Ishte fotografi i fundit, më i vjetri që kishte qyteti im, Shkodra. Arkiva e tij numëronte rreth 228 mijë imazhe të shkrepura në film rul 24 x 36 mm, foto që mbartnin një sigël të përbashkët: “Nënshati”. (Bëjmë fjalë për vitin dhe kohën e intervistës).
Kjo pasuri kulturore që shtohej dita-ditës nga djemtë e tij, e vë denjësisht artistin Nënshati përkrah emrave të mëdhenj të fotografisë shqiptare, si: Marubi, Pici, Jakova, Rraboshta.
Angjelin Nënshati u lind më 12 dhjetor 1929, në Shkodër. Kreu gjimnazin “28 Nëntori”. Nga viti 1948 deri në vitin 1957 punoi si mësues në shkollat e Pukës dhe
të Shkodrës. Që në rini pati pasion të madh fotografinë. Kur ishte 14 vjeç hyri në laboratorin-atelier të fotograft të njohur Rraboshta. Kujtojmë që në Pukë
krijoi laboratorin e parë fotografik në vitin 1948.
Deri në vitin 1957, është marrë me fotografinë si amator e më pas si
profesionist. Eshtë shquar si i tillë, duke fiksuar ngjarjet më të rëndësishme të historisë së qytetit të Shkodrës e më gjerë. Vdiq më 18 prill 2008, në moshën 79-vjeçare, në Shkodër.
Pak portret…
Ashtu, thatim në fytyrë, i qeshur e i përzemërt gjithmonë, teksa u shpërndan njerëzve mirësi e nur, ecën me hap të shpejtë. Gjithmonë shpejton: në mëngjes, në mesditë, në muzg. Shpesh e zë nata dhe në udhë. Jo si një udhëtar i vonuar, por si një njeri i mirë, fjalëpak e i heshtur, që ka 50 vjet që s’e ndan nga dora “mikun e tij të ngushtë të jetës” aparatin fotografik. Dhe ka 50 vjet me këtë aparat fotografik që diçka (e vazhdon) t’i thotë qytetit të tij të lindjes e kohës. Me artin e tij kërkon të mos u mbetet borxh ditës e njerëzve ndaj shpejton e shkrep, shkrep e shpejton… “Foto Nënshati”. Për këtë mision fisnik, Shkodra, vendlindja e tij, i është përherë Mirënjohëse.
Shkëputur nga libri “Personazhi dhe koha” i shkrimtarit Xhahid Bushati
Burimi/shkodrazone.com/
Leave a Reply