-Bisedë e prof. Murat Gecaj, me z. Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”-Suedi
Nga e djathta: H.Ibrahimi e M.Gecaj (Boras-Suedi, 14 prill 2012)
1.Në këto çaste, kur po u drejtohem me këto pyetje për këtë bisedë, sjell në kujtesë kënaqësinë për takimin dhe njohjen tonë, në prill 2012, në Boras të Suedisë…Si e përjetuat ju atë veprimtari të bukur të Komunitetit Shqiptar, në atë vend skandinav?
–Se veprimtaria kulturore është sinonim i yni, i mundësive të pakufijshme për bashkëpunim me të gjitha trevat shqiptare e po ashtu edhe me miqtë tanë (në këtë rast, me popullin mik suedez), dëshmon edhe takimi, kur Qendra Kulturore Shqiptare Migjeni (QKSH), në Borås të Suedisë, festoi 5-vjetorin e themelimit dhe punës së saj të suksesshme, në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Njëherit, u kremtua edhe pesëvjetori i daljes në dritë të numrit të parë të revistës kulturore mujore, “Dituria, botim i QKSH “Migjeni” dhe katërvjetori i emetimit të programit të parë në gjuhën shqipe, në Radio-Dituria, me prof. Sokol Demakun në krye, Bahtir Latifin, Rrahman Jasharin etj.
Në këtë takim, siç e dini, ishit nga Tirana edhe ju të pranishëm: prof.. Murat Gecaj, publicist e studiues, pastaj shkrimtari i njohur për fëmijë dhe publicisti Viron Kona, gazetarja e njohur e Radio- Tiranës, Kozeta Hoxha, si dhe mësuesja e poetja Kadrije Gurmani, delegacion i mirëfillt ky i kulturës dhe krijimtarisë shqiptare.
Pra, e veçanta e madhështisë së këtij manifestimi ishit ju, delegacioni nga Shqipëria, së bashku me përurimin e librit “MIKU I MADH I SHQIPTARËVE, ULLMAR QVICK”, me autor prof. Fetah Bahtirin. Rezultatet ishin të dukshme, të një bashkëpunimi kulturor, duke u shkëmbyer me dhjetëra libra të vetë autorëve të pranishëm në këtë veprimtari. Gjatë këtij përvjetori, u ndanë edhe shumë “Mirënjohje”, sidomos nga ana e juaj ,nga Shqipëria. Mua (dhe disa te tjerëve) m’u dha një “Mirënjohje” nga SHOQATA E ARSIMTARËVE TE SHQIPERISË, lëshuar në Tiranë, më 7 mars 2012, Ditën e Mësuesit, e nënshkruar nga kryetarja e saj, znj. Yllka Beçi dhe nga ju, sekretar i Përgjithshëm, prof. Murat Gecaj. Pra, ishte një përjetim i këndshëm dhe i paharruar për mua, i cili më la mbresa të shkëlqyera, sepse pjesa dërmuese e pjesëmarrësve ishin krijues dhe dashamirë të librit dhe artit shqiptar e në gjerë.
Me të drejtë, këtë ngjarje me rëndësi ne e kemi përfshirë në librin tonë të Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë-Suedi, “Papa Klementi XI- Albani”, titulluar “THESAR KOMBËTAR, I MËRGATËS SHQIPTARE NË SUEDI-1”. Aty është botuar edhe tema juaj, i dashuri prof. Murat Gecaj, e titulluar: “KRIJIMTARI SA MË TË BEGATSHME, AUTORË SHQIPTARË, NË SUEDI!”( në faqet 365-369). Ky libër sapo doli nga shqypi dhe u përurua në Biblioteken Kombëtare Universitare të Kosovës, në Prishtinë dhe në Kompleksin “Isa Boletini”, në Boletin të Mitrovicës, me rastin e 100-vjetorit të krijimit të Shtetit Shqiptar. Aty lexuan temat e tyre: Prof. dr. Mehmet Rukiqi, prof. Jusuf Buxhovi, prof. Fazli Hajrizi e Sabit Idrizi. përshëndeti dhe i vlerësoi lart punimet, prof. dr. Skënder Riza.
I thash të gjitha këto, sepse kanë të bëjnë pikërisht me takimin, kur Qendra Kulturore Shqiptare “Migjeni” (QKSH), në Borås të Suedisë, festoi 5-vjetorin e themelimit dhe punës së saj të suksesshme, vit jubilar i 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si një dëshmi, që tani ka lënë gjurmët e saj të pashlyera.

Në qendër të fotografisë: Hysen Ibrahimi, duke i dorëzuar “Mirënjohje” albanologut suedez, Ulmar Kvik (Boras, 14 prill 2012)
2.-Para se të vazhdojmë më tej, a mund të na thoni diçka, sigurisht shkurt, për jetën dhe familjen tuaj?
– Familja Ibrahimi, nga e cila rrjedh unë, njihet familje atdhetare, në rajonin e Mitrovicës dhe më gjerë, në Kosovë. Nga kjo familja kemi dy dëshmorë të Kombit, Abaz Ibrahimin (student), kusheriri im, i vrarë nga policia serbe gjatë protestave të vitit 1990 dhe Isak Ibrahimi, vëllai im, i vrarë nga serbët gjatë protestave, më 17 shkurt 2004, në Urën e Ibrit. Kjo familje, njëra ndër të parat, e liroi shtëpinë e tyre për shkollë, ku u mësua gjuha shqipe, në vitet 1948-1951. Pra, ajo ishte çerdhe e nacionalizmit shqiptar. Në këtë familje u strehua një vit radhazi, vajza e Hamëz Jasharit, mbesa e komandantit të njohur Adem Jashari, Besarta Jashari, e cila për fat kishte shpëtuar nga dora gjakatare serbe. Po ashtu, i pari i komunës së Mitrovicës për një mandat, ishte prof. Mursel Ibrahimi.
Unë jetoj dhe veproj në Suedi, që nga viti 1988. Kam mbaruar degën e informatikës dhe politikës ndërkombëtare. Jam i martuar dhe kemi katër fëmijë, një djalë dhe tri vajza. Kam kënaqësinë, se tani jam edhe Babëgjysh. Mbesa ime është dy vjeç e gjysëm dhe quhet Vanesa, të cilën e dua shumë. Jam autor i tre librave dokumentarë për emigrantët kosovarë në Suedi dhe i disa temave shkencore shumëplanëshe.
3.Disa nga çështjet, me të cilat u përballën emigrantët shqiptarë, që u vendosën në Suedi, në vitet e fundit të shekullit XX, që ju i keni pasquruar edhe në tre libra të botuar…Si e gjetët dhe vazhdoni ta keni mbështetjen dhe përkrahjen e pakursyer të mikpritësve suedezë?
-Vitet e fundit të shekullit XX, ishin vite të hidhura për popullin shqiptar, sepse u bë një spastrim etnik dhe ishte problem i përgjithshëm i etnitetit tonë të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Këtu, kryesisht, u referohem shqiptarëve në Kosovë, Iliridë, Mal i Zi dhe Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Mbresat e shqiptarëve nga udhëtimi i detyruar dhe i dhunshëm i regjimit serb për të lëshuar vendlindjen e tyre, janë ngjarje të vërteta e të hidhura historike, sepse u vu në veprim urrejtja e pakufishme e regjimit serb mbi shqiptarët. Këto shpërngulje na kujtojnë edhe shumë shpërngulje të tjera të mëhershme nga trojet etnike, të mbarë popullit shqiptar, në tërë hapësirën europiane dhe SHBA.Këto spastrime etnike të shqiptarëve, e kanë venë në dilemë ekzistencën e njeriut tonë, qoftë ai që jeton në vendlindje ose në një meridian tjetër të globit tokësor. Unë, në tre librat e mia të botuar, jam përpjekur të dëshmoj me fakte konkrete për procesin e ekzistencës, arsyet e shpërnguljes dhe mikëpritjen vëllazërore nga Populli Mik Suedez.
Duke folur për problemet e shqiptarëve gjatë spastrimeve etnike, sikur mbeten pa u prekur shumë çështje (në këtë intervistë të shkurtër) të dhimbshme, që lidhen drejtpërdrejt me përballjen e shpërnguljeve të shqiptarëve. Çfarë të them më parë për mikëpritjen e Popullit Mik Suedez? Me kënaqësi kam vërejtur se ata: “KANË PASTËRTI NJERËZORE NË SHPIRTIN E TYRE”. Besoj se kjo shprehje përfshin atë, se çfarë mund ta thosha me orë të tëra dhe dëshmi që, kohë pas kohe, do të përfshihen në librat tonë të ardhshëm.
4.Cila ishte ndihmesa modeste e Komunitetit Shqiptar në Suedi, që çoi në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, shtet i lirë demokratik, që synon të hyjë në Bashkësinë Europiane e më gjerë? Po tani, si i mbani lidhjet tuaja me vendlindjen?
– Sipas një statistike, të nxjerrë nga ne, kemi llogaritur se, gjatë viteve 1989-1999, në Suedi ka pasur afër 15.000 familje shqiptare. Secila familje emigrantësh, me të gjitha mundësitë e saj, i ka ndihmuar familjet e tyre në vendlindje dhe pastaj institucionet paralele të Kosovës, si arsimin, kulturën, shëndetësinë, informimin etj. Një familje, së paku, në vit ka ndihmuar me nga 10.000 (dhjetëmijë marka gjermane). Kur i llogarisim 15.000 (pesëmbdhjetë mijë familje), shumëzuar me 10.000 (dhjetëmijë marka gjermane), bëjnë 150.000.000 (njëqind e pesëdhjetë milionë marka). Kurse, për dhjet vite rresht, bëjnë 1.500.000.000 (një miliard e gjysëm marka) ose 750.000.000 € (shtatëqind e pesëdhjetë milionë Euro). Përveç kësaj, nga Suedia, kanë shkuar mjaft emigrantë dhe janë mobilizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke luftuar për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Kujtim, pas një veprimtarie: Anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë-Suedi
Përveç mjeteve materiale, për çdo ditë , kemi shpërndarë “Informatorin Ditor” për 200 adresa suedeze, duke filluar nga organet më të larta shtetërore suedeze, gazeta, publicistë e gazetarë për t’i njohur ata me gjendjen e rëndë në Kosovë dhe ish-Jugosllavi. Po kështu, kemi organizuar demonstrata në qytetet: Stockholm, Oslo, Kopenhagë dhe Helsinki, pra në kryeqendrat e shteteve skandinave. Pastaj, i kemi paraqitur kulturën dhe traditat shqiptare për të përgënjështruar politikën hegjemoniste serbe, se gjoja ”populli shqiptar nuk ka tradita!”. Përmes të gjitha këtyre organizimeve, kemi arritë t’i afrojmë e t’i përfitojmë suedezët dhe sot ne kemi shumë miq e mbështetës suedezë. Siç do ta përmend edhe më poshtë, ne i mbajmë të pashkëputura lidhjet me vendlindjen, me tokën tonë amtare, si me vizita familjare e pushime, sidomos në plazhet e Adriatikut e Jonit, por dhe me veprimtari të ndryshme, që zhvillojmë në Kosovë e në Shqipëri.
5.Kohë më parë, bashkatdhetarët tanë, në atë shtet skendinav, formuan Shoqatën e Shkrimtarëve, Krijuesve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, ku ju u caktuat kryetari i parë i saj. Cilat janë arritjet tuaja kryesore, deri tani, në fushat përkatëse dhe çfarë keni planifikuar për të ardhmen?
–Më 26 nëntor 2011, në Kuvendin Themeltar, u formua Shoqata e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë ”Papa Klementi XI-Albani”, për Suedië, ku u zgjodhën kryesia dhe organet e saj përkatëse. Mendoj se arritjet e kësaj Shoqate janë të mëdha, sepse ende pa u mbushur plot një vit nga krijmi, më 2 qershor 2012, në Ängelholm të Suedisë, ajo mbajti Sesionin e Parë Shkencor, ku u paraqitën mbi 23 kumtesa. Nga këtu, doli libri i parë i saj, “THESAR KOMBËTAR, I MËRGATËS SHQIPTARE NË SUEDI-1”. Kurse produkt i kësaj Shoqate ishte edhe dalja e librit “MIKU I MADH I SHQIPTARËVE, ULLMAR QVICK”, me autor prof. Fetah Bahtirin dhe “LOTI MBETI NË GJURMË TË ZEMRËS”, me autor Avdyl Ukën. Që të tre këto libra u përuruan në korrik 2012, në Biblioteken Kombëtare Universitare të Kosovës, në Prishtinë dhe në Kompleksin “Isa Boletini”, në Boletin të Mitrovicës, me rastin e 100-vjetorit të krijimit të Shtetit Shqiptar. Llogarisim se, nga autorët shqiptarë në Suedi, deri tani janë botuar mbi 70 tituj dhe brenda këtij dhjetëvjeçari do ta tejkalomë shifrën mbi 100 tituj të librave, nga autorë dhe grup autorësh, si në publicistikë, poezi, prozë, romane, novela etj.
Planet për të ardhmen, siç dihet, janë vazhdimi i mbajtjes gjallë të traditës dhe kulturës shqiptare në mërgim. Së shpejti, do të organizohen: disa përurime librash të autorëve shqiptarë dhe mbajtja e orëve letrare, bëhen përgaditje për librin e dytë, “THESAR KOMBËTAR, I MËRGATËS SHQIPTARE NË SUEDI-2” etj. Nuk mund të anashkalohet pa u përmendur ndihmesa e çmuar e sponsorëve tanë të nderuar, siç janë drejtori i tri firmave në Suedi, z. Halim Hoti dhe Enver Jashari, Mursel Shkupolli, Shoqata Kulturore Shqiptare “Nëna Terezë” në Ängelohm, firma tjera dhe restaurante shqiptare.
Me që ndodhemi në përvjetorin historik të Shtetit Shqiptar, po planifikojmë të organizojmë një vizitë në Shqipëri dhe Kosovë. Gjatë kësaj rruge mbresëlënëse, parashikojmë të shkruhet një libër i posaçëm, me përshtypjet e sicilit krijues, i cili do të marrë pjesë në këtë ngjarje historike.
–Më lart, ju na informuat shkurt edhe për punën tuaj, në këtë përvjetor të shënuar historik për Kombin tonë, pra 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë…Çfarë veprimtarishë kryesore keni menduar të përgatisni dhe zhvilloni, deri më 28 Nëntor 2012, kur në të gjitha trojet shqiptare do të festohet me madhështi Dita e Flamurit Kombëtar Shqiptar?
–Masat paraprake janë në përgatitje e sipër. Kështu, do të mbahen: një Tribunë, me temë “Roli i mërgatës për Pavarësinë e Shtetit Shqiptar”, orë letrare dhe përurime të disa librave nga autorët tanë në Suedi. Të gjitha këto do të organizohen në fund të muajit shtator 2012. Pastaj një punë të frytshme do të bejë “Rrjeti i Femrës Krijuese për Skandinavi”, që është pjesë e Shoqatës sonë. Më 17 nëntor 2012, do të mbahet një Tribunë me temë: ”ROLI I FEMRËS NË PAVARËSINË E SHQIPËRISË DHE NDIHMESA E SAJ, NË PERIUDHAT NË VAZHDIMËSI” e kështu me radhë. Mirëpo, për të qenë sa më afër përjetimit të kësaj date e ngjerjejej historike, jemi në organizim e sipër që, me një autobus me pjesëmarrës, ta vizitojmë Kullën e Isa Boletinit, në Boletin të Mitrovicës, më 25 nëntor. Ndërsa që aty do të udhëtojmë për në Vlorë, ku do të festojmë të gjithë së bashku, më 28 Nëntor 2012…
-Faleminderit shumë për përgjigjet tuaja, korrekte e interesante! Shpresojmë dhe besojmë se, ashtu si deri tani, ju do ta mbani gjithnjë ndezur ndjenjën e atdhedashurisë dhe kurrë nuk do ta harroni vendlindjen, tokën tonë amtare. Me këtë rast, ju përshëndesim dhe Komunitetit Shqiptar në Suedi i urojmë nga zemra çdo të mirë, në punë dhe në jetë! Për të gjithë ju: Gëzuar 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare!
Tiranë, 3 shtator 2012
Ky shkrim eshte marre nga revista “Dituria”, Suedi ,me kryeredaktor z. Sokol Demaku.
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply