Eraldo Rexho
Një bisedë e shkurtër me një nga artistët më të dashur të skenës shqiptare. Humor, këngë, e pasione të tjera që s’kanë fare lidhje me dy të parat. Ermal Mamaqi, tregon dashurinë që ka për peshkimin, arsyen pse urren gjuetinë me armë, miqësinë e vjetër me Dashnor Dikon, frymëzimin që merr prej tij, pushimet e cunguara, pasionin për motorët, që lindi si një nevojë për t’i shpëtuar trafikut të Tiranës dhe planet që ka në muzikë, ku për fat të keq, shoku i tij Nori nuk ka ndër mend të rikthehet, sepse përpara biznesit nuk mund të vërë një këngë ‘house’…
Më trego diçka për pushimet e këtij viti. Si kaluat?
Nuk them se kam bërë pushime deri tani. Kam bërë disa udhëtime dhe aventura në ditët që kemi pasur pushim.
Tek fotot pamë që ishe duke peshkuar. Ç’është ky pasion për peshkimin, e ushtron shpesh?
E ushtroj sa herë kam kohë dhe sa herë është kohë e përshtatshme për peshkim.
Po gjuetinë, e ushtron?
Për gjueti me armë kam qenë vetëm një herë dhe nuk kam për të shkuar më kurrë. M’u duk shumë e dhunshme. Më mirë kur kap një levrek të mirë, sesa një rosë që fluturon.
Gjatë peshkimit, ke qenë me Dashnor Dikon… Si ka lindur miqësia me të?
Është miku im i vjetër e i mirë. Është një nga personazhet shqiptare që çdokush do ish me fat ta kishte mik. Një pjesë e mirë e skenarëve që unë krijoj marrin spunto nga historitë e Norit. Kalojmë shpesh kohë bashkë familjarisht.
Ka gjasa që të bashkoheni në ndonjë duet?
Ndoshta. Po Nori nuk besoj të shkëputet nga biznesi dhe nga peshkimi për të kënduar ‘house’.
Na trego pak për këtë pasionin tjetër që ke, për motorët; si ka lindur?
Nga nevoja për të lëvizur shpejt në trafikun e Tiranës, pastaj duke e rritur fuqinë motorike dhe kaq ishte. Nuk ndahem dot nga motori. Pastaj udhëtimet e gjata janë një eksperiencë tjetër që të bën për vete.
Së fundmi është publikuar lajmi për ndërprerjen e shtatzënisë së Amit; si e përjetuat?
Na erdhi e papritur, por besojmë se është në dorën e Zotit kjo punë. Nuk është as hera e parë as e fundit që ndodh një ndërprerje shtatzënie. Jemi në pritje të një periudhe sa më të shpejtë për t’u bërë prindër.
Në shtator, me çfarë projekti do të vish?
Kam një tjetër bashkëpunim me Dr. Florin. Sigurisht, “Apartamenti 2XL” po na pret t’i hapim derën. S’mund të them asgjë tjetër.
Po në “Kënga Magjike” do të marrësh pjesë?
Kam shumë dëshirë, por Pirro Çako nuk më kupton në telefon (qesh). Ashtu është një muhabet.
Gazeta Shqiptare
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply