Kur isha i vogël, dhe flisnin për botën e madhe,
Fshehurazi flisnin për botën e lirë,
Si tregimi i një ëndërre, tregim i një përralle
Dhe unë femija: “Eh, lum ata, jetojnë aq mirë!”
Fluturonte brenda dhomës me mure të çara,
bota me emrin e frikshëm, kapitalizëm…
Mendoja tek shihja gratë perkulur në ara,
me kazëm e lopatë, tek bënin qilizëm…
Dhe andej, ah andej, një botë me drita.
S’më linte të qetë ai mal me çokollata.
Në radio dëgjoja “me dyqint petrita”
Urraa-të e kohës me kazma e lopata
Po ku ta dija se një ditë do lindja fëmijë m’at’anë…
Por, do të më mungonte “Drita” të dielave,
Dhe kapitali do t’ulej këmbëkryq në Tiranë
Në formën e night-eve e të grataçelave…
Ku ta dija se, më s’do të luaja
e s’do turresha dot, në rërën e detit…
Se për ajrin dhe diellin do të paguaja,
hajdutët e vënë prej vetë dovletit*,
Se po të mbroja shtëpinë, nderin, tokën,
Të ngrija zërin e të kerkoja të drejtën…
Me hunj, copë do të ma bënin kokën,
E dikush pastaj, do nxirrte pistoletën!…
E shoh, më sheh i trishtuar, ai fëmija që ëndërronte…
Dhe duket sikur në faj më thotë “Po ku ta dija?!”
Mbyllet sipari. Publiku diskutonte…
Por ende nuk dinte, se ç’ish tragjedia.
Dua ta përkedhel, kokën t’i fërkoj!
E pastaj ta shtërngoj fort e fort në gji
Me lot në sy falje t’i kërkoj,
Por dhe të gëzoj që mbeti ashtu… fëmijë!
Dua të shkoj e ai fëmijë të më marre për dore,
Dhe të më çojë ai në kohën e shkuar,
Tek qulleshim kur losnim me topa dëbore
Dhe qanim për këpucën me shollën e shpuar.
Tek hanim byrekun a specat e fërguar
Dhe turreshim mbas ca të hekurtave rrathë
Dhe “isenshella-t”* që kishim studjuar
Tek hanim pak bukë me domate e djathë.
Atje të më çojë, atje le t’më lërë
Tek caraca a tek bahçja prapa,
Të bëjmë kështjella po të dojë, mbi rërë,
me top llastiku të luajmë, o “Hapa dollapa”!
Të luajmë luftash me atë lagjen tjetër,
Të vritem në gju, a bërrylin të vras,
Të ma ndalojnë gjakun me duhan e letër
I plagosuri i lagjes, të shpallesha më pas.
Nuk gjeta një fund, nuk gjej dot një pikë,
për të mbyllur kujtimet, këto vargje në letër…
Dijeni, paqen do ta gjej një ditë
Tek ai femija duke lozur, në lagjen e vjetër!
***
dovleti* = pushteti
isenshella-t* (essential)= metodat e mësimit të gjuhës anglese, aq të kërkuara në kohën tonë.
***
C@ne
Itali 18/08/2024
Burimi/Facebook


Leave a Reply