rënda dhe për të ritur e të fuqishëm, -thoshte ajo.
Ndërkohë njerëzit e mi, duke më parë sa lodhesha, u përpoqën dhe më gjetën një punë tjetër. Kur më thanë që do të fillosh punë në ndërmarjen ushqimore, nuk e përmbajta dot gëzimin. Nuk e dija çfarë pune do të bëja atje, por sidoqoftë më lehtë se në ndërmarrjen pyjore do të ishte. E mira ishte se do të punoja brënda dhe nuk do të vuaja më sidomos nga të ftohtit në dimër. Për më tepër stazhi prej një vit pune në pyjore më kishte kalitur në një farë mase.
Ditën që më thanë u gjënda te porta e ndërmarrjes ushqimore. Në fakt kjo ndërmarrje kishte dy porta. Njëra portë në anën ballore të ndërmarrjes por që rinte gjithmon mbyllur. Asnjë njeri, makinë apo karocë nuk pashë të hynte apo të dilte nga ajo portë. Ajo nuk hapesh asnjëherë dhe ishte vetëm për emër. Kurse porta tjetër ishte në anën veriore të ndërmarrjes. Ishte një portë e thjeshtë, me dy pjesë të ndërtuara me shufra hekuri. Në njërën anë të sajë ishte një dhomë e vogël prej dërase ku rinte roja. Nëpërmjët kësaj porte kryheshin të gjitha lëvizjet e ndërmarrjes në njerëz dhe në mjete.
Kur u dhashë te kjo portë, nga dhoma e rojes doli një burrë i moshuar, rreth 50 – 55 vjeç, me një fytyrë babaxhane, pak i kërusur dhe me flokë të shpupurisura. Ishte roja e ndërmarrjes. Sa më pa më pyeti.
-Çfarë do more djalë i mbarë?
-Më kanë thënë të filloj punën këtu, – ju përgjigja
-Në cilin repart? – Ma ktheu ai.
-Nuk e di, – i thashë unë
-Mirë, do të shkosh në kuadër, ja atje te ajo ndërtesa më tulla të bardha, në katin e dytë, – e më tregoi me dorë andej nga duhet të shkoja. – E kemi grua shumë të mirë atë të kuadrit. Ja do ta shikosh vet.
Me të vërtetë, shefja e kuadrit, më priti mirë. Sa i thashë emrin më tha se do të punoja te furrat e bukës. Ndërkohë thirri dikë në telefon dhe kur ai u fut në zyrë i tha:
– Ky djali do të punojë te reparti yt.
– Këtë do ta kesh shef reparti,- tha shefja duke mu drejtuar mua.
Së bashku me shefin dolëm nga ndërtesa e administratës dhe u drejtuam nga reparti i furrave të bukës. Ato ishin pranë portës së ndërmarrjes dhe sa kaluam aty rroja ju drejtua shefit.
– E, Kristaq. Ti do ta marrësh këtë djalë? Mirë, mirë, se duket djalë i mbarë.
– Po, po, xha Faiku. Te mua do të filloi punën.
– Suksese, djalë i mbarë, – mu drejtua mua xha Faiku
– Faleminderit, – i thashë unë, pa guxuar që t’i drejtohesha ashtu si i foli shefi.
Pra fillova punën në repartin e bukës ose si i thoshin punëtorët, fabrika e bukës. Puna edhe këtu nuk ishte e lehtë, për më tepër ishte me tre turne, por unë i gëzohesha faktit që punoja në ndërtesë dhe jo jashtë si në ndërmarrjen pyjore.
(Vazhdon)
Vlashi Fili
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply