![]()
Zgjimi i ndjenjës kombëtare ndërshqiptare, ndjenjë kjo shumë e brishtë e aspak bindëse deri më sot, kërkon ngritjen e ndërgjegjes tek institucionet mbarëshqiptare që më seriozisht të merren me problemet e kombit. Qëllimi i shkrimit është të njihemi edhe me shqiptarët e Ukrainës dhe të Bullgarisë, të cilët që herët ikën nga trojet e tyre nga zullumi turk. Kur ata erdhën këndej pari dhe mos të bien pre e spekulimeve greke dhe bullgare për arsyen e vendosjes së tyre në ato dy shtete. Ky është një rrëfim për shqiptarët që bashkëjetojnë mes dy kulturash të largëta nga njëra-tjetra. Studiuesi ukrainas Jaranov shkruan se arnautët e Bullgarisë janë të shpërngulur nga Korça, Ohri, Elbasani, Çermenika, Golloborda, diku nga shekulli i 15-të deri në shekullin e 19-të, dhe pastaj janë bartur në Ukrainë para 300 vjetëve dhe takimi me ta të prekë shumë. E kanë ruajtur dhe dashur gjuhën në shekuj, edhe pa e shkruar kurrë. Ata janë shqiptarët e Ukrainës, një komunitet, që kur shkon t‘i takosh, të mbulojnë me dashuri dhe mall për mëmëdheun që nuk e kanë parë kurrë. Dhe të befasuar të pyesin: Ti shqypton si ne?
Martesat vetëm brendashqiptare
Veten e quajnë arnautë. Gjatë shekujve shqiptarët janë martuar vetëm me shqiptaret. Që nga vitet ‘50 të shekullit njëzet martesat e përziera me rusët dhe ukrainasit u rritën, martesa, të cilat deri në vitet ‘70 të shekullit njëzet ruanin elementet e kulturës tradicionale shqiptare si dhe ritualet e tyre. Mjaft kohë e gjatë për t`u ruajtur pa u përzier me vendasit, por gjithashtu kohë shumë e gjatë pa e pasur kujdesin e shtetit amë, kujdes që mungon ende. Janë katër fshatrat që janë të banuara nga Shqiptarët që janë vendosur rreth shekullit – XVII-XVIII- dhe ato quhen Karakurt (sot Zhovtnjovoje), Devneskoje (Taz), Gjeorgjevka (Tyshki), dhe Gamovra (Xhandran). Fshati kryesor është Karakurt. Këto katër fshatra shqiptare mbijetojnë ende dhe sot. Ndërtimi i shtëpive të tyre është me material të thjeshtë. Shtëpitë fillimisht qenë ndërtuar prej balte të pjekur, më pastaj u përdor guri i gdhendur dhe shtëpitë u bënë më mbresëlënëse. Dhoma e zjarrit është hyrja e shtëpisë ku në njërën anë e ka dhomën e vogël të ndenjes dhe në anën tjetër e ka dhomën e madhe të miqve. Në këto shtëpi gatuhet me oxhak, aty është furra dhe pranë saj minderi prej balte. Pjesa e brendshme zbukurohet me qilima të bukur, dhomat kanë mobilie druri. Por, edhe në oborr të shtëpisë e kanë edhe një furrë. Pra, që të katër fshatrat e kanë ritin fetar lindor ortodoks. Popullsia shqiptare e këtyre fshatrave i ruan traditat e veta, si dhe folklorin gojor dhe të veshjeve. Gratë thurin qilima me motive shqiptare dhe përdorin zbukurimet prej argjendi me motive të vjetra. Ruhen me xhelozi një numër i madh fotografish të vjetra dhe kostume nga 195 vjetësh që kur kanë ardhur këtu. Është për të ardhur keq që dijetarët shqiptarë të Kosovës apo Shqipërisë nuk shkojnë në fshatrat shqiptare të Odesës. Aty ka shume çka për t’u hulumtuar. Se fundi i fundit një falënderim simbolik për ruajtjen e gjuhës dhe zakoneve tona të vjetra, të cilat te ne këtu po stërkeqen. Lehtë dhe mashtruese është të jepen teori të thata mbi gjuhën tonë ashtu si nën qiellin e hapur, por duhet ballafaquar dhe ruajtur shënime të gjalla nga njerëz të gjallë.
Majeri dhe gjuha shqipe
Tezat e Majerit për gjuhën shqipe e gjejnë provën në gjuhën e shqiptarëve të Ukrainës. Ti shqypton si ne? Të pyesin kur dëgjojnë duke u folur shqip, por u duhet folur ngadalë dhe të marrin vesh se çfarë je duke thënë. Festa më e madhe e tyre është festa e Shën Gjergjit, në kujtim të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ata janë takuar me Fan Nolin më 1911, kur ai bëri një udhëtim në Odesa dhe e mbajti meshën në kishë për shqiptarët e Odesës. Të gjithë mundohen të tregojnë diçka, për kohën e vështirë që e kanë kaluar që kur kanë mbërritur në këto zona, madje problemet duket se nuk kanë mbaruar edhe tani që kohët kanë ndryshuar rrënjësisht. Janë të varfër. Kanë nevojë për ndërhyrje në riparimin e shtëpive të tyre, për riparimin e kishave. Madje edhe uji i pijshëm që ata e përdorin është jashtë kushteve higjieno-sanitare. Edhe kjo bëhet me qëllime të caktuara ashtu si për shqiptarët hundezakë, në mënyrë që të zhduken. Ata kërkojnë ndihmë. Vendi ynë nuk e di se sa shqiptarë janë në Ukrainë dhe a do të mund të ndihmohen ata. Që të mos harrohet gjuha e të parëve atyre iu kishin ndihmuar abetaret dhe mësuesit shqiptarë Për këta njerëz të harruar këto janë kërkesa shumë të vogla dhe të përballueshme nga trevat mbarëshqiptare. Janë pra 5 mijë shqiptarë që 300 vjet jetojnë larg atdheut të tyre Shqipërisë dhe për 300 vjet jetojnë në mes të 48 milionë ukrainasve, në rrezik të përhershëm nga asimilimi.
Asimilimi me gjurmë dhe karakteristika shqiptare
Një fshat i asimiluar tërësisht, por që i ruan karakteristikat shqiptare është fshati Arbanasi në Bulgari. Ky vendbanim është krijuar nga shqiptarët të cilët erdhën në këtë vend në vitin 1538 nga trojet e tyre etnike. Është fshat i vogël turistik me vetëm 291 banorë (2005). Arbanasi është vendbanimi me pitoresk i Bullgarisë i vendosur mbi shkëmbinjtë me të njëjtin emër që poshtë shikon në qytetin Veliko Tërnovo. Arbanasi është i famshëm për shtëpitë e tij me konstrukt të posaçëm dhe kishat me freska të panumërta. Regjistruesit turq në vitet 1541-1544 e përshkruanin si Arnavud-kyj, një fshat me 63 shtëpi. Kurse një fshat tjetër shqiptar në Bullgari në tokat e tyre thrake është Mandrica në Bullgari. Mandrica është një fshat shqiptar në Bullgari që gjendet në pjesën më lindore të maleve Rodope pranë kufirit bullgaro-grek. Ndodhet 15 kilometra larg qytetit Ivajllovgrad, në qarkun e Haskovos. Sipas të dhënave të regjistrimit, popullsia e fshatit në vitin 2006 ka qenë 75 banorë, shumica prej të cilëve – gra. Edhe vetë bullgarët e pranojnë sot, se në Mandricë flitet toskërishtja. Është i njohur si i vetmi fshat shqiptar i Bulgarisë. Por sigurisht duhet të ketë dhe ndonjë fshat tjetër që është i banuar me shqiptarë në Bullgari.
Toponomastika e lokaliteteve sipas Çabejt
Toponimi iliro-thrakas i Mandricës, sipas Çabejt, është prej fjalëve shqipe: mana (pemë e egër)+drize (ferre)=manaferrë e barasvlershme me Manadrica. Gjuha e përdorur prej tyre është shumë arkaike. Studime shkencore mbi të ka bërë doktor Bojka Sokolova. Më shumë hollësi për gjuhën mund të lexoni në librin e saj kushtuar dialektit shqiptar të Mandricës. Banorët e sotëm të fshatit përbëjnë brezin e fundit që e flet këtë dialekt. E konsiderojnë veten si shqiptarë, por shumica prej tyre nuk kanë vajtur në Shqipëri kurrë. Nuk dinë as të shkruajnë, as të lexojnë në shqip. Dinë dhe ekzekutojnë disa këngë, që i mbajnë mend për jetën e përditshme të popullit shqiptar. Banorët e fshatit Mandricë dinë shumë pak për heronjtë e lavdishëm të Shqipërisë. Kanë dëgjuar pak për Skënderbeun, kurse për historinë e sotme shqiptare – pothuaj asgjë. E quajnë Shqipërinë Albania, ndërsa gjuhën shqipe “arnautçe”. E ne ku jemi? Sa na intereson e kaluara jonë? Ku është ndjenja jonë kombëtare, ndjenjë kjo shumë e brishtë e aspak bindëse deri më sot.
INA
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply