Kur pashë Limoz Dizdarin që protestoi i vetëm para Kryeministrisë se qeveria po i prish qendrën kulturore “Dea” që ai ka ngritur në Ksamil dhe kjo po bëhet për të shpërblyer kryeministri njerëzit e bazës së tij, m’ u kujtua një histori që më kishte treguar vite më parë. Po e sjell këtu siç ma ka treguar Limozi:Në prill 1998 Fatos Nano, në atë kohë kryeministër dhe kryetar i PS-së, thirri Limozin, i cili ishte anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PS-së që nga viti 1991. Ishte koha e Nanos, pra koha kur ndryshimet në qeveri diskutoheshin në mbledhjet e forumeve të partisë.
-Limoz, – i tha Nanoja,- kam nevojë për mbështetjen tënde për një çështje që ka të bëjë me kulturën. Duhet të ngrihesh në mbledhjen e KPD dhe të thuash disa fjalë të mira për Edi Ramën se do ta bëjmë Ministër të Kulturës. E di që do të ketë kundërshtime se ai është ai që është. Kam rënë ngushtë se kur iu them që është artist i njohur më kërkojnë t’ u tregoj një vepër arti të tij. E di që ti je kompozitor jo piktor, por ti je personalitet i artit dhe fjala jote ka peshë në këtë rast.
-Dëgjo- i tha Limozi Nanos, – do të tregoj një histori për Edi Ramën. Babai i tij Kristaqi kishte një mik të ngushtë, piktorin Andon Kuqali. Andonin ia kishte vënë si kujdestar Edit. Për çdo prapësi që bënte Edi që kur ishte nxënës në Lice pastaj student në Institut, e më pas pedagog shkonte Andoni për ta zgjidhur duke pasur dhe mbështetjen e Kristaqit kuptohet. Dhe bëhej fjalë për prapësi ordinere, rrugaçëri të rëndomta, jo gjëra që mund të merreshin si akte disidence. Ka qenë fundi i vitit 1990 kur u bë një mbledhje e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ngrihet Edi dhe thotë: “Ç’ lidhje kanë me artin piktorë si Andon Kuqali!”
Andoni ishte ulur në krah të Kristaqit. Unë isha një rresht pas. Kristaqi deshi të ngrihet e të flasë, por Andoni e kapi për krahu dhe i tha: “Të lutem mos e bëj Kristaq se kushedi se çfarë do të nxjerrë nga goja edhe për ty.”
Unë e kam kuptuar që në politikë nuk ka mirënjohje, – vazhdoi t’ i thotë Limozi Nanos,- por ky Edi është përtej limiteve. Sepse është gjysma e së keqes kur nuk të shpërblehet e mira që ke bërë me një të mirë. E keqja më e madhe është kur të shpërblehet e mira që ke bërë me një të keqe. Dhe ky Edi i përket këtij lloj njeriu. Ai do t’ i bëjë me patjetër keq atij që i ka bërë të mira. Them se një ditë do të më gjejë e keqja prej tij për shkak se po i bëj një të mirë.
Megjithatë Limozi u ngrit dhe foli mirë për Edi Ramën në mbledhjen e KPD-së ku pati kundërshtime të mëdha ndaj emërimit të Ramës si ministër.
Dhe Limozit i doli pas 23 vjetësh profecia që bëri për vetveten.
Më vonë unë kam mësuar shkakun e mllefit që kishte Edi Rama ndaj Andon Kuqalit. Në një takim piktorësh në Lidhje disa muaj më parë se mbledhja për të cilën fola më lart, Andoni i kishte thënë Edi Ramës I cili kishte paraqitur për diskutim disa piktura të cilat i quante moderniste:
-Dëgjo more djalë. Edhe ky arti modernist, ndonëse i thyen rregullat tradicionale, ka edhe ai disa standarde që e dallojnë atë që është vepër arti nga çdo lloj zhgarravine që mund të bëjë çdo njeri që kap penelin me dorë për herë të parë në jetën e tij.
Këto fjalë Edi Rama nuk ia fali kurrë. Në 2019 u hap një ekspozitë me piktura të Andon Kuqalit të kohës kur kishte qenë partizan. Edi Rama që kur do shkon në ngjarje të tilla artistike nuk shkoi megjithëse bëhej fjalë për një njeri të cilin e kishte pasur shumë të afërt. Kjo ishte e keqja më e madhe që mund t’ i bënte Andon Kuqalit i cili kishte vdekur në 2004./Kastriot Myftaraj
Burimi/Facebook


Leave a Reply