-Në 10-vjetorin e firmës “Latonerie Hyzoti” –
E shikoja prej ditësh atë tabelë të vënë në ballinën e një ndërtese të madhe në qendër të qytetit të Roveretos. Është nga ato tabela që tregojnë se në atë ndërtesë po bëhen punime të rëndësishme. Në tabelë shkruhet “Latonerie Hyzoti”. Ndjeja krenari tek e shikoja, sepse e dija që ajo ishte firma private e një djaloshi shqiptar nga Ishmi, firma e Sulejman Hyzotit, i cili në pak vite është bërë i njohur jo vetëm në Rovereto, por në gjithë zonën e Trentinos e më gjerë. Firma e tij merret me ndërtimin e çative të reja, por edhe me riparimin e çative të vjetra në pallate të banuara nga qytetarët, në ndërtesa të zyrave publike, në ndërmarrje industriale etj. Fakti që e shikoja tabelën në një nga ndërtesat e rëndësishme të shërbimit publik ma shtonte krenarinë dyfish.
Më gëzonte ky fakt jo vetëm pse me familjen e Xhemal Hyzotit(babai i Sulës), kemi miqësi familjare, por para së gjithash se Sula përfaqëson brezin e ri të imprenditorëve shqiptarë. Mbrëmë ai festoi 10-vjetorin e krijimit të firmës së tij. Erdhi në Itali kur ishte në moshën 16-vjeçare. Natyrisht, si çdo emigrant, kishte ëndrrat dhe dëshirat e tij për të ardhmen. Por para së gjithash si fillim kishte nevojë të hynte në botën e punës italiane, për të filluar jetën në këtë vend që u ka dhënë mikpritjen më shumë se gjysmë milioni shqiptarë. E Sula nuk mund të harrojë italianin Paolo, që i dha përkrahjen e ndihmën e parë, duke i gjetur punë. Ndaj edhe mbrëmë, në festën e 10-vjetorit të firmës, Paolo ishte i pranishëm midis shumë të ftuarve të tjerë.
Cilësitë që e karakterizonin gjithnjë Sulën, edhe pse i ri në moshë, ishin dëshira për punë, korektesa, mirësjellja, etja për të mësuar dhe intuita për të gjetur drejtimin e duhur në jetë. Pasi punoi disa kohë me italianin Paolo, ai ndërroi punë të ndryshme, derisa u sistemua tek një imprenditor, që punonte në fushën e latonerisë. Sula punonte në heshtje e me korektesën që e karakterizon. Por kishte edhe mprehtësinë të mësonte të fshehtat e zanatit, derisa erdhi një ditë që kishte bindjen se e zotëronte atë më së miri. Dhe pa hezituar mori kurajon të hapte firmën e tij, kur ishte në moshën 25 vjeç. Që atëherë nisi shtegëtimin “Latonerie Hyzoti”. Që hap pas hapi jo vetëm bëhej e njohur në zonë, por i jepte edhe siguri jetese. Sula krijoi familjen e tij, u martua me Inën, një vajzë e thjeshtë, e heshtur, e mençur, por edhe shumë e dhënë pas jetës familjare. E tani kanë dy fëmijë si yje, Sofien e Matteon. Në këto dhjetë vite, ai arriti të blejë shtëpi jo vetëm për familjen e vet, por edhe për prindërit e tij, u pajis vetë e pajisi edhe firmën me automjetet dhe gjithë mjetet e makineritë e nevojshme që i duhen për ta bërë punën në perfeksion.
Sot kur shikon që në festën e firmës së tij marrin pjesë apo përshëndesin edhe imprenditorë të rëndësishëm italianë, si Mambeli, apo pronari i distilerisë së madhe moderne “Marzadro”, e të tjerë, kupton hapat e vendosur e të suksesshëm që ka bërë ky djalosh në profesionin e sipërmarrjen e tij.
Ndërsa festojmë sëbashku, ndjej kënaqësi kur shikoj që Sula ka marrëdhënie të mira miqësie e bashkëpunimi edhe me imprenditorë të tjerë shqiptarë, si Fation Mulliçi, Gentian Shero, Anton Përskura, Fation Marku e të tjerë, që janë të pranishëm krahas familjarëve dhe të afërmve të familjes, që kanë ardhur edhe nga Macerata, Toscana e Piemonte. Këta imprenditorë i njoh personalisht dhe kam patur rastin të njihem me sukseset e tyre, çka më bën vërtet krenar si bashkëatdhetar, por edhe si gazetar, sepse më japin motive për të pasqyruar rritjen e sipërmarrësve shqiptarë në tokën e mjeshtrave të mëdhenj italianë.
Sot në mëngjes kalova sërish pranë asaj ndërtesës së lartë ku është tabela e firmës së Sulës. Ndërtesë mjaft e lartë. E Sula me punëtorët e tij e kanë punën atje në lartësi, çka paraqet vështirësi jo të vogla, sidomos në këtë të ftohtë të hidhur dimri. Por Sula dhe punëtorët e tij janë në lartësinë e profesionit e të kërkesave të tyre profesionale, në lartësinë e emrit që ka krijuar firma “Latonerie Hyzoti”
Ndue Lazri


















Burimi/Facebook


Leave a Reply