Me 4 gusht 1981, intelektuali Musa Hoti vrau ambasadorin serb dhe plagosi 2 të tjerë, në qendër të Brukselit….
Musa Hoti lindi në Mitrovicë më 11 Korrik 1946 nga prindërit Daut dhe Naile. Ishte i treti nga dhjetë fëmijët e familjes Hoti. Familja Hoti prejardhjen e ka nga fshati Likofc (Likaj) i Drenices, por para Luftës së Parë Botërore u vendos në Mitrovicë, për këtë arsye më vonë shokët e Musës do e thirrnin atë “Musa i Drenicës”. Babai i Musës, Dauti, i cili kishte qenë bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës dhe më vonë i burgosur politik, shpesh ia rrëfente të birit vuajtjet e tija në burgjet sllave duke e porositur atë se shkaut nuk i zihet besë. Tregimet e babait të tij, por edhe gjyshja Nurie (mbesa e Shaban Polluzhës), bënë që Musa Hoti të rritet me frymë kombëtare dhe me ndjenjën e atdhedashurisë, një ndjenjë që do e shoqëronte gjatë gjithë jetës së tij.
Pas përfundimit të studimeve në pedagogji, Musa Hoti do punonte si arsimtar për dymbëdhjetë vjetë, duke filluar nga viti 1966 në shkollën tetëvjeçare “Rilindja” në fshatin Dritan të Drenasit. Për aq kohë sa Musa ishte mësues në Drenas, do bashkëpunonte me mësues të tjerë të cilët ishin larguar për të njëjtën arsye dhe ishin punësuar aty, si dhe me veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare. Frymën e atdhedashurisë me të cilën ishin rritur Musa Hoti dhe mësuesit e tjerë do e përcillnin edhe te nxënësit e tyre, dhe në këtë mënyrë shkolla “Rilindja” do të shndërrohej në një vatër të vërtetë atdhedashurie. Nga fundi i vitit 1968, Musa Hoti u angazhua me organizimin e veprimtarive patriotike për çështjen e Kosovës. Bashkë me aktivistë të tjerë, ai organizoi demonstratat nga Tetova deri ne Manastir, duke kërkuar të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar, përdorimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e Universitetit të Prishitinës.
Musa Hoti kontribuoi për ngritjen e vetëdijes kombëtare si tek nxënësit, ashtu edhe te prindërit e tyre, për këtë arsye ai do ishte gjithnjë në shënjestrën e Shërbimit Sekret Jugosllav. Për shkak të veprimtarisë patriotike në Drenas dhe në vendet e tjera ku ai punonte si mësues, Musa Hoti u shpall person i papërshtatshëm politikisht dhe u transferua në shkollën “Migjeni” në Obiliq. Pas një viti pune në Obiliq, ai do spiunohej nga shërbëtorët e UDB-së dhe me urdhër të Komitetit do largohej përfundimisht nga puna. Më vonë Musa do të punësohej në Qendrën Teknike “Boris Kidriç” në qytetin e Mitrovicës. Por as aty nuk do gjente qetësi, pasi agjentët e sigurimit dhe disa bashkpuntorë të tyre shqiptarë nuk do e linin rehat duke e marrë në pyetje herë pash here dhe duke e torturuar atë. Të njëjtat tortura që dikur i kishte përjetuar babai i tij, Dauti, tani po i vuante dhe vet Musa. Musa Hoti u njoftua se rrezikonte të dënohej nga 12 deri në 15 vjetë burg, dhe për këtë arsye ai u detyrua të largohet nga Kosova më 4 Nëntor 1978 duke iu bashkangjitur vëllait të tij Isës i cili atë kohë jetonte në Bruksel.

Më 9 Nëntor të vitit 1978 mbërriti në Bruksel, ku u pajis me një dokument të thjeshtë, por që nuk kishte të drejtë të udhëtonte jashtë Belgjikës. Zakonisht refugjatët që vinin nga Kosova pranoheshin si refugjatë politikë, por Musa Hoti nuk do pranohej si i tillë dhe nuk do t’i jepej statusi i refugjatit politik me preteksin qesharak se nuk kishte dëshmi të mjaftushme që i rrezikohej jeta në Kosovë! Këtë status, të cilin të tjerët e merrnin pas vetëm shtatë muaj qëndrimi, Musa Hoti do e fitonte pas shtatë vitesh qëndrimi në Belgjikë!! Me kalimin e kohës do zbulohej se Ministri i Punëve të Brendshme i Belgjikës kishte qenë agjent i UDB-së dhe për këtë arsye ai më vonë do burgosej.
Në Belgjikë, Musa fillimisht u punësua në një lavazho makinash, ndërsa në kohën e lirë përpiqej të gjente shokë të idealit me të cilët do vazhdonte të punonte për çështjen kombëtare. Pasi ra në kontakt me disa aktivistë që vepronin atje, ai iu bashkangjit Lëvizjes Kombëtare për Republikën e Kosovës (LKRK), ku më vonë ai vet do luante rol kryesor dhe do bëhej koordinator i diasporës shqiptare, jo vetëm në Belgjikë, por edhe në mbarë Evropën. Veprimtaria e Musa Hotit dhe e bashkëveprimtarëve të tij do të bëhej pengesa më e madhe e projekteve antishqiptare jugosllave. Një nga vështirësitë e shumta që ai do të haste në Belgjikë ishte se mërgata shqiptare ishte e përçarë dhe e ndikuar nga shërbimet sekrete të Tiranës dhe Beogradit. Si pasojë e ndikimit të këtyre dy shërbimeve, veprimtaria kundër interesave jugosllave nuk përkrahej nga një pjesë e madhe e eshqiptarëve që jetonin atje.
Kur në pranverën e vitit 1981 shpërthyen demonstratat studentore shqiptare në Kosovë, që kishin për qëllim barazimin e Kosovës me gjashtë republikat e tjera të Jugosllavisë. Dhe kur regjimi barbar jugosllav i shtypi demonstrat duke përdorur ushtrinë dhe tanket e saja, më 12 Prill 1981, Diaspora shqiptare e Belgjikës do bëhej e para që do mbante një manifestim në shenjë solidarizimi me protestuesit shqiptarë në Kosovë. Ky manifestim u organizua nga bashkëveprimtarët e Musa Hotit, Enver Hadri, Vehbi Ibrahimi, Reshat Sahitaj etj. Në këtë Manifestim, në të cilin rol kryesor do luante edhe vet Musa Hoti, morrën pjesë rreth njëmijë vetë. Manifestimi ishte organizuar kryesisht nga shqiptarët e Kosovës, por iu bashkangjitën edhe shumë shqiptarë të tjerë që jetonin në Bruksel, me përjashtim të shqiptarëve komunistë të cilët nuk morrën pjesë.
Dy muaj më vonë, saktësisht më 13 Qershor 1981, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka përgatitën një demonstratë tjetër. Musa Hoti do bënte një njoftim publik në emër të klubit “Përparimi” duke ftuar të gjithë anëtarët e klubit të solidarizohen me vëllezërit shqiptarë në Kosovë që ishin shtypur barbarisht nga regjimi jugosllav. Në ambientet e klubit “Përparimi” kishte ardhur dhe një delegacion jugosllav që propagandonte se demonstruesit në Kosovë ishin një grup i vogël studentësh të cilët kërkonin vetëm përmirësimin e kushteve ushqimore, dhe se nuk kishte as të vrarë e as të plagosur. Në praninë e tyre Musa Hoti mbajti një fjalim, në të cilin denoncoi haptas dhunën dhe terrorin e ushtruar nga policia jugosllave mbi shqiptarët e pafajshëm. Fjalimi i tij pati ndikim të madh te shqiptarët dhe u prit me duartrokitje nga të gjithë pjesëmarrësit. Pas kësaj ndodhie, Musa Hotit do iu ndalua hyrja në ambientet e klubit shqiptaro-jugosllav “Përparimi”. Ditën e martë të 4 Gushtit 1981, Musa Hoti ishte nisur për në shtëpinë e një mikut të tij, gjatë rrugës shtatë veta filluan ta ndjekin nga mbrapa duke e kërcënuar në gjuhën serbe. Musa nuk iu kushtoi rëndësi dhe vazhdoi rrugën, ndërsa personat që po e ndiqnin vazhduan me kërcënimet dhe fyerjet e tyre, për këtë arsye ai vendosi të kthehet në restorantin “White Horse” ku ishin ulur pesë shqiptarë të cilët i njihte. Musa Hoti hyri në restorant dhe u ul pranë bashkëatdhetarëve të tij. Katër nga personat që po e ndiqnin qëndruan jashtë ndërsa tre të tjerët u futën brënda në restorant dhe u ulën përballë tryezës ku ishte ulur Musa Hoti dhe filluan ta provokojnë sërish duke sharë dhe ofenduar popullin shqiptar. Shumë shpejtë pesë shqiptarët e tjerë e kuptuan qëllimin e vërtetë të provokatorëve jugosllavë dhe filluan të largohen një nga një, dikush për në tualetë e dikush tjetër gjoja për të blerë cigare.
Agjentët jugosllavë kishin për qëllim likuidimin e tij, dhe kur Musa Hoti u çua nga vendi ku ishte ulur ata futën duart në xhepa për të nxjerrë armët e tyre, mirpo ai u tregua më i shkathët se ata dhe qëlloi i pari në drejtim të tyre. Pumbi i parë goditi në kokë Stojan Xheriçin dhe plagosi truprojën e tij që në atë moment ndodhej mbrapa tij. Ndërsa plumbi i dytë plagosi personin e tretë. Njerëzit që ndodheshin brenda në restorant të tmerruar dolën jashtë, bashkë me ta doli dhe Musa Hoti me qëllim të shtinte edhe mbi të tjerët që kishin ndejtur jashtë, por ata nuk i gjeti sepse ishin larguar pa lënë gjurmë. Musa Hoti tentoi të hynte sërish në restorant për t’u siguruar se atentatorët kishin mbetur të vdekur, por aty u ndodh përballë dy shqiptarëve që ishin fshehur në tualetën e restorantit, të cilët i thanë se nuk ishte nevoja të shkonte brenda dhe se që të tre atentatorët e tij kanë mbetur të vdekur. Njësoj si një tjetër shqiptar i cili me krismat e revolverit tij tronditi Parisin më 13 Qershor 1920, Musa Hoti që shtiu dy herë dhe shtriu tre veta përtokë do trondiste jo vetëm Brukselin, por edhe Beogradin duke i dhënë një goditje të fortë armikut shekullor të shqiptarëve.
Pas këti atentati të dështuar, UDB-ja do provonte dhe tre herë të tjera për ta likuiduar Musa Hotin, duke mos ia kursyer as familjen e tij. Në dy prej tentativave të tyre, agjentët jugosllavë kishin vendosur lëndë eksplozive në makinën e tij, por në të dyja rastet eksplozivi shpërtheu para kohe dhe Musa Hoti nuk u dëmtua. Krismat e revolverit të Musa Hotit bënë bujë të madhe në perëndim, ku shumë gazeta do të shkruanin për aktin heroik të tij. Vetëm në Shqipërinë komuniste ngjarja nuk u përmend fare, as në radio, as në gazeta, bile në Shqipërinë e asaj kohe askush nuk guxonte ta përmendte emrin e Musa Hotit. Policia belge kërkonte ta arrestonte me çdo kusht atë, pasi rrezikohej prishja e marrdhënieve me Jugosllavinë. Musa Hoti nuk donte të dorëzohej sepse i druhej ekstradimit në Jugosllavi, dhe për këtë arsye ai u strehua për tetë ditë tek disa bashkëatdhetarët e tij. Ditën e nëntë një shqiptar i Shqipërisë e tradhëtoi Musën dhe e dorëzoi atë te policia belge.
Gjatë kohës që Musa Hoti strehohej te miqtë e tij shqiptarë, të gjithë nënshtetasit jugosllavë që jetonin në Bruksel filluan të pajisen me armë me leje nga frika se mos vriten nga shqiptarët që jetonin atje. Në një rast, një nëpunës i Ambasadës jugosllave tek po luante me armën e tij gabimisht plagosi një tjetër nëpunës të Ambasadës. Shteti Jugosllav edhe për këtë do akuzonte Musa Hotin, se gjoja ai kishte hyrë në zyrat e Ambasadës dhe kishte tentuar të vrasë një tjetër nëpunës!! Kjo shpifje e tyre nuk zgjati shumë pasi ekspertiza e policisë belge e zbardhi menjëherë rastin dhe njoftoi publikun se bëhej fjalë për një plagosje aksidentale ndërmjet dy nëpunësve të Ambasadës jugosllave. Akti heroik në rrethana vetmbrotjeje i Musa Hotit pati një ndikim pozitiv te shqiptarët e Brukselit dhe të qyteteve të tjera. Ngjarja kishte ndodhur pak muaj pas demonstratava studentore shqiptare në Kosovë, dhe shërbeu në ndryshimin e mentalitetit të shumë shqiptarëve të cilët deri në atë kohë ishin për bashkim-vllazërim me serbët. Pas aktit heroik të Musa Hotit shqiptarët filluan të ndërgjegjësohen dhe marrdhëniet mes tyre dhe serbëve filluan të prishen.
Gjykata belge jo vetëm që nuk e konsideroi kurrë aktin e Musa Hotit si vetëmbrojtje legjitime, por ajo tentoi ta akuzojë atë për 28 atentate të tjera që kishin ndodhur në Belgjikë ku kishin mbetur të vdekur 14 serbë dhe ishin plagosur 12 të tjerë. Në njëfarë mënyre Musa Hoti duhej sakrifikuar për të shpëtuar marrdhëniet belgo-jugosllave, dhe për këtë arsye ai u dënua me burg të përjetshëm. Duke parë padrejtësinë e madhe që po i bëhej nga “drejtësia” belge, Musa Hoti iu drejtua Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Pas një peticioni që kishin përgatitur bashkëatdhetarët e tij, i cili ishte firmosur nga 7.000 vetë, Komisioni i Helsinkit në Strasburg dënoi Belgjikën. Gjithashtu mbi 25 mijë letra nga shqiptarët e diasporës iu dërguan Ministrisë së Drejtësisë dhe për shkak të presioneve të shumta prokuroria belge e shpalli të pafajshëm Musa Hotin, dhe më 8 Nëntor të vitit 1983 ai u lirua. Pak kohë pas lirimit të Musa Hotit nga burgu, Jugosllavia tërhoqi ambasadorin e saj nga Belgjika, dhe kështu ai do bëhej shkaku kryesor për prishjen e marrdhënieve mes dy shteteve.
Gjatë kohës që Musa Hoti kishte qenë në burg, shokët e tij e njoftuan se kishin marrë iniciativën të hapin një shkollë shqipe, por për mungesë të hollash nuk po gjendej ambienti ku do hapej shkolla. Musa i dërgoi një letër mikut të tij Reshatit, ku i shpjegonte se vëllai i tij, Isa, mund t’u jepte katin e dytë të lokalit të tij falas. Isa Hoti u mundësoi bashkëveprimtarëve të Musës ta shndërrojnë në shkollë katin e dytë të banesës që ai dispononte. Në Shtator të vitit 1982 u hap shkolla shqipe “Bajram Curri” e cila fillimisht kishte 17 nxënës, detyrën e mësuesit do e merrte përsipër burri i mbesës të Musa Hotit, Qamil Zekolli. Pas daljes nga burgu, shteti belg nuk dëshironte që Musa Hoti të qëndronte në Belgjikë, prandaj ai duhej të largohej, por asnjë shtet nuk dëshironte të merrtë përsipër barrën e strehimit të një personi i cili kishte vrarë një diplomat jugosllav dhe kishte plagosur dy të tjerë. Një familje shqiptare që jetonte në Suedi u vetëofrua që ta adoptonte Musën dhe në këtë mënyrë ai do kishte të drejtë qëndrimi në Suedi. Ndërkohë, ai do i drejtonte një kërkesë Republikës së Shqipërisë që të vendosej dhe të jetonte përgjithmonë në Shqipëri ashtu siç ai kishte ëndërruar gjithë kohën.
Për këtë arsye shkoi në Ambasadën shqiptare në Paris, por pritja që i bënë punonjësit e Ambasadës ishte shumë e ftohtë, dhe akoma më e ftohtë ishte përgjigja që i kthyen pasi morrën vesh se kush ishte. Sapo u njoftuan për të, i thanë: ” Ju lutemi largohuni sa më shpejtë nga ambientet e Ambasadës sonë se mund t’iu vrasë UDB-ja nga dritaret e ndërtesës përballë, dhe kështu qeveria jonë do të implikohet në vrasjet tuaja!! Ky ishte një zhgënjim i madh për Musa Hotin. Shqipëria që ai aq shumë e kishte dashur do t’i tregonte fytyrën më të keqe të saj.. Ditët në vijim, ai provoi shumë herë të kontaktojë me ta, por nuk mori asnjë përgjigje.. Pak më vonë do merrte përgjigje negative edhe nga autoritetet suedeze.
Gjërat kishin ndryshuar shumë gjatë qëndrimit në burg, asgjë nuk ishte si më parë. Mërgata shqiptare ishte përçarë falë disa shqipfolsave të cilët kishin arritur të infiltrohen në lëvizjet e ndryshme duke përhapur thashetheme për të gjithë aktivistët që vepronin në Bruksel. Këta shqipfolsa ishin kryesisht shërbëtorë të UDB-së, por edhe misionarë të dërguar nga Republika e Shqipërisë të cilët kishin po të njëjtin qëllim. Për shkak të veprimtarisë së tij dhe aktit heroik të vitit 1981, Musa Hoti gëzonte respektin e të gjithë shqiptarëve, pavarsisht bindjeve të tyre politike. Ai ishte shndërruar në një legjendë të gjallë dhe shpesh herë e krahasonin me Avni Rustemin, Tahir Mehën etj.
Kjo do nxiste edhe xhelozinë e shumë aktivistëve shqiptarë që gëzonin poste në lëvizjet e ndryshme, dhe sa herë që Musa Hoti ftohej në ndonjë mbledhje ose tubim, shumë rrallë i jepej mundësia të mbante ndonjë fjalim. Pavarsisht xhelozive, përçarjeve dhe thashethemeve, Musa Hoti nuk do ndalte kurrë veprimtarinë e tij patriotike. Në vitin 1987 ai me shpenzimet e veta do hapte radion “Zëri i Kosovës” në Bruksel, nga ku ai do denonconte padrejtësitë e mëdha që po bënte regjimi barbar jugosllav në kurriz të popullatës shqiptare në Kosovë. Nga mikrofoni i radios ndër’ të tjera ai do thoshte: “Zëri i Kosovës ka për qëllim t’i tregojë kryeqendrës së Europës, se dy milion e gjysëm shqiptarë në Jugosllavi meritojnë të quhen komb dhe të kenë elementin e tyre të shtetësisë, që është Republika e Kosovës. Element që e kanë popujt e tjerë në Jugosllavi e që në numër janë shumë më të paktë nga ne”. Mospërkrahja e bashkëatdhetarëve të tij dhe problemet financiare që kishte e detyruan Musa Hotin ta mbyll radion “Zëri i Kosovës”.
Në vitin 1989 ai do organizonte dhe një manifestim në emër të puntorëve në shenjë solidarizimi me minatorët e Trepçës, pavarsisht pjesmarrjes së vogël, manifestimi pati ndikim të madh në shtypin belg të asaj kohe. Qysh në vitin 1981 ai kishte publikuar një artikull të gjatë në revistën “Zëri i Kosovës” me titull “Manipulimi dhe sabotimi i aktiviteteve kombëtare nga armiqtë”. Në këtë shkrim ndër’ të tjerash ai shkruante: “Trepça po shfrytëzohet nga Beogradi, pasuritë nëntokësore po shkojnë në Beograd, ndërsa jeta e shqiptarëve po bëhet gjithnjë e më e varfër”. Nëpërmjet këti shkrimi Musa Hoti denonconte të gjitha padrejtësitë dhe pabarazitë që ekzistonin në Jugosllavi dhe që i vuante në kurriz popullata shqiptare që nga viti 1946.
Në vitin 1993 Musa Hoti me shokët e tij do merrnin iniciativën të aktivizojnë Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), gjithashtu ai do angazhohej në riorganizimin e shkollave shqipe në mbarë Belgjikën. Këtë mision ai e kreu me sukses, dhe falë angazhimit të tij, në qytetet e mëdhaja të Belgjikës, u hapën shkolla shqipe. Edhe pse përkrahësit e tij ishin të paktë në atë periudhë, për shkak të përçarjeve që ishin krijuar, ai vazhdonte të ishte aktiv dhe të propagandonte idenë e krijimit të Republikës së Kosovës, dhe pasi Kosova të bëhej Republikë do kishte të drejtë të vetëvendoste deri në bashkim me Shqipërinë. Gjatë kësaj periudhe Musa Hoti ishte pjesë e Qëndrës Kulturore Shqiptare, e Bashkësisë Shqiptare në Belgjikë si dhe shumë organizatave dhe komiteteve të tjera. Gjithashtu, ai do u ofronte ndihmën dhe përkrahjen e tij të gjitha familjeve shqiptare që ishin vendosur aty, duke i ndihmuar të sistemohen dhe të integrohen në shoqërinë shqiptare në Belgjikë. Kur situata filloi të tensionohej në Kosovë, ai do ishte një nga përkrahësit më të flaktë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sepse gjithnjë ai kishte besuar se Serbia nuk do ta lëshonte pa luftë Kosovën. Sakrificën e djemve dhe vajzave shqiptare të veshur me uniformën e UÇK-së që luftonin me flamurin kombëtar, ai do e quante një rilindje të popullit shqiptar që i përngjan feniksit, i cili ringjallet nga vet hiri i tij. Musa Hoti mezi e kishte pritur momentin e çlirimit të Kosovës, dhe në Qershor të vitit 1999, kur shumë shtëpi në Kosovë ishin ende në tym e flakë, ai shkel për herë të parë në atdhe pas 21 vitesh qëndrimi në Belgjikë i vendosur të kthehet në Kosovë dhe të qëndrojë aty përgjithmonë.
Më vonë ai do përpiqej të kapërcente disa pengesa të vogla në lidhje me dokumentacionin që nevojitej për t’u vendosur përgjithmonë në Kosovë. Një tjetër pengesë e madhe ishte punësimi i tij, në Kosovën e pasluftës nuk do gjendej asnjë vend pune për të! Kudo që shkonte ai refuzohej me të njëjtin justifikim qesharak: “Nuk mundemi t’iu punësojmë sepse druhemi nga reagimi i UNMIK-ut!! Kjo do ia shtonte edhe më tepër hidhërimin Musa Hotit, si ishtë e mundur që Kosova të ishte çliruar, por dukej sikur asgjë s’kishte ndryshuar?! Sado që ndihej i zhgënjyer dhe i demoralizuar, Musa Hoti kishte vendosur të kthehej përgjithmonë në Kosovë, përndryshe ç’kuptim do kishte të jetonte larg asaj toke për lirinë e të cilës ai kishte dhënë gjithçka..
Ditën e 16 Janarit 2004, Musa ishte duke duke siguruar dokumentet e fundit që i nevojiteshin për t’u vendosur përgjithmonë në Kosovë. Në mbrëmjen e asaj dite, pasi kishte qëndruar në një klub shqiptar, një miku i tij u vetofrua ta çojë me makinën e tij. Kur iu afruan stacionit të metrosë, Musa kërkon nga miku i tij ta ndali veturën duke i thënë se do merrte metronë për të vazhduar rrugën për në shtëpi.. Ditën e nesërme në mëngjes, Musa Hoti u gjet i vrarë, trupi i tij ishte zhvendosur nga vendi ku ai ishte vrarë dhe ishte vendosur në parkingun e metrosë. Parkingu ku u gjet trupi i pajetë i Musa Hotit kishte kamera në çdo cep, por çuditërisht kamerat nuk kishin filmuar asgjë në ato momenete!.
Musa Hoti ishte vrarë me një plumb pas koke, gjë që dëshmon se vrasësi i tij nuk ka pasur guximin t’i dalë përballë dhe e ka qëlluar pas shpine, ashtu si e kanë zakon armiqtë shekullorë të shqiptarëve. Atë që serbët nuk arritën ta bënin në vitin 1981 kur i dolën Musa Hotit përballë, arritën ta realizojnë pas 23 vitesh duke e qëlluar pas shpine dhe duke mos lënë asnjë gjurmë.. Siç thotë edhe populli ynë i urtë: “Lumi fle, hasmi nuk fle”. Musa Hoti e kishte lënë amanet të varrosej në Kosovë, sepse siç thoshte ai kur ishte gjallë: “Dheu i huaj nuk më mban”. Më 21 Janar 2004 trupi i dëshmorit Musa Hoti u përcoll me nderime nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, ku dhe u varros pranë dëshmorëve të tjerë të kombit që ranë për lirinë e trojeve etnike.
Musa Hoti gjithë jetën ia përkushtoi Kosovës, edhe pse shpesh herë ai ndihej i zhgënjyer dhe i braktisur, ai kurrë nuk pushoi së punuari për lirinë e saj. Edhe pse Shqipëria e asaj kohe ia mbylli dyert njërit prej bijve më të mirë të saj, në momentin që më shumë se kurrë kishte nevojë, ai kurrë nuk e foli një fjalë kundër Shqipërisë e as kundër regjimit komunist të asaj kohe. Musa Hoti la mbrapa, bashkëshorten e tij Mevlyden, tre vajzat: Mimozën, Manushaqen, Melisën, si dhe djalin e tij të cilin e kishte quajtur Martir, sikur ta kishte ditur që një ditë ai vetë do të bëhej martir për Kosovën shqiptare… Lavdi Musa Hotit dhe veprës së tij !! Lavdi i qoftë pëjetë, dhe i paharruar qoftë emri i tij !! Lavdi të gjithë atyre që nuk pushuan së punuari për kombin shqiptar!
*Sqarim: Kjo është vetëm një përmbledhje e shkurtër e veprimtarisë të Musa Hotit. Në këtë shkrim nuk pasqyrohet komplet veprimtaria e tij, pasi do nevojitej një libër i tërë për të përshkruar jetën dhe veprën e tij. Shumica e të dhënave janë marrë nga libri i Reshat Sahitaj “Musa Hoti, shënime, kujtime, përjetime, dokumente, etj”, si dhe nga rrëfimet dhe intervistat e Musa Hotit në gazetat e kohës. Deri tani shumë pak kanë marrë mundimin të shkruajnë rreth Musa Hotit dhe veprimtarisë së tij. Shpresojmë që në të ardhmen dikush do e marrë iniciativën të shkruaj më tepër dhe të pasqyrojë komplet veprimtarinë patriotike të tij, në mënyrë që brezi i ri i shqiptarëve kudo që jetojnë të njihet, të krenohet dhe të frymëzohet me veprën e Musa Hotit dhe gjithë veprimtarëve të tjerë që sakrifikuan gjithçka kishin për lirinë e trojeve shqiptare. (S.Gj)
Shkrim nga Samo Gjoni për Heroin Musa HOTI


Leave a Reply