RIZA LAHI
Esse – përshkrim
Me fytyrë të shëndoshë, trup të rëndë, me dy dhëmbë të nofullës së poshtëme, si dy heshta hunësh të mbetura pa u shkulur poshtë bedenave të kështjellës së tyre, me pamjen e një perëndie pagane të sapo ardhur nga retë, dinozauri i mbetur i mendimtarëve shqiptarë ngriti kokën dhe pa nga unë.
Disa tuba llastiku i vareshin te sistemi i frymëmarrjes.
Mbase nga shtangia ime e çastit, me siguri edhe prej mirësjelljes tradicionale të njohur, m’u bë sikur buzëqeshja e fytyrës, sidomos e syve, I kishte kapërcyer kufijtë e etiketës së mirëseardhjes.
Tanimë isha mysafir në katin e dytë – një dhomë e guzhinë – ku banon me një mobilim modest dr.prof.Kristo Frashëri.
Ngado libra, dispenca, foto familiare , të cilat sikur e kishin pakësuar vëllimin e guzhinës ku po më priste ulur në tavolinë shkencëtari plak. Me shpatullat e gjëra, fytyrën që i bëhej më e madhe sapo buzëqeshte dhe duart e hapura mbi tavolinë sikur do ta përfshinte të tërën në pëqirin e tij, të krijonte përshtypjen se zinte gjysmën e hapsirës së banesës së tij modeste.
“ Në librin tuaj të fundit “Lidhja shqiptare e Prizrenit” ju keni shkruar diçka edhe për vëndlindjen e nënës sime, Ulqinin, ku…”
“Jo “diçka” por “gjithçka””! – dhe qeshi me të madhe, duke më parë me një lloj dhimbjeje dhe paralajmërimi.
Ai është prej kohësh shënjestër e gazetarëve, të cilët ka raste që nuk I qasë.
Në të vërtetë ardhja ime për vizitë te kishte një nxitje konkrete. Pasi më ra në dorë një botim I fundit I “Akademisë së Shkencave të Shqipërisë” që mbante emrin e tij dhe titullohej “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”-me 755 faqe, 2012, mora vesh se ai, me të njëjtin titull, të njejtën tematikë , kishte botuar në vitin 1956 një libër por që atëherë kishte pasur vetëm 59 faqe dhe e kishte botuar Ministria e Arsimit e kohës.
Ç’ishte ky rikthim kaq i vrullshëm një dashurie të vjetër? Ç’ishte ky ashik plak që nuk mundet ta harrojë deri në vdekje dashurinë e tij të parë? Dashurinë e rinisë…?
Nisi të fliste.
Fytyra e plotë, e tultë si dy simitë të mbetura pa ngrënë nga koha, tanimë po shnëdrrohej në fytyrën e një burri të pashëm dhe përthithës, që di të magjepsë si një fallxhore me bukurinë e fjalës së përzgjedhur shqipe, furinë e argumentave dhe…oh…sidomos, citimet e pafund.
“Sa gjuhë di unë?….. paskam cituar nga gjuha greke, frënge, italiane…?
“ Dhe “…angleze…”
“..Hahahah…se mos harrosh ndonjë…po e kujt I duhet, ore , se sa gjuhë të huaja di unë, ky apo ai…po të ishte se gjuhët e huaja përcaktojnë se sa i mënçur është një burrë, atëherë më të mënçurit e kohës së Enverit, i bie të kenë qënë hamajt e portit të Durrësit që flisni nga katër – pesë gjuhë të mësuara ndërsa ngarkonin anijet…hahahah….Duhen, sigurisht. Unë gjuhë bazë kam frëngjishten, po, baza… është të njohurit në perfeksion të gjuhës shqipe. Ajo është pafund e pasur dhe plot kryeatura leksikore që…heheheh….duhen njohur duke u zhytur përditë e papushim në oqeanin e saj …Mos po të dukem paksa si shumë nacionalist?…”
Para se të vija në këtë takim kisha harxhuar tër paradreken duke lexuar me nënvizim vetëm 86 faqet e “parathënies” së këtij vëllimi vigan. Ajo parathënie – që ndonjë kish këmbëngulur të mos përfshihej se “qënka parathënie e madhe” – ishte një mrekulli e publicistikës. Cilido prej “editoralistëve” që mbushin kollona të tëra nga gazetat tona kryesore ( nganjëherë duke filluar “ është një përrallë”…”tregojnë një herë se…””isha me një shok, kur…”, “po bëja një ditë…kur…”, sigurisht që do ta ndjente veten defiçitar të turpëruar, para furisë së këtij stili dhe kësaj mënyrë të të shkruari, ku koncentrati të kujton peshën specifike të antilëndës në “gropat e zeza” të kozmosit.
Lexon “parathënien” dhe të duket se autori i përngjet Poseidonit, mbretit të detrave që lodron duke i lëvizur me gisht majat e ajsbergësh, i lëviz ku të dojë ata dhe ata i binden perëndisë së tyre, që ua ka vizituar e prekur me dorë cdo centimetër kub të paralelpipedit të tyre gjigand, qënga brinjët e bazës. Autori në oqeanin e dijeve të tija, kontrollon qënga ajsbergët e deri te çafkat , qënga zogjtë fluturues e deri te balenat dhe peshkaqenët.
Ai vërvit andej – këndej argumentat e kundërargumentat e gjithfarë mendimtarëve, sikur t’I kishte shokë të vjetër të së njëjtës kafene. Ai i merr të gjithë drejt murit të tij kokfortë se “Lidhja e Prizrenit” ka qënë vepër e shkëlqyer e patriotizmit dhe mënçurisë së shqiptarëve ; kush e kundërshton këtë ka vetëm një fat. Të përplasë kokën e tij mbi atë mur dhe të hiqet mbatanë.
E gjith kjo furi mendimi – në një fokus. Drejt evenimentit të tretë më të madh të historisë moderne të shqiptarëve, sipas profesirit. I pari – epoka skënderbejane. E dyta – shpallja e pavarësisë dhe, e treta, pikërisht kjo, “Lidhja e Prizrenit”.
Ja edhe argumentet me një vështrim.
Skënderbeu konsakroi kombin shqiptar. Ishin 25 vjet rezistencë ; 25 vjet investim kapital për kombin e shqiptarëve. Kombet u krijuan më vonë, Skënderbeu me Lidhjen e Lezhës u parapriu atyre, pavarësisht se më së fundi superfuqia turke e mundi rezistencën heroike shqiptare. Për 500 vjet shqiptarët e kujtuan prijsin e tyre ; ndërgjegja e tyre kombëtare u duk sikur ishte fashitur, eleminuar por nuk kishte qënë aspak ashtu.
“Lidhja e Prizrenit” qe një organizim ku u përfshi tër territori shqiptar, qënga Mitrovica e deri në Prevezë. Ajo i ngjet një lumi të madh ku derdhen ujra nga lumejsh, përrenjsh, rrëkeshë, burimesh nga të kombit të shqptarëve.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ka qënë lindja e foshnjës. Ajo është sinteza e gjithë faktorëve të Rilindjes Kombëtare. Gjatë kësaj rilindjeje, ka patur shkëlqimin më të madh letërsia dhe diplomacia.
Profesori trashëgon një bibliotekë të pasur familiare, nga moria e madhe e së cilës, që në rininë e parë , i hyri pasioni i pashuar kurrëmë për historinë. Ai ,megjithëse rritur me halle, kujton edhe sot me nostalgji të atin që nuk ia kursente paratë për të blerë libra, sa herë që Kristua i vogël plot mirësjellje ia kërkonte. Edhe tashti lexon letërsi, sigurisht shumë, por përsëri ka qënë dhe është partizan i gjërave të sakta, egzakte, sa më larg fantazisë. Atij nuk i vjen mirë që kur njerëzit flasin për “fushën e letrave” kanë parasysh vetëm letërsinë , Kadarenë, Agollin etj dhe asqë e llogarisin fushën e shkencave historike, albanologjike, etj, që, gjithsesi, janë edhe ata, “pjesë e botës së letrave”.
Po, çfar librash ka në dorë professor Frashëri?
Ehhhhhhh!!!! Ai tani po vështron si një adoleshent që ka vendosurtë tregojë sekretet e dashurisë së tij.
Sigurisht që ka. Por…
“Horaci , mendimtari I shquar romak, thotë :”Kur shkruan një libër, mos ua jep shokëve për ta lexuar, për pa i zënë dy gisht pluhur…”Pra, autorësia e librit e tërheq autorin nga xhaketa , kurse pas dy vjetve, ti e lexon librin tënd si kritik…
Duke qeshur me dashamirësi , profesori sjell në mëndje, madje edhe me ndonjë emër, prej disa nga njerëzit që e ngacmojnë atë duke I thënë se I ka “mbetur ora te Enveri”. Ai tregon pastaj se në periudhën e komunizmit, ai nuk ka qënë për boll gjëra dakord, por, sigurisht që nuk ka bërë prapagandë kundër shtetit komunist, që , patjetër, të dënonte. “Unë bleva një dryn dhe ia vura gojës… dhe u mora me ndershmëri me shkencat historike…Vërtetë nuk kam qënë asnjëherë në pozita drejtuese, por, sigurisht që më kanë respektuar për seriozitetin dhe sqimën shkencore ; qënga shokët, madje, një herë, edhe nga vetë Enveri, në atë rast të vetëm që e kam takuar…Hegeli thotë se “çdo gjë reale është e arsyeshme, dhe çdo gjë e arsyeshme është reale”. Në këtë kontekst, unë krahasoj periudhën e komunizmit me kujdes dhe , sidomos me ndershëmrinë time të njohur. Po…mos do të më quash zogist, ti, ta zëmë, poqese unë do të të numuroj anët positive të Ahmet Zogut?”
Unë kam mbetur shtangur.
Dinosauri I mendimit vazhdon sërish “sulmin”, sikur unë të isha përfaqësuesi I mediokërve që janë mësuar të shikojnë bardhe e zi dhe që nuk ia kanë idenë të trajtimit shkencor që nga mënyra e nderëshme dhe e sofistikuar e të shkruajturit por, hehe, deri edhe te mënyra e të shpifurit e denigruarit.
“ Metodologjia me të cilën unë analizoj çfardo periudhe historike, niset nga porosia e Aristotelit që thotë:” Gjykoji njerëzit dhe ngjarjet për kohën kur kanë ndodhur”. Të njëjtën gjë ua kujton shkencëtarëve edhe Hegeli kur shkruan:”çdo ngjarje gjykoje sipas kohës”. Edhe Faik Konica jonë thotë më 1902:”Njerëzit gjykoji sipas kohës kur kanë jetuar ata e jo kur jeton ti sot”.
Ja, pra, të bëjmë një analizë të kohës së Zogut dhe…”
Unë ndërkohë I dhuroj një kopje të vëllimit “Golgota shqiptare”, dhënë në shqip nga unë. I shkelqejnë sytë . Kisha idenë se nuk duhej ta kishte parë. Por …oh, autorin? E njoh, si jo?
Profesori kujton emrin e babait të çifutit vienez – Aleksandër. Për fat, emrin e njeriut
që vajtoi për shqiptarët e sapo dalë nga zgjedha turke, Leo Freundlich, të cilit I përket citimi . “ Një popull I mjerë, I kaplluar në fatin e tij të tmerrshëm, po thërret për ndihmë qënga humnerat e golgotës. A do ta dëgjojë Evropa këtë klithëm?” , nuk e ka askund në Shqipëri, qoftë edhe një rrugickë
“ Perudhën e Zogut, le ta ndajmë në dy etapa. Periudha e parë është ajo kur më së fundi u bë kryetar i Republikës. Atëbotë ai u tregua shumë I egër, një despot I vërtetë, konservator, I dhunshëm, burgosi, vrau… Kur ai u shpall mbret, pa, politikisht, vëndi shkoi një hap pas – nga republika në monarki – ama, nga ana tjertër, shoqërisht ai ndryshoi thuajse rrënjësisht. Ai me masat që mori, arriti ta fuste Shqipërinë në Evropë, sigurisht gjysmake, por ,ama, arriti. Me pasaportën e Zogut, shqiptarët shkonin ngado. U krijua një shtet i sigurtë, me një administratë të fortë, që Shqipëria nuk e kishte njohur më parë, dërgoi njerëz për t’u shkolluar jashtë shtetit dhe në krye të punëve vuri njerëz sa më të mësuar. U fut një sistem arsimor modern; mësohej me tekste të Fracës dhe brezi I arsimtarëve ishte mjaft I kualifikuar, nga intelektualët më të nderuar të kohës. Nëse nëpër shkollat e Enverit shkruhej ngado që nxënësit të bëheshim njerëz të Partisë, etj, nëpër klasat e shkollave të kohës së Zogut shkruhej: “Nga rinia kërkohen tri gjëra: Besë, nder, burrëri”. Ishin shkollat e Zogut, gjimnazet e kohës së tij, që edukuan , kalitën dhe hodhën në luftë që nga bangat e tyre rininë shqiptare e cila e renditi vëndin tonë në bllokun antifashist duke i dalë zot me burrëri atdheut.
Nga ana tjetër,Zogu ekonomikisht nuk eci përpara, e futi vëndin në borxhe, e bëri skllave të Italisë derisa erdhi 7 prilli 1939, kur ai nuk vrau vetëm mbretërinë e Shqipërisë, por edhe veten e tij. Siç thamë, pra…Zogu në kontesktin e tij kishte ata të mira që I përmëndëm…Dhe, mos do të më quash për këtë “Zogist”? … Ja, kështu unë studioj apo vlerësoj edhe periudhën e Everit dhe, disa nga “këta” – dhe lëvizi gushën lart me përçmim, tok me tërësinë e mimikës, gjë që I dha aq lezet rinor fytyrës së tij të mplakur – më thonë “I ka mbetur sahati te Enveri”. E, dreq o punë”
Profesori ka në duar disa vepra që “do t’I shikoj edhe një herë”, por ka gati disa vëllime të tjerë, sikurse “Abdyl Frashëri”, “Historia e Dibrës”, “Historia e marëdhënieve shqiptaro – greke”, “Historia dhe problemet e çamërisë”,”Historia e Përmetit”. Etj
Sigurisht që, ndonjëri prej parallinjve tanë të nderuar, po të kishte privilegjin ta kishte emrin e tij si sponsor i botimit të ndonjë liberi të shkruar nga Prof. Dr. Kristo Frashëri, do të kishte një fat të madh, sikur të lindëte edhe një herë.
Sëpaku do të fitonte përjetësi, krahas përjetëssë së gjigantit shekullor të mendimit shkencor të atdheut të tij.
Dhe do ta rendiste veten në ushtarët e paepur që venë me vetmohim pas këtij gjenerali plak, këtij “Kutuzovi” shqiptar, kur në vëndin tonë gjithëçka është në rrezik.
RIZA LAHI 17 -20 qershor 2012
Derguar nga vete Autori
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply