Kryeministri Edi Rama ka nisur vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kreu i qeverisë ka pasur një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.
Ky takim zhvillohet pak javë pasi Shqipëria ka nisur zyrtarisht mandatin e saj si anëtare e Këshillit të Sigurimit në OKB. Po ashtu Shqipëria së bashku me Shtetet e Bashkuara ka marrë përgjegjësinë e bashkëpenëmbajtësit në Këshillin e Sigurimit në OKB për krizën mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, António Guterres, pak javë pasi Shqipëria ka nisur mandatin e saj dyvjeçar si anëtare e Këshillit të Sigurimit, ku sapo ka marrë edhe përgjegjësinë e bashkëpenëmbajtësit me Shtetet e Bashkuara”, shkruan Rama në Facebook.
Në takim merrte pjesë edhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka.
Gjatë këtij mandati në Këshillin e Sigurimit, Shqipëria ulet në tryezën më të lartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin.
Si anëtare e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023, Shqipëria është e gatshme të ofrojë kontributin e saj në shërbim të paqes dhe sigurisë, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të qëndrueshëm ndërkombëtar.
Ndërkohë të martën në Uashington, Rama do të ketë një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Gjatë qëndrimit në SHBA, kreu i qeverisë shqiptare do të zhvillojë edhe takime me zyrtarë të tjerë për të diskutuar mbi bashkëpunimin e mundshëm ushtarak dhe arsimor mes dy vendeve.
Burimi/tvklan.al


Leave a Reply