Fragmente feste, 18 shkurt 2024.
1. “Gjurmët”
Ah, Gjurmët!
E dija me kohë që “Gjurmët” s’i gjeja dot, sepse janë shumë të kërkuar. Ishte kjo arsyeja që me bashkëpunëtorët e organizimit të festës u kërkuam para afër dy muajsh mundësinë e ardhjes së tyre në festën tonë. E kuptoj se dikush motivohet edhe nga simpatia që mund të ketë për dikë, se në punën vullnetare funksionon edhe kështu. Por jam i sigurtë se ata janë motivuar, para së gjithash, për të festuar me komunitetin ditën e shenjtë të Pavarësisë së Kosovës. Dhe këtë radhë, fati na buzëqeshi, se na zgjodhën ne.
– O, sa mirë! Atëherë i japim më shumë prioritet programit artistik, – u shpreh regjizorja e talentuar tiranase Valbona Xibri, menjëherë pas konfirmimit të këtij grupi. Dhe mbi këtë bazë u hartua programi i zhvillimit të festës së Ditës së 16-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Disponibiliteti i tyre na dha krahë, na dha frymëmarrje, na nxiti për ide që t’i vinim në pozita sa më komode, që të shprehnin gjithë adhurimin që ata kanë për artin e për transmetimin e tij tek komuniteti ynë. Duke qenë grup folklorik, është i pashmangshëm sensi i krahinorizmit. Por në festën tonë, ky sens, i shkonte shumë tematikës së aktivitetit të organizuar bashkë me Konsullatën e Përgjithëshme të Republikës së Kosovës në Milano. Përbërësit e grupit janë kryesisht nga Mirdita, por edhe nga Puka, Shkodra, Lezha, Mati e Kurbini. Instrumentat e tyre janë çiftelia, sharkia, fyelli. Repertori i këngëve që ata këndojnë, i kapërcen kufinjtë e trevave nga vijnë dhe këngët kosovare janë tepër të preferuara. Duke pasur në grup një mjeshtër me përgatitje të lartë profesionale si Gege Tuci, i cili ka mbaruar Akademinë e Arteve në degën e kantos, kanë arritur të kapërcejnë edhe limitet që kanë instrumentat tradicionale, duke ruajtur origjinalitetin e duke sjellë risi në kombinime të tingullit të telave e në përsosjen e melodive. Pse jo, edhe ndonjë notë modernizimi. Kjo sepse ata mblidhen shpesh bashku e, shumë raste, edhe online, për t’u dëfryer, por gjithnjë duke bërë diçka. diçka që bëhet gjithnjë e më stimuluese për ta dhe kanë konsoliduar një grup plot energji, plot ide dhe me repertor të pasur.
Mbi 200 km rrugëtim e “aventura” përshkoi këngëtarja e talentuar Mariana Daçi për të mbërritur në këtë event. Nga Laçi kishte marrë avionin dhe kishte ardhur apostafat për këtë aktivitet instrumentisti e këngëtari Florian Gjoni. Të gjithë i kishin karikuar bateritë, për të dhënë maksimumin. Na ngjalli kaq shumë entuziazmi i tyre me të cilin erdhën dhe energjitë pozitive që sollën.
– Kam menduar të bëjmë një nisje të fortë të festës, – na tha komandantja jonë Valbona dhe kështu nisi. Dhjetë burra zakoni me çifteli e sharki në duar dhe një nuse u rreshtuan para publikut. Në vend të nisjeve ceremoniale e himneve, nisi melodia e shpërthyen zërat që këndonin këngën e stuhishme “Për liri s’të fal shqiptari”, e cila u shoqërua me duartrokitje dhe u këndua nga të gjithë në kor.
Organizatori kryesor i grupit artistik “Gjurmët”, Anton Mirditori, (me të cilin kemi komunikuar gjatë gjithë kohës përgatitore) i la detyrën të prezantojë për publikun një nga një pjesëtarët e grupit të pranishëm, këngëtarit Gege Tuci. Së pari prezantoi komandantin e grupit Antonin. Pranë tij kishte birin e fismë të Mirditës, imprenditorin e suksesshm dhe kontribuesin për kulturën në vendin ku jetojmë dhe në vendlindje, personi me kulturë juridike e pasion për artin, Gjon Melyshi. Prezantoi pjesëtarët dhe angazhimet e tyre në organizimet shoqërore; Zef Margjoni, Florian Gjoni, Arben Marku, Gëzim Pepa, Maksim Prenga, ArBen Prenga, Ndrek Gjoka dhe solisten e mirënjohur Mariana Daçi. Dhe përsëri këngë …
Pas fjalës së ish-luftëtarit të UÇK-së Fazli Vehapi, një zë tingëllues pushtoi sallën. Ishte kënga “Mora fjalë”, kushtuar komandntit legjendar Adem Jashari dhe e dinin thuajse të gjithë përmendësh. Pasi mbaroi, iu kërkua të këndonte përësëri solistja Mariana dhe këndoi një këngë në duet me këngëtarin Gezim Pepa.
Këngët kushtuar lirisë, kushtuar Kosovës, kushtuar heronjve, i dhanë seriozitet e solemnitet gjithë aktivitetit. Pas aktivitetit, pati një rinfresko për të pranishmit. “Gjurmët” nuk e kishin shkarkuar gjithë adrenalinën që kishin brenda. Ndaj nisi një aktivitet i dytë, kësaj herë me këngë që sollën një alegri infektuese për të gjithë dhe valle të improvizuara, sa harruam të shikonim edhe orën.
Burimi/Facebook


Leave a Reply