Aisa Kokiçi –
Ç’është në të vërtetë mërzia? A ngjan mërzia juaj me timen? Në të vërtetë nuk ka njeri që të mos e ketë provuar apo dijë diçka rreth saj… Është një lodhje shpirtërore e lindur nga monotonia, boshllëku, pesimizmi… mund ta quajmë edhe mërzi të brendshme.
Mërzia dhe ankthi (shqetësimi) nuk janë gjëra të njëjta. Nëse do të na duhet të japim një shembull shqetësimi që ndjen nxënësi para provimit është ankth dhe kjo lind nga frika e mosarritjes së suksesit. Ndërsa ajo që ndjen një njeri i cili qëndron gjithë ditën vetëm në shtëpi është mërzi… Disa njerëz e gjejnë rrugën e heqjes së mërzisë me anë të rrugës së provës. Në krye të kësaj zë vend nxënia me punë të tjera.
Kur sekretarja e një prej themeluesve të psikiatrisë së Frojdit, i ankohej atij se ‘po pëlciste nga mërzia “ai kërkonte nga ajo t’i kërkonte librin e tij që i kishte humbur. Edhe ju duhet të keni parë shpesh herë njerëz të cilët kur zihen me një punë i harrojnë për pak kohë hallet dhe mërzinë e tyre. Ndërsa tek ne njerëzit e nënvlerësojnë gjendjen e personit të mërzitur duke i thënë ‘mos ia vër veshin, do të të kalojë”. Disa nga mënyrat tjera të heqjes së mërzisë mund të jetë dhe ndryshimi i ambientit dhe vendit. Thuhet se ndryshimi i vendit e rifreskon njeriun duke i dhënë gjallëri.
Ndonjëherë mërzia të bezdis aq shumë saqë nuk di të kalojë asnjëherë. Dhe ja pikërisht atëherë ndoshta mund të na duhet të presim pak dhe t’i dorëzohemi asaj. Por ndërkohë mund të bëni edhe disa gjëra tjera për të stimuluar pak veten si dëgjimi i muzikës, pirja e një kafeje.
Krahas kësaj edhe lutjet janë shumë të dobishme në momente të tilla. Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe jogan, ecjen dhe aktivitetet tjera sportive. Në të vërtetë mënyra e heqjes së mërzisë ndryshon nga një person tek tjetri. P.sh ndërkohë që unë e heq mërzinë duke lexuar, dëgjuar muzikë apo radion bashkëshorti im preferon të bëjë një punë tjetër apo të shohë televizor. Fatkeqësisht janë të shumtë njerëzit që mundohen të largohen nga mërzia duke pirë cigare, alkool apo duke luajtur kumar. Ndoshta ato mundohen t’i gjejnë një zgjidhje problemeve dhe anktheve të tyre por në këtë mënyrë nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se i shtojnë ato. Le të qëndrojmë larg zakoneve dhe sjelljeve të tilla.
http://gazetastart.com
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply