Në takimin me Shefin e Politikave Publike në kompaninë Uber, z. Andrew Byrne, folëm për klimën atraktive për investime në Kosovë, sidomos në sektorin e TI-së. Mbi 650 kompani në këtë sektor, 70% e të cilave eksportojnë shërbime kryesisht në ShBA dhe BE, tregojnë për potencialin e madh dhe të dëshmuar të këtij sektori në Kosovë. Ndërkaq shtimi i numrit të të diplomuarve në fushën e shkencave kompjuterike dhe teknologjisë së informacionit tregon për kapacitetin në rritje të vendit tonë. Duke marrë parasysh këto cilësi të veçanta të sektorit të TI-së në Kosovë, e ftova kompaninë që ta përfshijnë vendin tonë në strategjinë e tyre të zgjerimit dhe planet e tyre për kontraktim të shërbimeve nga jashtë. Uber është kompani me të hyra vjetore prej 5.8 miliardë dollarë dhe operon në mbi 70 shtete e mbi 10 mijë qytete anembanë botës.
Takimet i vazhduam me Airbnb, kompaninë që është duke operuar me shumë sukses në Kosovë dhe e cila po kërkon mënyra se si mund të zgjerojë edhe më tej gjurmën e vet në vendin tonë. E themeluar në vitin 2007, Airbnb tashmë numëron mbi 14 mijë punëtorë, me të hyrat vjetore 5.9 miliardë dollarë. Gjatë takimit theksova gatishmërinë e Qeverisë sonë për të ofruar dhe siguruar kushte të favorshme për investime të huaja. Vendndodhja qendrore gjeografike dhe kulturore e Kosovës, fuqia punëtore profesionale, shpenzimet e ulëta operacionale për kompanitë e TI-së, shtrirja dhe qasja e gjerë në internet, zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik ishin disa prej arsyeve që kam përmendur se pse Kosova ofron një mundësi të artë për investime të reja nga ana e kompanive si Airbnb.
Gjatë takimit u dakorduam që të shqyrtojmë disa mundësi specifike të investimit në Kosovë, sidomos për sa i përket zhvillimit të turizmit, me theks në atë rural.
Takimin tonë të fundit në kuadër të promovimit të sektorit të TI-së në Kosovë, e zhvilluam te kampusi i kompanisë legjendare, Microsoft, në Silicon Valley. Ky kampus mbresëlënës është inspirim për bashkëpunim ndërnjerëzor dhe dëshmon se inovacioni dhe qëndrueshmëria nuk janë në kundërshti, porse burojnë nga njëra-tjetra. Sikurse në takime të tjera, edhe zyrtarët e Microsoft i kam informuar për kushtet e favorshme në Kosovë për investime në sektorin e TI-së, sidomos për shkak të potencialit gjithnjë në rritje të të rinjve që merren me këtë sektor.
Në përmbyllje të vizitës sime në shtetin e Kalifornisë, kemi organizuar një bashkëbisedim me profesionistë të suksesshëm të mërgatës sonë në rrethin e San Franciskos. Këta profesionistë bashkëpunojnë me kompani me renome botërore siç janë Oracle, Facebook, Amazon, Apple, Netflix dhe shumë të tjera si këto. Gjatë bashkëbisedimit, i cili u mbajt në kuadër të iniciativës së Qeverisë, Dialogu me Mërgatën, kam theksuar se sa e domosdoshme është që mërgimtarët të angazhohen për ta bërë Kosovën një shtet edhe më të suksesshëm dhe më të përparuar.




Burimi/Facebook/Kryeministri


Leave a Reply