Kur në katër vilajetet shqiptare era e lirisë kishte mbushur gjokset e shqiptarëve, Komiteti “Për Lirinë e Shqipërisë” (1905), me qendër në Manastir vendosi themelimin e çetave patriotike. Çeta e parë kombëtare u ngrit nën udhëheqjen e Bajos dhe Çerçizit në shtator të vitit 1906. Qëllimin e daljes me Çetën në malet e Shqipërisë, e bënë të ditur Heroi i Popullit Çerçiz Topulli, nëpërmjet një letre shpërndarë anë e mbanë Shqipërisë dhe botuar në gazetën “Shpresa e Shqypnisë”, Janar 1907, e cila botohej në Raguzë. Në të Çerçizi shkruan:
“Me anën e kësaj letre dua të lajmëroj të gjithë vëllezrit patriotë, shqiptarë, miqtë tanë, si dhe gjithë të tjerët që interesohen për Çështjen e Shqipërisë, se unë me gjithë shokët e mi duke lënë shtëpijat, familjet e gjithë pasurinë, kemi dalë ndër male si kryengritës, kundër qeverisë barbare tiranike, për Lirinë e Shqipërisë. Duke qenë se qeveria halldupe e Turqisë nuk na epë kurrfarë të drejte dhe aspak liri, pa shkolla në gjuhën tonë, pa siguri për jetën dhe pasurinë e popullit e, n’anën tjetër, qeveria kërkon e i merr me pahir pagesat e ndryshme të rënda, jo vetëm, por edhe duke na grabitur, plaçkitur sa s’durohet dot më……
Vetëm liria është sharti dhe ilaçi për tu ringjallur Shqipëria. U bëjmë thirrje gjithë shqiptarëve patriotë të Shqipërisë së Jugut e Veriut që të lidhen me ne me besa-besë….. Ky grishëm (lajmërim) bëhet në emër të 3.000 kryengritësve luftëtarë të betuar për Shqipërinë. Dhe duke dhënë besën se do të qëndrojmë burrërisht deri sa të arrijmë qëllimit, që është shpëtimi i Shqipërisë nga robëria, nga terri dhe prapësia e përgjithshme dhe për ta ndritur dielli i Lirisë”.
Aksioni i parë që bëri jehonë jo vetëm në Gjirokastër e përreth, por edhe përtej kufijve të ish Turqisë ishte vrasja e Bimbashit. Fjala Bimbash në turqisht do të thotë major. Halil Musa Beu ishte komandant i xhandarmërisë në Gjirokastër. Ai pas veprimeve të Çerçizit për të ndalur dorën turko-greke ndaj patriotëve shqiptarë kishte dhënë urdhër, që të arrestohej cilido që ndihmonte e strehonte komitët. Bimbashi kreu disa arrestime, mori masa shtrënguese ndaj popullsisë në prefekturën e Gjirokastrës.
Komiteti i Gjirokastrës dhe Komiteti Për Lirinë e Shqipërisë e dënoi me vdekje Bimbashin. Për të marrë masat e fundit Çerçizi u takua me vëllain e madh, Kapon, i cili ju përgjigj: “Në s’e vrisni ju të çetës, do ta vras unë”. Për të vrarë Bimbashin, u caktua Hajredin Tremishti dhe Asllani, por nuk mundën. Çerçizi mblodhi Çetën për të marrë masa të tjera, të gjithë kërkonin të ishin protagonistë në vrasjen e Bimbashit, por më aktivët u treguan Barjam Prongjia dhe Hito Lekdushi.
Dy luftëtarët e lirisë u përgatitën për vrasjen dhe u veshën si tregtarë. Pas dy ditësh të qëndrimit në qytet, më 25 Shkurt (9 mars) në orën 11:15 në lagjen Hazmurat, me gjakftohtësinë më të madhe koburet e dy trimave të Labërisë shtinë mbi Bimbashin dhe Lamçen (truprojën gjirokastrit) që tentoi të mbronte Bimbashin. Bimbashi mbeti i vrarë, ndërsa Lamçen Hitua e qëlloi në dorë për të mos vrarë një shqiptar, dhe për ta nxjerrë jashtë mundësie për të reaguar. Çeta që kishte zënë pozicione rreth qytetit dhe në bregun e Teqesë së Baba Manes, i ndihmoi luftëtarët të dilnin nga qyteti dhe zmbrapsi ushtarët që ju vunë mbrapa atentatorëve.
Trupa të shumta turke të garnizonit të Gjirokastrës dhe ato që erdhën nga Janina, u vunë në ndjekje të çetës. Çerçizi e ndau çetën në dy pjesë, ai mori me vete Mihalin, Hajredinin, Asllanin, Zemanin, Hiton dhe Myftarin. Ditën e martë më 4 Mars (17 Marsi) luftëtarët shkuan në shtëpinë e Myrto Haskës, i cili ishte babai i Zeman Mashkullorës. Pa u zbardhur mirë dita Çerçizi pa si në mjegull një turmë njerëzish që po i afroheshin shtëpisë. Pasi vuri dylbinë dhe pa se ishin ushtarë u foli me urgjencë shokëve, “Oburrani o shokë, se na rrethoi ushtria”.
Luftëtarët me vrap rrëmbyen trastat, gunat, armët edhe ca të mbathur e ca të zbathur u futën në katua e që atje, duke kapërxyer një mur dolën përjashta. Atje, panë që ishin në rrezik të madh po të delnin në shesh, prandaj shkuan poshtë drejt përroit. Por një spiun, Veipi, i vuri re nga kaluan dhe i drejtoi ushtarët turq në drejtim të rrapit. Ushtarët hapen menjëherë zjarrë, por Çerçizi dhe Asllani zunë më shpejt se ushtarët haurin e Abaz Çanos dhe hapën zjarrë mbi ushtarët.
Zemani, Myftari, Mihali dhe Hajredini, erdhën njëri pas tjetrit në drejtim të haurit. Gjatë rrugës nëpër lëndinën që të çonte tek hauri, u vra luftëtari më i ri i Çetës, Hajredin Tremishti, i cili në atë moment ishte vetëm 18 vjeç. Mihali që ishte pranë tij, nuk mundi të merrte trupin e pa jetë të luanit përmetar. I pikëlluar sa më s’bëhej, Mihali u dha shokëve lajmin e vrasjes së Hajredinit. Urrejtja e trimave u shpreh duke qëlluar pa reshtur mbi ushtarët turq. Tre ushtarë njëri pas tjetrit, thotë Mihali, i vrau Çerçizi, e të tjerë të plagosur që u dëgjoheshin ulërimat sa i detyroi të tërhiqen…
Pastaj luani, trimi e kapedani ynë, Çerçiz Topulli, mblodhi veten dhe ju drejtua shokëve me këto fjalë: “Të rrojë Shqipëria se edhe neve si Hajredini do të vritemi, por, o burrani të zëmë vendet e të luftojmë burrërisht dhe mos u trëmbni”. Çerçizi, Zemani dhe Myftari zunë qendrën e haurit, mbrapa Mihali me Asllanin. Hito Lekdushi ishte i fundit, ai nuk mundi të futej në “kështjellën e haurit”. Një grup ushtarësh arritën ti prisnin udhën dhe ishin gati ta kapnin, por luani kurveleshas nuk e humbi toruan. Shqiponja tepelenase e Lekdushit fluturoi nëpër shkrepat e Levenishtës dhe pasi u përlesh me armë e trup me trup me ushtarët turq, pas tre orësh çau rrethimin dhe u ngjit në malin e Gjerë. Rapsodi popullor këndoi:
Ndriçoi hëna ngjyrë prushi
Se shkonte Hito Lekdushi’
Për Hito Habibin thonë
Kërkonte haka të zonë.
Lufta filloi në orën 5:30 dhe përfundoi rreth orës 18:00. Në këtë betejë për jetë a vdekje, çeta e shtatë trimave, me kapedan Çerçizin në krye përballoi 200 ushtarë të batalionit turk për rreth 13 orë dhe në një luftë të pabarabartë, raporti i forcave ishte një me dyzetë. Në librin “Kryengritja shqiptare”, Mihal Grameno, një prej aktorëve të kësaj epopeje të lavdishme kombëtare shkruan: “Çerçizi u tregua një dragua në këtë luftë. Ai replikonte me ushtarët, jemi bijtë e Skënderbeut dhe nuk jepemi, por do të luftojmë gjer në orën e fundit. Shqiptari di të vdes sipas zakonit e nderit.
Vetëm dhe vetëm atëherë munda të besoj historinë e kombit tonë. Atëherë munda të njoh burrërinë dhe trimërinë e stërgjyshërve tanë, të kuptoj e të çmoj vleftën e këtij djali trim se megjithëqë u rrit i përkëdhelur nuk i trëmbej vdekjes. Zbathur, kolos, me leshra përpjetë, vërtitesh nga të gjitha anët si një komandant i madh, me pushkën në dorë e gjashtaren në dhëmbë, duke burrëruar neve, duke qëlluar mbi ushtarët. Fytyra e tij këtë ditë ishte më e Çelur se kurdoherë”.
Çerçizi shumë herë nxirrte kryet përjashta që t’u fliste ushtarëve turqisht, që të hiqeshin mënjanë edhe mos vriteshin vëlla me vëlla. Oficerët prapë i ftonte të dalin në shesh e të luftonin një për një, por ata të fshehur i përgjigjeshin me dinakëri e me fjalë të ëmbla duke thënë se çeta duhej të dorëzohej, se gjoja u vinte keq të vriten, duke premtuar jo vetëm falje, por edhe nga një shpërblim të madh nga Padishahu! Rreth orës 17:00, kur lufta dukej e mbaruar, arriti nga Gjirokastra mytesarifi me oficerë, doktorë e farmacistë për të mjekuar të plagosurit, si dhe me ushtarë të tjerë të trazuar me xhandarë, të cilët zunë të qëllojnë kundër çetës gjersa u ngrys dhe lanë edhe të vrarë të tjerë. Bashkë me ushtarët e vrarë u vra dhe Veipi, fshatari tradhëtar, i cili mori një plumb në ballë nga dora e Çerçizit.
Trupat turke dhe komanda e tyre ishin përqëndruar tek rrapi shekullor. Duke përfituar nga lodhja e kundërshtarit, çoroditja e ushtarëve dhe oficerëve, nga shiu që kishte rënë gjatë gjithë ditës, nga nata që po afrohej dhe nga mjegulla që sapo ra, strategu i kësaj fitoreje, Çerçizi, iu drejtua Zemanit dhe Asllanit, “Vëzhgoni vendin përreth për të gjetur shtegun se nga mund të çajmë rrethimin”.
Zemani si mashkullorit që ishte, e njihte mirë vendin dhe propozoi të bënin poshtë përroit. Ashtu u bë, Çerçizi ndau detyrat: Zemani dhe Mihali të parët, Çerçizi do të vazhdonte luftën, Asllan Starja do të merrtre në krahë Myftarin e plagosur. Myftari u lutej shokëve ta vrisnin, se mos binin në dorë të armikut. Por Çerçizi i tha: “Po të vdesim ne, aherë do të vdesësh edhe ti, nuk të lëmë në dorë të halldupëve edhe sikur të japim jetën tonë, ti e bëre tënden, bëj kurajo o trim. Pastaj iu drejtua shokëve: Mblidhi forcat, se do çajmë rrethimin. Gjaku i Hajredinit u bëftë dritë, përpara me shpetësi drejt përroit më të poshtë”.
Kështu në zjarr’ e sipër çeta e çau rrethimin dhe arriti në kasollet e Dino Çiços, ku shërbente një punëtor i kësaj familje të madhe gjirokastrite. Shahini sapo kishte hequr prej zjarrit kusinë e fasuleve dhe u përgatiti luftëtarëve darkën me gjithë të mirat e rastit dhe sa më shpejt qe e mundur. Mihali lidhi plagën e Myftari Axhemit nga Gjirokastra që u plagos tek hauri, ndërsa luftëtarët e tjerë thanë rrobat në zjarrin e kasolles. Pasi u çlodhën dhe u siguruan se turqit nuk kishin rënë në gjurmët e tyre, çeta shkoi në drejtim të Gjirokastrës mbi qytet në malin e Gjerë.
Çerçizi vendosi të hynte në qytet, njerëzit nuk i hapnin portën nga frika e ushtarëve, spiunëve dhe xhandarëve që ishin shpërndarë nëpër qytet. Pasi trokiti në disa shtëpi, Çeçua u prit nga Resul Berberi. Në shtëpinë e tij u bënë edhe takimet me njerëzit e Myftarit, të cilin e lanë në qytet dhe shkuan në Dervician tek familja e Thomait dhe pas kësaj në pyllin e Luvinës.
“Tradhëtia mbaroi me shkëlqim të armëve shqiptare.
Lufta e Mashkullorës tregoi se ç’mund të bëjë një grusht idealistësh trima kundër një Dovleti të tërë, që përpiqej të mbante akoma nën këmbë një popull trim. Ahuri i rënë i Mashkullorës është akoma edhe sot, që të vërtetojë fjalën e një francezi të madh, Maurice Barres, se “Ka vende ku fryn era e trimërisë”. Këtu çdo gur që shkel njeriu ka të kallzojë një histori dhe të tregojë një trimëri.
Me rastin e përvjetorit të Luftës së Mashkullorës, më 18 Mars 1934 në Gjirokastër u përurua busti i kryetrimit shqiptar, Çerçiz Topulit, vepër e skulptorit Odise Paskali. Busti u financua prej atdhetarëve gjirokastritë e më gjerë, sepse shteti ktheu përgjigje negative për financimin e tij. Atdhetarët gjirokastritë prunë nga Shkodra eshtrat e Çerçizit dhe u vendosën në vendin që sot quhet “Varrezat e Rilindësve”.
Dr. Shyqyri Hysi.
(Pedagog, në Universitetin “Eqerem Çabej” Gjirokaster)
© 2016, SHQIPËRIA E BASHKUAR.


Leave a Reply